Kujdes, disa produkte ushqimore japin alergji
Alergji ushqimore quhet një reaksion imunitar i trupit, i cili nxitet nga përbërës të caktuar të ushqimeve. Më të prirurat për të shkaktuar alergji janë: vezët, peshku, qumështi, kikirikët, prodhimet edetit në guaskë, soja, frutat e thatë dhe gruri.
Çfarë është alergjia ndaj një ushqimi?
Alergji ushqimore quhet një reaksion imunitar i trupit, i cili nxitet nga përbërës të caktuar të ushqimeve. Zakonisht proteina të mëdha në përmasa dhe të pa shpërbëra mjaftueshëm në aparatin tretës, të cilat kalojnë në gjak dhe provokojnë aktivizimin e qelizave imunitare. Këta përbërës quhen alergogjen dhe trajtohen nga sistemi ynë imunitar si një trup i huaj, që duhet të neutralizohet, kështu prodhohen antikorpe specifike për të realizuar mbrojtjen. Këto antikorpe lidhen me qeliza të specializuara të cilat çlirojnë histaminë dhe substanca të tjera inflamatore, kur antikorpet detektojnë sërish alergogjenin. Këto substanca qarkullojnë në gjak dhe shkaktojnë simptoma në aparatin tretës, lëkurë, sistemin respirator dhe në sistemin e qarkullimit. (Në disa raste, përgjigjja imunitare kontrollohet nga qeliza imunitare dhe jo nga antikorpet) Ushqimet më të prirura për të shkaktuar alergji janë: vezët, peshku, qumështi, kikirikët, prodhimet edetit në guaskë, soja, frutat e thatë dhe gruri.
Ndryshimi midis alergjisë dhe intolerancës ushqimore
Duhet kuptuar qartë se midis këtyre dy situatave ka ndryshim thelbësor. Alergjia ndaj një ushqimi është reaksion i sistemit tonë imunitar ndaj një molekule, zakonisht proteine, që përmbahet në këtë ushqim. Ndërsa intoleranca ndaj një ushqimi është reagimi i organizmit ndaj përbërësve kimik të këtij ushqimi, për shkak të një sëmundjeje të aparatit tretës ose dëmtimi i tij, si dhe prej mungesës totale ose të pjesshme të një enzime që përpunon një substancë të caktuar që ndodhet në ushqimin shkaktar. Këtu nuk kemi aspak implikim të sistemit imunitar. Psh., intolerancë ndaj laktozës është situata ku enzima, laktaza, që shpërben sheqerin e quajtur laktozë, që gjendet me shumicë te qumështi si sheqeri kryesor i tij, mungon ose prodhohet pjesërisht. Ky është një çrregullim gjenetik në të cilin, gjeni që është përgjegjës për kodimin e kësaj enzime është difektoz. Për këtë arsye, vërejmë se ndër individët me intolerancë ndaj laktozës, ka nga ata që e tolerojnë qumështin në sasi të vogla ose të gatuar së bashku me ushqime të tjera, e tolerojnë kosin i cili ka më pak laktozë nga qumështi, gjithashtu edhe djathin që ka akoma më pak. Këta janë personat që e prodhojnë laktazën me pakicë. Ata që nuk e prodhojnë fare, nuk e tolerojnë qumështin as në sasi të vogla.
Simptomat e një alergjie
Simptomat e zakonshme përfshijnë skuqje të lëkurës, kruarje, dhimbje barku, të vjella, dhe diarre. Puçrra në lëkurë mundet gjithashtu të shfaqen. Reaksioni më i rrezikshëm alergjik është anafilaksia, një reaksion i gjithë trupit, i cili karakterizohet nga vështirësi në frymëmarrje dhe ulje të rrezikshme të presionit të gjakut, që mund të çojnë në shok. Personat që pësojnë alergji aq të forta sa mund të kalojnë në shok, ju nënshtrohen injektimit të menjëhershëm të epinefrinës (ultrakortenit), e cila neutralizon histaminën.
