Kalendari i ushqyerjes për të qenë të shëndetshëm gjatë gjithë vitit
Në janar, energjinë do ta rigjeni me poentën. Në prill, fryrjen nga dimri do ta eliminoni falë shpargut. Në korrik, specat do t'ju ndihmojnë që të mbroni lëkurën nga dielli, etj. Dietologët këshillojnë 24 ushqime, dy kryesorë për çdo muaj, për një vit me mirëqenie dhe shëndet të plotë...
Me fillimin e një viti tjetër ne e kemi traditë që të ndryshojmë kalendarin e matjes së kohës e t’a vendosim atë në ambientet tona të shtëpisë apo në punë. Por ky kalendar që do t’ju propozojmë është një kalendar të cilin mund ta vendosni në këndin tuaj të gatimit, ose te frigoriferi.
Kalendari vjetor i ushqyerjes do t’ju mundësojnë të njiheni me dy nga ushqimet më kryesore të çdo muaji, të cilat duhet t’i bëni pjesë të recetave tuaja nëse dëshironi të keni shëndet të mirë, këshilluar kjo nga dietologë të huaj.
Më poshtë njihuni një për një me ushqimet e përshtatshme për çdo muaj të vitit.
JANAR
Lakër dhe Polent
Lakra
Lakra, brokoli dhe lulelakra nxisin sistemin imunitar, pasi përmbajnë karotenoide, vitaminë C dhe folate, substanca që ndihmojnë në prodhimin e antitrupave dhe të rruazave të bardha të gjakut. Konsumojini të papërpunuara me vaj ulliri dhe limon, ose të përgatitura me avull.
Polent (miell misri i zier me pak gjalpë dhe ujë)
Nëse gjatë dimrit, letargjia ju "pushton" edhe dëshirën seksuale, atëherë në tryezë vendosni polentën, një recetë e përgatitur me miell misri me pak gjalpë, ujë dhe kripë. Misri ndihmon në uljen e nivelit të serotoninës, neurotransmetuesin armik të epshit!
SHKURT
Elb dhe Çikore e kuqe
Elbi
Makaronat zëvendësojini me elbin nëse keni ndonjë kilogramë të tepërt. Fibrat e tij, të cilat treten lehtësisht, ju bëjnë të ndiheni të ngopur. Përveç kësaj, ai ka një indeks të ulët glicemik, që do t'ju ndihmojë të mbani peshën tuaj nën kontroll.
Çikorja e kuqe
Ajo ka vetëm 13 kalori për një kilogram, ndërsa ju pastron nga skorjet apo papastërtitë, falë substancave të hidhura që ajo përmban, të cilat nxisin aktivitetin e mëlçisë.
MARS
Marule dhe Merluc
Marule (lloj lakre)
Nëse shenjat e pranverës ju shqetësojnë, atëherë konsumoni gjithmonë pak nga ky ushqim vegjetal në darkë. Marulet përmbajnë një lloj qumështi që ju ndihmon të bëni një gjumë të qetë.
Merluci
Ka vetëm 71 kalori për kilogram dhe është një aleat besnik i luftës kundër kilogramëve të tepërt. Sipas një studimi islandez, ata që ndjekin një dietë duke ngrënë çdo javë pesë porcione nga ky lloj peshku (150 gramë secili), e arrijnë më shpejt objektivin e tyre.
PRILL
Vezë dhe Shparg
Veza
Konsumoni dy në mëngjes për t'u ndier energjik dhe jo të uritur deri në momentin që të shijoni drekën. Për më tepër, falë kolinës, substancës esenciale për funksionalitetit cerebral, vezët ju ndihmojnë që të kaloni lehtësisht përgjumjen dhe lodhjen e lidhur me ndryshimin e sezonit parapranveror.
Shpargu
Zakonisht që nga prilli mungojnë edhe tre muaj nga prova e kostumit të banjes: ndaj në këtë muaj, është momenti i duhur për të filluar "luftën" ndaj celulitit. Hani pothuajse çdo ditë shparg të përgatitur në avull dhe asnjëherë shumë të gatuar. Ai është një aleat i vlefshëm kundër mbajtjes së ujit, sepse përmbajnë një sasi të mirë kaliumi, një kripë minerale diuretike.
MAJ
Oriz integral dhe Qershi
Oriz integral
Ju dhuron lehtësi, sepse tretet për një orë e gjysmë. Zgjidheni më mirë atë bio, sepse lëvorja e jashtme e kokrrave të orizit organik, akumulon substancat kimike.
