Rikthimi në shkollë

Këshilla për rikthimin në shkollë të fëmijëve me AK

Për prindërit të cilët kanë fëmijë me nevoja ndryshe, kjo periudhë rikthimi në shkollë është një sfidë më vete. Ndaj këshillat e mëposhtme nga psikologia Elida Kërçyku mund t’ju vijnë në ndihmë përpara se shkolla të rifillojë.

Rikthimi në shkollë! 

Përballja me rikthimin në shkollë për fëmijët ose nxënësit është shpesh stresuese. Për prindërit të cilët kanë fëmijë me nevoja ndryshe, kjo periudhë rikthimi në shkollë është një sfidë më vete. Kjo sepse pas një periudhe pushimi të gjatë, rikthimi dhe përballja me regjime të ndryshme orari, regjime të ndryshme ushqimi, dhe sidomos rikthimi në klasë, përballja me librat me përgjegjësitë e të mësuarit, shokë të rinj, ambiente të reja, mësues të rinj, shkakton  jo rrallëherë konfuzion dhe ndjenja pështjelluese te këta fëmijë.  


Një ndër problemet parësore kur përmendim rikthimin në shkollë apo fillimin e shkollës është “zgjimi në mëngjes”. Kjo për shumë prindër përbën një sfidë të vërtetë. Fëmijët e kanë të vështirë të zgjohen, kanë tekat e mëngjesit, kanë vështirësi për t’u veshur apo për të ngrënë mëngjesin, pastaj ndodh vonesa në shkollë.  Për shkak se prindi duhet ta shoqërojë për në shkollë shpesh vonohet edhe në punë dhe kjo bëhet shkas për problemet në punë në lidhje me orarin dhe probleme të tjera të kësaj natyre. 


Këto vështirësi adaptimi mund të zgjidhen lehtësisht duke ndjekur disa rregulla praktike, por mjaft efikase si për fëmijën, ashtu edhe për vetë prindin.



Përpara se shkolla të fillojë!

“Suksesi i fëmijës suaj në shkollë,  fillon në shtëpi, me ju!” 


Përgatitja për shkollë është një miks ndjenjash, entuziazmi dhe ankthi. Prindërit duhet të mendojnë për veshjet e fëmijëve, pajisjen me libra dhe materiale shkollore, përgatitjen e tyre të përgjithshme për vitin e ri shkollor. Caktimi i rutinave ditore për fëmijën shpesh është një garanci suksesi për ta. Ndaj është me rëndësi që fëmijës tuaj t’i caktoni një set rutinash ditore, të cilat e ndihmojnë fëmijën tuaj të jetë më i disiplinuar dhe i rregullt në përgatitjen për shkollë.


1. Koha e zgjimit dhe koha e gjumit

Caktoni kohën e gjumit dhe kohën e zgjimit që do të nevojitet para se shkolla të fillojë. Nëse orari veror i fëmijës suaj ka qenë shumë më i ndryshëm nga rutina e vitit shkollor (rreth tre orë ose më shumë), atëherë do të keni nevojë më shumë kohë për të ndihmuar fëmijën tuaj të adaptohet.

Kujdesuni që të ruani një kohë të qëndrueshme të gjumit dhe zgjimit, madje edhe në fundjavë. 

Nëse hasni vështirësi në vënien në gjumë në orën që ju dëshironi, dërgojeni fëmijën në shtrat 30 minuta para orarit të tij/saj të rënies në gjumë, dhe pastaj, gradualisht rregullojeni atë duke e afruar sa më afër kohës së duhur të rënies në gjumë.


2. Rutina e mëngjesit 

Nëse fëmija juaj ka vështirësi organizimi ose vëmendjeje, mëngjesi është veçanërisht i vështirë. Së pari duhet studioni dhe të identifikoni se ku është vështirësia e fëmijës suaj. Pastaj mendoni për veprimtari që nxisin dhe motivojnë fëmijën tuaj gjatë rutinës së mëngjesit, duke kufizuar kërkesat pak e nga pak, në mënyrë që fëmija të kuptojë që janë të vështira për t'u zbatuar në një orar të tillë, jepni kohë të mjaftueshme për t'u përgatitur, qëndroni gjak ftohtë dhe pozitivë ndaj fëmijës tuaj!


3. Rutina e detyrave të shtëpisë

Fëmija nuk ka shumë detyra shtëpie në fillim të vitit shkollor, por është shumë e rëndësishme të krijohet një rutinë e detyrave të shtëpisë që përshtatet me orarin e familjes suaj. Çdo fëmijë ka specifikën e tij, nuk ka receta të gatshme sesi mund të realizohet një detyrë e tillë.

Në përgjithësi, fëmijët janë më të suksesshëm me përfundimin e detyrave të shtëpisë menjëherë pas shkollës. Fëmija me shumë gjasa do bëjë rezistencë, mungesë motivimi ose probleme në sjellje, por mos u dorëzoni, zbatoni bashkë me fëmijën deri në fund orarin e detyrave.

Përcaktoni se çfarë ore do të fillojnë detyrat e shtëpisë, largoni shpërqëndruesit dhe siguroni një zonë të qetë të punës me fëmijën tuaj, me qasje në materialet e nevojshme të studimit. Filloni me detyra shtëpie nga përsëritjet e lëndëve.

Mos harroni, i rëndësishëm nuk është “realizimi i detyrave të shtëpisë”, por të mësuarit me rutina të caktuara, përqendrim dhe përgjegjësi për veprime të caktuara që duhet t’ia mësojmë çdo fëmijë nëse synojmë ta nxisim drejt pavarësisë dhe kujdesit për veten.

Trajtojini detyrat e shtëpisë të ngjashme me një ngjarje sportive duke brohoritur dhe inkurajuar fëmijën tuaj për arritjet dhe duke ofruar mbështetje dhe inkurajim kur lindin vështirësi gjatë procesit.



Bibliografia:

1. Back to school: Why everyone deserves a  Second chance at education, By Mike Rose

2. UNICEF, Back-to-School Guide 


Nga Elida Kërçyku, 

Psikologe klinike dhe zhvillim marrëdhëniesh



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,132 Lexime
3 vjet më parë