Një reaksion në lëkurë mund të shkaktohet edhe nga vetëm një kontakt fizik me një ushqim alergogjen. Kjo quhet sindroma e alergjisë orale dhe shoqërohet nga puçrra, enjtje dhe kruarje më së shumti që përkojnë me buzët, gjuhën, gojën dhe grykën. Këto simptoma janë më të shpeshta pas konsumit të zarzavateve dhe frutave të freskëta.
Është alergji apo jo?
Konstatimi i alergjisë e ndihmon personin të evitojë shmangien e panevojshme të shumë ushqimeve. Kjo është mjaft e rëndësishme kur bëhet fjalë për fëmijë, pasi prindërit e tyre i privojnë nga shumë ushqime të cilat janë të nevojshme për rritjen dhe zhvillimin.
Diagnostikimi i një alergjie ushqimore kërkon historikun mjekësor të detajuar të pacientit, ekzaminim fizik dhe disa analiza laboratorike. Historiku mjekësor merret në mënyrë që të kuptohet nëse bëhet fjalë vërtetë për një alergji ushqimore apo helmim, intolerancë ose intoksikim. Për të evidentuar ushqimet që shkaktojnë alergji, zakonisht këshillohet mbajtja e një ditari ushqimor dhe krahas tyre simptomat e përjetuara. Në këtë ditar, personi shkruan ushqimin që ka ngrënë, kohën kur e ka ngrënë këtë ushqim dhe simptomat që ka ndjerë më pas. Vështirësi në identifikimin e ushqimeve që mund të shkaktojnë alergji paraqiten kur simptomat shfaqen disa ditë pas konsumit.
Testi i lëkurës
Ky test vlerëson përgjigjen e individit ndaj ekstrakteve të ushqimeve që futen nën lëkurë. Substancat që shkaktojnë skuqje dhe ënjtje më shumë se 3mm në diametër, konsiderohen si alergogjen të mundshëm. Nëse një rezultat pozitiv i testit të lëkurës mund të ketë saktësi 50-60%, rezultati negativ është mjaftueshëm i saktë.
Testi i antikorpeve në gjak
Matja e antikorpeve të lidhur me ushqimin në serum, është një mënyrë e mirë për të vlerësuar prezencën e alergjive. Në përgjithësi, një nivel i lartë i antikorpeve në gjak tregon rrezik të lartë alergjie ndaj një ushqimi. Meqenëse, një person me nivel të ulët antikorpesh në gjak, mundet sërish të shfaqë alergji, këto ekzaminime duhet të kombinohen edhe me metoda të tjera diagnostikimi.
Dieta e eliminimit
Në dietën e eliminimit, personi eviton të gjithë ushqimet që mund të shfaqin alergji dhe pasi simptomat të largohen, i rivendos ushqimet një nga një duke vërejtur secili prej tyre mund të jetë shkaktar i një reaksioni.
Provokim nga goja i ushqimit
Kjo është një metodë e artë për të evidentuar alergji ndaj një ushqimi dhe praktikohet me marrjen nga goja të ushqimit të dyshimtë, në një dozë që përcaktohet nga mjeku specialist. Gjithsesi, ky test nuk praktikohet në persona me alergji të forta që mund të çojnë në anafilaksi.
Si kontrollohet një alergji ushqimore
Zakonisht, këto situata kontrollohen duke eliminuar të gjithë ushqimet e dyshimta. Por individi duhet të tregohet i kujdesshëm dhe të jetë në gjendje të njohë ingredientë të fshehtë të një ushqimi prej të cilëve mund të jetë i përbërë.
