Këshilla për një prindërim cilësor e të shëndetshëm
Msc.Orgesa Qosja, në cilësinë e psikologes, përmes këtij materiali dëshiron të përcjellë disa këshilla për një prindërim të shëndetshëm! Ju ftojmë të lexoni artikullin e mëposhtëm.
Shpesh herë kam dëgjuar që kur isha fëmijë shprehjen popullore “Është më e lehtë të ndërtosh një xhami sesa të rritësh një fëmijë” dhe dinamikën e saj e kuptova kur mora personalisht statusin e prindit, një mision, detyrë dhe përgjegjësi sa e bukur dhe e vështirë në jetë!
Prindërimi është një shqetësim i vazhdueshëm për të gjithë shoqërinë tonë të sotme, për specialistët dhe ekspertët e edukimit, veçanërisht për të gjithë prindërit e rinj, por gjithashtu për gjyshërit dhe të rriturit e tjerë që kanë përvoja më të hershme të prindërimit. Me sa duket, nuk mjafton vetëm dashuria për ta rritur një fëmijë. Duket që bashkë me fëmijën të rritet dhe edukohet edhe prindi i tij.
Marrëdhënia prind-fëmijë është një marrëdhënie shumë thelbësore në zhvillimin dhe jetën e fëmijës ndaj prindi duhet ta njohë shumë mirë krijesën e tij, fëmijën e kjo realizohet duke kaluar kohë cilësore me fëmijën, duke respektuar, kuptuar mendimet dhe ndjenjat e fëmijës, duke dhënë shembullin pozitiv të të funksionuarit si një njeri me vlera e parime. Çdo prind mbetet gjithnjë modeli përmes së cilit fëmija njeh botën, model i cili transmetohet brez pas brezi përmes pavetëdijes kolektive.
Prindërimi cilësor dhe i shëndetshëm për fëmijën konsiston në të pasurit dhe funksionuarit të një stili prindërimi mes dy bashkëshortëve duke iu përshtatur dhe mbështetur rritjes së shëndetshme dhe plotësimit të nevojave të fëmijës, duke ndërtuar marrëdhënien prind-fëmijë bazuar mbi respektin reciprok dhe përdorur disiplinën pozitive për edukimin e fëmijës.
Fëmijët kanë shumë nevoja, por disa prej tyre konsiderohen si nevoja bazë, pa të cilat nuk do mund të kemi një fëmijë të shëndetshëm.
Detyra jonë primare, si prind, është plotësimi i këtyre nevojave:
- Nevojat fizike: prindërit duhet të sigurojnë fëmijës ushqim të shëndetshëm, një vend të pastër, të qetë dhe të sigurt, dhe të jetë i mbrojtur nga rreziqet dhe dëmtimet.
- Nevojat emocionale: prindërit duhet të sigurojnë fëmijës një fëmijëri të lumtur, ku çdo fëmijë të ndjejë kujdesin, sigurinë, dashurinë, përkushtim, kurajën dhe shpresën.
- Nevojat sociale: prindërit duhet të krijojnë një mjedis të ngrohtë, të nxisin dhe stimulojnë fëmijët të ndërveprojë e të komunikojë, të luajë, me ju dhe me bashkëmoshatarë dhe me të tjerët.
Në cilësinë e psikologes përmes këtij materiali për prindërit doja të përcillja disa këshilla për një prindërim të shëndetshëm!
- Gjeni mënyra për të harxhuar më shumë kohë në aktivitete argëtuese dhe relaksuese me fëmijën tuaj. Komunikoni me ta. Kushtojini kohë dhe dëgjojeni. Një fëmijë që ndihet i dëgjuar dhe i kuptuar do të jetë më pak i prirur për të shfaqur sjellje të vështira.
- Përcaktoni rregulla familjare dhe pritshmëri të qarta dhe të arsyeshme. Bashkëpunoni me fëmijët për të ndërtuar rregullat e shtëpisë dhe të familjes. Pavarësisht nivelit të moshës dhe zhvillimit që karakterizon çdo moshë fëmijët mund të jenë bashkëpunëtor të mirë.
- Përfshijini fëmijët në punët e shtëpisë duke krijuar hapësira që dhe ata të marrin pjesë dhe të kryejnë aktivitetet familjare.
- Shmangni shpërthimet e inatit dhe dëgjojini fëmijët nëse duan t’ju thonë diçka. Jepni këshilla të shpejta qetësuese kur ai është shumë i acaruar: Mësojini fëmijët të marrin frymë thellë (nëpërmjet hundës, nëpërmjet gojës) kur fillojnë të ndihen të acaruar dhe të nervozuar. Bëni dhe ju të njëjtën gjë.
- Shpenzoni kohë së bashku.
- Bëhuni mbështetës dhe për të zgjidhur problemet, duke u bazuar ne disiplina pozitive.
- Bëhuni modele pozitive.
- Ofrojini atyre siguri dhe bëhuni dëgjues aktiv, duke dëgjuar gjithçka çfarë thonë.
- Trajtojeni fëmijën me ëmbëlsi dhe dashuri.
- Argëtohuni së bashku.
- Fëmija do të duhet të ndjehet i rëndësishëm dhe i rrethuar me dashuri. Kjo nënkupton, që ju duhet të jeni të kujdesshëm ndaj mendimeve të tij, dëshirave, të merren parasysh idetë e shprehura, dhe të mos injorohen ose pengohen iniciativat personale.
Ndaj prindër, fëmijët kanë nevojë për ne, ndaj duhet t’u kushtojmë kohë cilësore, t’i mbështesim, t’i kuptojmë, t’i nxisim, t’u pranojmë gabimet që vijnë si pasojë e papjekurisë në të menduar dhe vepruar dhe të punojmë në ndërgjegjësimin për të vepruar konform normave sociale.
“Mësoni t’i lëvdoni veprat e tyre të mira, kështu fëmijët do të mësojnë t’ju japin vlerë gjerave”. Maria Montesori.
Punoi: Msc.Orgesa Qosja
Psikologe në shkollën "Sulë Harri”
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!
Bullizmi në shkolla, si mund ta parandalojmë?