Koronavirus dhe fëmijët, përgjigjet e pyetjeve më të shpeshta
Cilat janë simptomat e koronavirus te fëmijët? A është e nevojshme të ndërpresësh procesin e vaksinimit te fëmijëve ose ta shtysh atë për më vonë? A mundet një nënë e prekur nga sëmundja COVID-19 te vazhdojë procesin e gji-dhënies? Këto dhe shumë pyetje të tjera marrin përgjigje në këtë artikull.
Koronaviruset (CoV) bëjnë pjesë në një familje të madhe virusesh që mund të shkaktojnë sëmundje të ndryshme si te njerëzit dhe te kafshët. Te njerëzit mund të shkaktojë ftohje të lehtë, ndonjëherë dhe me simptoma të ngjashme me gripin e zakonshëm por mund të kalojë dhe në sëmundje më të rënda si Sindromi Respirator i Lindjes së Mesme(Mers-CoV) si dhe Sindromi i Rëndë Respirator Akut (SARS-CoV). SARS-CoV2 është një lloj i ri koronavirusi shkaktar i sëmundjes COVID-19. Duke qenë se ky virus u përhap në mjaft vende si dhe shkaktoi një numër të madh te prekurish dhe viktimash OBSH ne muajin Mars shpalli gjendjen e pandemisë.
Individët e prekur mund te jene asimptomatik ose simptomatik Disa nga simptomat kryesore të raportuara janë: ethe, dhimbje muskulare, temperaturë, kollë, sekrecione në rrugët respiratore, dobësi fizike si dhe çrregullime në traktin gastro intestinal (diarre vjella). Një fjalë kyçe ka qarkulluar kudo në media sociale për shkak të rëndësisë që ajo mbart “distancim fizik ”.
Pra, transmetimi i SARS-COV-2 përhapet nga personi ne person përmes kontaktit te afërt. Këshillohet një distance prej te paktën 1,5-2 metra. Përhapja nga personi në person mendohet të ndodhë përmes spërklave të frymëmarrjes kur një person i infektuar teshtin ose kollitet. Një masë tjetër e rëndësishme parandaluese është larja e duarve për të paktën 30sekonda me ujë të bollshëm dhe sapun.
A mund fëmijët të preken nga ky virus?
Po, dhe fëmijët njësoj si të rriturit mund të preken nga ky virus. Ndaj këshillohet distancim social (duke ja shpjeguar fëmijëve me arsyet përkatëse dhe në një mënyrë të kuptueshme nga ata) dhe respektim i të gjithë rregullave të njoftuara.
Cilat janë simptomat e koronavirus te fëmijët?
Deri tani të dhënat për simptomat e sëmundjes COVID-19 te fëmijët janë të pakta. Kryesisht është raportuar temperaturë, kollë si dhe një ndjesi e theksuar lodhje fizike dhe në shume pak raste diarre dhe të vjella.
A është e nevojshme të ndërpresësh procesin e vaksinimit te fëmijëve ose ta shtysh atë për më vonë?
JO dhe JO. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka theksuar faktin se nuk ka asnjë arsye përse të mos realizohet ose të shtyhet procesi i vaksinimit. Duke ndjekur të gjitha protokollet e kujdesit nga ana e institucioneve si dhe rregullat nga ana e prindërve ky proces mund të realizohet ne kohë.
A mundet një nënë e prekur nga sëmundja COVID-19 te vazhdojë procesin e gji-dhënies?
PO, mundet. Informacioni dhe studimet janë të kufizuara në lidhje me këtë temë por gjithsesi këshillohet që gji-dhënia të vazhdoje por duke ndjekur të gjithë hapat e përkujdesjes. Larja e duarve duhet të realizohet për të paktën 30sekonda me ujë të bollshëm dhe me sapun. Këshillohet të vendoset një maskë gjatë gjithë kohës së gji-dhënies. Facoleta duhet te jetë gjithnjë pranë në rast se teshtin ose kollitet. Pjesë e rutinës duhet të jetë pastrimi dhe dezinfektimi i sipërfaqes.
Duhet folur me fëmijët për situatën aktuale të koronavirusit SARS-COV2?
PO. Prindërit duhet të flasin me fëmijët e tyre. Me anë të një gjuhe të thjeshtë dhe të kuptueshme për moshën e tyre, fëmijët duhet të informohen për situatën aktuale. Gjithashtu duhet të njihen me rregullat bazë të higjienës dhe të gjitha këshillat përsa i përket distancimit.
Aktualisht ka një medikamet ose vaksinë gati për parandalimin apo trajtimin e COVID-19?
Ende jo. Pavarësisht studimeve të shumta ende nuk ka një medikament apo vaksinë gati si për parandalim apo dhe për trajtimin e COVID-19. Përmes provave klinike po ndiqen disa linja studimi por ende nuk është arritur në një përfundim. Ajo çka këshillohet është mbajtja e një higjiene të përshtatshme, distancimi fizik etj.
Një pyetje shumë e përsëritur është gjithashtu: Fëmijës po t’i përdor antibiotik, a është i mbrojtur ai nga COVID-19?
JO. E kemi thënë dhe më parë dhe vazhdojmë ta përsërisim; antibiotikët veprojnë vetëm në rast të infeksioneve bakteriale. Sëmundja Covid-19 shkaktohet nga një virus dhe ndaj antibiotikët nuk kanë veprim. Nëpër media kanë qarkulluar informacione për përdorimin e një antibiotiku specifik azitromicine i cili ka rezultuar në efekte pozitive në individët që kanë ndjekur këtë trajtim. Për t’u theksuar është fakti se pacientët të cilët janë të hospitalizuar dhe krahas virusit COVID-19 kanë dhe një sëmundje shoqëruese bakteriale atëherë është ndjekur skema e marrjes së një antibiotiku. Pra vetëm nën këshillën dhe vëzhgimin e mjekut. Ajo që është vënë re gjatë punës në periudhën e pandemisë ishte pikërisht dyndja e njerëzve në farmaci në kërkim të azitromicinës si formë farmaceutike tabletë për të rritur dhe shurup për fëmijë pikërisht për shkak të informacioneve që dukej se po shpërndaheshin masivisht në media. Duhet theksuar antibiotiku Azitromicine ashtu sikundër çdo antibiotik tjetër duhet të merret vetëm nën përshkrimin e mjekut në farmaci.
Artikull nga Jona Sali, farmaciste
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Fëmijët e ekspozuar ndaj tymit të duhanit, të rrezikuar për infeksione të frymëmarrjes
Rritet interesi i nxënësve për shërbimin dentar falas, Dr.Irida Xhangolli: Gama e shërbimeve është zgjeruar
Elmira Rama: Të ushqyerit dhe ndikimi i tij në performancën e shëndetin e nxënësve, përse dieta mesdhetare?