Alergjia ndaj qumështit
Qumështi dhe proteinat e tij janë përbërës të shumëpërdorur në përgatitjen e shumë ushqimeve të gatshme. Personat që vuajnë nga alergjia ndaj qumështit duhet të evitojnë çdo lloj qumështi dhe produkti që përgatitet prej tij. Në këtë rast, plotësimi i nevojave ditore në kalcium është i vështirë dhe për këtë këshillohet marrja e një suplementi. Alergjia ndaj qumështit mund të ngatërrohet me intolerancë ndaj laktozës e cila është krejtësisht tjetër situatë, por të dyja mund të rezultojnë në dhimbje barku dhe diarre.
Kujdes! Alergjia ndaj qumështit do të thotë se personi nuk e toleron këtë ushqim as në sasi minimale dhe në asnjë lloj forme, ndryshe nga intoleranca ndaj laktozës e cila mund të mos shkaktojë pasoja kur qumështi është i gatuar dhe i kombinuar me produkte të tjera si p.sh. një pastiço apo i përpunuar si p.sh. djathi.
Alergjia ndaj vezës
Edhe vezët, ashtu sikurse qumështi, përdoren gjerësisht në recetat e gatimeve të ndryshme, veçanërisht në përgatitjen e produkteve të gatshme. Personat me alergji ndaj vezës duhet të evitojnë vezët e çdo lloj shpendi. Duke qenë se disa vaksina si ajo e gripit, e tërbimit dhe e temperaturës së verdhë, përgatiten duke përdorur embrion vezësh, personat me alergji ndaj vezës duhet t’i evitojnë.
Alergjia ndaj kikirikëve
Disa persona me këtë alergji mund të kenë pasoja tepër të rrezikshme, duke përfshirë këtu edhe anafilaksinë, si pasojë e ekspozimit edhe ndaj një sasie minimale kikirikësh. Edhe pse, alergjia ndaj kikirikëve nuk është e thënë të shoqërohet nga alergji ndaj frutave të tjerë të thatë, pacientët bëjnë mirë të evitojnë edhe këto të fundit për shkak të kontaminimit gjatë përgatitjes dhe paketimit të tyre.
Alergjitë mund të kalojnë me kohën
Duke qenë se alergjitë i detyrojnë njerëzit të ndjekin programe tepër strikte ushqimore dhe mjaft të lodhshme në afat të gjatë kohor, këshillohet një rivlerësim i herëpashershëm i tyre, pasi shumë lloje alergjish mund të zhduken me kohën. Pjesa më e madhe e fëmijëve, shfaqin alergji ndaj vezës, qumështit, grurit dhe sojës për 5 vitet e parë të jetës. Ndërsa alergjitë ndaj kikirikëve dhe frutave të thatë si dhe frutave të detit zgjasin më tepër.
Ushqimet që duhet të evitoni kur jeni alergjik
Alergjik nga qumështi: margarinë, salçiçe, prodhime pastiçerie, pije dhe pluhura proteinik, çokollata, ngjyrosës ose aromatizues karameli, zbardhues kafeje, salca sallatash, mish të prerë dhe përgatitur në të njëjtin vend ku përgatiten edhe djathëra.
Alergjik nga veza: shumë prodhime pastiçerie, noodles-a, makarona, majoneze, salca çezar, Hollandez, kroketa, karamele, akullore, beshamel, pudinga, sallame, salçiçe, pije me kakao, salca sallatash.
Alergjik nga kikirikëve: Biskota, kek, prodhime brumi, çokollata, karamele, biskota proteinike ose energjike, granola, drithëra mëngjesi, erëza indiane, salca, sallatash. Prej ardhjes në kontakt me ushqime që përgatiten në të njëjtin vend me kikirikët mund të kontaminohen ushqime si: akulloret, gjalpi nga frutat e thatë, dhe farat e lulediellit.
(Blerina Bombaj)
8 zgjedhjet më të mira për një mëngjes të shëndetshëm
Majlti i maresë, si prodhohet dhe cilat janë vetitë kurative
Ushqimi i shëndetshëm ndërton tru te shëndetshëm