Opinion

(Keq)përdorimi i telefonave dhe pajisjeve të tjera "smart" nga fëmijët dhe adoleshentët

Çfarë mund të presim nga gjeneratat që do të vijnë në kushtet kur fëmijët, edhe parashkollorët madje, u ekspozohen programeve dhe aplikacioneve agresive interaktive virtuale, kurse ne bëhemi sikurse çdo gjë është në rregull?!

(Keq)përdorimi i telefonave dhe pajisjeve të tjera "smart" nga fëmijët dhe adoleshentët



Kohëve të fundit fenomeni i përdorimit të pajisjeve të mençura të konektuara me rrjetin global të internetit është në rritje marramendëse. Situata duket edhe më dramatike për faktin se fëmijëve u është mundësuar që në pajisjet e tyre të instalojnë programe dhe aplikacione të ndryshme, shumë prej të cilave me alternativa të lojërave interaktive agresive, kryesisht me protagonistë operacionesh luftarake dhe përdorimin e të gjithë arsenalit të armatimit.


Edhe pse virtuale, këto programe dhe aplikacione jo vetëm që ua marrin kohën e çmuar fëmijëve, por edhe ndikojnë shumë negativisht në formimin dhe zhvillimin psiko-social të tyre. Në shumicën e rasteve këta fëmijë përdorues mund të përfundojnë delikuentë, fillimisht të mitur e pastaj edhe të rritur, si njëra ndër shkaqet e kriminalitetit dhe formave të huliganizmit jo vetëm në familje, por edhe nëpër shkolla dhe vende publike. 


Fatkeqësisht statistikat tregojnë se numri i personave me sjellje rasti apo të personalizuara deviante është në rritje. Rastet e dhunës nëpër shkolla po ashtu janë shqetësuese sikurse edhe dëmtimet e inventarit shkollor. Grupmoshat më të ekspozuara mbeten ato të moshave 12-17 vjeç. Në kushte dhe rrethana të tilla të gjithë agjensit socialë dhe hallkat shoqërore duhet ngritur shkallën e vetëdijesimit dhe përgjegjësive.


Veçanërisht familja si agjens primar socializues, e në veçanti prindërit, t’u kushtojnë më shumë kohë dhe vëmendje fëmijëve të tyre duke bashkëbiseduar me ta dhe duke iu folur për jetën, sfidat, realitetin e jo vetëm duke ua plotësuar kërkesat fëmijëve pa asnjë kusht dhe kërkim përgjegjësie.


Fëmijët duhet të kuptojnë se nuk ka të drejta dhe liri të cilat shkojnë përtej obligimeve dhe përgjegjësive të tyre. 


Edhe shkolla si hallkë dhe agjens socializues ka rolin e pazëvendësueshëm. Prandaj bashkëpunimi prindër-kujdestar klase, përkatësisht familje-shkollë, është i domosdoshëm dhe i pazavendësueshëm. Fatkeqësisht me normativë në fuqi institucioni i "orës së kujdestarisë" nëpër shkolla, çuditërisht jo vetëm që nuk paguhet, por është suprimuar si orë e rregullt në orarin mësimor. Ky fakt ka bërë që puna me nxënës nga ana e kujdestarëve të klasës të shndërrohet në një rutinë pa përmbajtje dhe formalitet, përkundër të së kaluarës kur ora e kujdestarisë ishte orë e rregullt dhe e planifikuar me program unik sipas niveleve të klasëve. 


Shtrohet pyetja: Çfarë mund të presim nga gjeneratat që do të vijnë në kushtet kur fëmijët, edhe parashkollorët madje, u ekspozohen programeve dhe aplikacioneve agresive interaktive virtuale, kurse ne bëhemi sikurse çdo gjë është në rregull?!



Nga: Imer Tifeku, MA. sc. Sociologji


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,151 Lexime
2 vjet më parë