Kujdesi që duhet treguar ndaj zhvillimit të fëmijës
Ky shkrim duhet të jetë një nxitje për prindërit për të vënë në fokus primar zhvillimin e fëmijës së tyre që në hapat e parë, duke nxitur kështu edukatën dhe dashurinë e të mësuarit. Reflektime nga punonjësja sociale, Adriana Lala.
"Fëmija është një amanet (i vendosur nga Zoti) në duart e prindërve të tij dhe zemra e tij e pafajshme është një element i çmuar i aftë për të lënë përshtypje”, thotë dijetari dhe mendimtari i famshëm Al Ghazali i shekullit të X.
Prandaj, përgjegjësia kryesore e kultivimit të një fëmije me arsimimin e tij të hershëm bie mbi prindërit të cilët janë përgjegjës për përfshirjen e fëmijës në aktivitete edukuese që në hapat e parë të fëmijës dhe mbi mësuesit e përfshirë në edukimin e fëmijës që në hershmëri. Siç thotë citimi, fëmijët marrin përshtypje nga situatat e jetës reale. Prandaj, mjedisi i fëmijës duhet të dizajnohet në një mënyrë që të nxisë aftësi krijuese dhe të rrisë aftësinë e të mësuarit dhe absorbimit të fëmijës. Fëmijët janë pjesa më e pambrojtur e çdo shoqërie dhe janë ata që e riformojnë këtë shoqëri sapo të rriten. Ata duhet të marrin trajtim dhe arsim cilësor për të luajtur këtë rol kyç, veçanërisht në vitet e tyre të hershme.
Industrializimi dhe modernizimi i shpejtë në shekujt IXX dhe XX ka ndryshuar në mënyrë drastike mënyrën se si njerëzit kishin jetuar. Për shekuj me radhë, gratë kanë punuar brenda shtëpive, duke ofruar kujdes, ushqim dhe edukim për fëmijët e tyre. Në të kundërt, burrat kryenin të gjitha punët e jashtme. Duke qenë se sot jeta është bërë tepër dinamike, e shpejtë veçanërisht me prindër të cilët kalojnë shumë kohë në punë për të rritur të ardhurat e tyre financiare, atëherë mbetet opsioni që fëmija të rrijë me gjyshërit apo me dado. Duke falënderuar gjyshërit për kontributin e tyre të madh tek nipërit, nuk duhet të lëmë pas dore edhe interesin apo këqyrjen e programeve dhe kurseve të shumta që nxisin tek fëmijët edukimin e hershëm.
Edukimi i hershëm fokusohet në zhvillimin e fëmijës gjatë viteve të tij të hershme, të cilat variojnë nga mosha tre deri në moshën tetë vjeç.
Edukimi i fëmijëve në këtë moshë realizohet me një koleksion të metodologjive të ndryshme të mësimdhënies që ndihmojnë edukimin dhe zhvillimin e një fëmije.
Një fëmijë dëshiron të ndiejë botën me duart dhe shqisat e tiji me materiale sensoriale praktike. (vëzhguese dhe prekëse) Kur një fëmijë i mban dhe i studion këto materiale, shumë rrugë të reja njohëse hapen brenda trurit të tij. Këto materiale ndijore ndihmojnë gjithashtu fëmijën me aftësitë e tij të krahasimit dhe vendimmarrjes, bazuar në aftësinë e tij për të perceptuar informacionin shqisor.
Qëllimet e këtyre materialeve ndijore mund të renditen si:
- Ndërtimi i vetëbesimit të fëmijës.
- Përqendrimi i vëmendjes së tij.
- Ndihma për kontrollin dhe koordinimin e lëvizjeve të tij.
- Rritja dhe modifikimi i aftësive shqisore.
- Ndihma për të zhvilluar aftësinë e për të menduar në mënyrë abstrakte.
- Nxitja për të shprehur fjalë e fjali.
Me ndihmën e këtyre materialeve, një fëmijë mëson për organizimin dhe ndarjen midis aftësive shqisore, aftësive praktike, gjuhëve, matematikës dhe gjeografisë, ku në vend që ta udhëzojmë fëmijën për të bërë veprime të caktuara, ne duhet ta mësojmë fëmijën përmes vëzhgimeve të tij.
Këto programe janë një shtysë kryesore për motivimin e fëmijëve për të ecur përpara dhe për të mësuar gjërat vetë. Kjo përfshinte mësimin e numrave dhe fjalëve, kryerjen e detyrave praktike,detyrave jetësore dhe kuptimin e rrethinës së tyre.
Nëpërmjet këtij modeli ndikojmë ne rritjen natyrore dhe zhvillimin e këtyre fëmijëve, sepse një fëmijë nuk e humb kurrë mundësinë për të praktikuar dhe zotëruar një aftësi të re vet. Sa herë që një fëmijë has në një mundësi të pavarur të të mësuarit, ai do t'i përgjigjet me kënaqësi.
Zbulimet e Dr. Montessori sugjeruan se ndërsa një fëmijë është plotësisht i përfshirë dhe i fokusuar në mjedisin e tij, ose kur ai është i zënë duke përsëritur një aktivitet vazhdimisht dhe përsëri, truri i tij është i zënë në ndërtimin e strukturave të reja dhe themelore. Ky strukturim i trurit është i dobishëm për fëmijën në vitet e mëvonshme të jetës.
Ky shkrim duhet të jetë një nxitje për prindërit për të vënë në fokus primar zhvillimin e fëmijës së tyre që në hapat e parë të zhvillimit duke nxitur kështu edukatën dhe dashurinë e të mësuarit.
Referenca
-Global Education Monitoring Report Team, 2006. Strong foundations: early childhood care and education;EFA global monitoring report, 2007. Second ed. Paris: UNESCO.
-Haddad & Lenira, 2002. An Integrated approach to early childhood education and care. Early Childhood and Family Policy Series n°3.
-Jones, J., Brown, A. & Brown, J., 2011. Caring and learning together: a case study of Jamaica. Paris: UNESCO.
Shkruar nga punonjësja sociale Adriana Lala
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Stop bullizmit te të gjithë!
Bullizmi në shkolla, si mund ta parandalojmë?