Qershitë
Ato janë mikesha të elegancës dhe të linjave të duhura. Qershitë kanë shumë pak kalori dhe përmbajnë levulos, një lloj sheqeri që indukton një rritje të vogël të glukozës në gjak, në krahasim me frutat e tjera. Ndërkohë, falë fibrave të tyre shumë të tretshme, qershitë do t'ju shijojnë pa masë, duke mos jua rënduar aspak stomakun.
QERSHOR
Proshutë krudo dhe Selino
Proshuta krudo
Ka 18,5% të lipideve që zbresin në 3.8%, në qoftë se nuk i shtohet yndyrë e jashtme. Pra, proshuta krudo është e ushqyeshme dhe e lehtë. Për të balancuar përmbajtjen e lartë të natriumit që shkakton mbajtjen e ujit, hajeni atë me pjepër që është i pasur me kalium, një diuretik mineral.
Selino
Ja një vegjetal që ka shumë të mira: ju ndihmon që të pastroni deri në fund dhëmbët dhe gojën jua mban gjithmonë të freskët dhe pa aromë të keqe. Ai është gjithashtu një tretës shumë i mirë, diuretik dhe ka pak kalori. Shtojeni në ndonjë sallatë, ose përziejeni me ndonjë lloj djathi të lehtë për ta shijuar në ndonjë minivakt.
KORRIK
Speca dhe Makarona
Specat
Specat reduktojnë radikalet e lira të shkaktuara nga ekspozimi në diell. Dhe këtë gjë e bëjnë më mirë se sa karrotat, sepse përveç betakarrotenit, përmbajnë vitaminë C që stimulon rigjenerimin e lëkurës. Do të bëni më mirë nëse i zgjidhni jeshilë, sepse ato përmbajnë edhe vitaminë K, e cila mbron kapilarët e gjakut.
Makaronat
Në këtë periudhë mund t'i hani edhe të ftohta (gjithmonë aldente). Në një mënyrë të tillë, ju do të ulni indeksin glicemik dhe një pjatë me makarona nuk do të bëhet kurrë një rrezik për linjat tuaja.
GUSHT
Peshk blu dhe Domate
Peshk blu
Harengat, sardelet, skumbri dhe peshku ton janë burime të privilegjuara me Omega 3, acide yndyrore shumë thelbësore për ruajtjen e sistemit efikas kardiovaskular.
Domate
Janë të pasura me likopen, substancë që funksionon si antioksidant për të gjithë organizmin. Përdorini ato për të përgatitur salca, ose hajini të pjekura me pak vaj ulliri, sepse në këtë mënyrë organizmi do ta absorbojë më mirë likopen-in.
SHTATOR
Fik deti dhe Kërpudha
Fik deti
Një studim i kryer në Meksikë ka treguar se fibrat e tyre të tretshme mbajnë nën kontroll urinë dhe luftojnë kapsllëkun. Janë të dobishëm për këdo që ndjek një dietë.
Kërpudhat
Ato kanë vetëm 20 kalori për një kilogram dhe u japin pjatave një shije mjaft të mirë. Polisakaridet e tyre stimulojnë sistemin imunitar. Eksperimentoni edhe me versionet japoneze që mund t'i gjeni në dyqanet me ushqime natyrale.
TETOR
Rrush dhe Arra
Rrush
Për shekuj me radhë, rrushi është përdorur për ampeloterapinë, një trajtim që e përdor këtë frutë për ta bërë lëkurën më të ndritshme dhe muskujt më të tendosur dhe pa fryrje. Është meritë e shumë acideve që përmban fryti i rrushit për të luftuar mbajtjen e ujit.
Arrat
Në Kaliforni, studiuesit e universitetit "Loma Linda" kanë zbuluar që katër ose pesë kokrra arra në ditë ulin kolesterolin e keq, duke mbrojtur zemrën dhe arteriet. Konsumojini si një meze vjeshte, ndoshta të shoqëruara me 2-3 kumbulla të thata.
NËNTOR
Kungull dhe Gështenja
Kungull
Përmban shumë pak kalori (vetëm 18 për kilogramë) dhe shumë betakarroten që lufton plakjen qelizore. Nëse e hani shpesh, lëkurës tuaj do t'ju dhurojë një lëkurë me ngjyrë disi të bronztë edhe gjatë sezonit të dimrit, kur nuk merrni rreze dielli.
Gështenjat
Gështenjat e pjekura sigurojnë rreth 190 kalori për kilogramë: një ngrënie e përsosur pas palestrës. Ato janë të pasura me niseshte dhe minerale, si zink dhe selen. Ato nuk këshillohen vetëm për ata që vuajnë nga koliti, sepse shkaktojnë ënjtje.
DHJETOR
Thjerrëza dhe Spinaq
Thjerrëza
Thjerrëzat janë një burim shumë i pasur me proteina vegjetale. