Ushtrime

Këshilla praktike për të shmangur ngrirjen e qafës

Tabletët, kompjuterët dhe telefonat mund të shkaktojnë dhimbje therëse në qafë. Koka peshon shumë edhe kur e mbajmë drejt, por kur zgjatim dhe shikojmë nga këto pajisje digjitale, muskujve të qafës u duhet të mbajnë një peshë tri herë....

Tabletët, kompjuterat dhe telefonat mund të shkaktojnë dhimbje therëse në qafë. Koka peshon shumë edhe kur e mbajmë drejt, por kur zgjatim dhe shikojmë nga këto pajisje digjitale, muskujve të qafës u duhet të mbajnë një peshë tri herë më të madhe sesa pesha e zakonshme e kokës, gjë që shkakton tendosje, dhimbje dhe mpirje. Për të shmangur ngrirjen e qafës, ndiqni këto këshilla:


1. Mundohuni ta vendosni pajisjen përpara syve, që të shmangni përkuljen e kokës.


2. Nëse ndodheni në tavolinë, mbështeteni pajisjen diku, që ajo të qëndrojë lart, në vend që ta lini shtrirë, dhe kudo që të jeni, bëni pushime të shkurtra duke ngritur kokën, me qëllim që të çlodhni muskujt e qafës.


3. Bëni ushtrime të thjeshta, si: ktheni kokën sa majtas djathtas, sikur shikoni përtej supeve, apo përkuleni anash, sepse këto lëvizje të natyrshme çlodhin muskujt.


Për një trup të drejtë, bëni ushtrimin e mëposhtëm. Për këtë ju nevojiten vetëm dyshemeja dhe një mur. Bëjeni këtë ushtrim disa herë në ditë, sa herë që t’ju jepet mundësia, sepse kështu do të keni një qëndrim të drejtë të trupit.


Qëndroni në këmbë me thembrat mbështetur pas murit, me këmbët e hapura sa gjerësia e shpatullave, ndërsa gjunjët mbajini drejt, pa i tendosur.


Mundohuni ta shpërndani peshën trupore në mënyrë të barabartë në të dyja shputat, me qëllim që pesha e legenit të jetë njësoj në të dyja anët.


Ngjishni vithet pas murit dhe lëvizni legenin.


Shtriqini të dyja shpatullat dhe mbështetini plotësisht pas murit.


Në fund, mbështetni pjesën e pasme të kokës pas murit, që mjekra të jetë paralel me dyshemenë dhe shpatullat drejtë. 

2,433 Lexime
7 vjet më parë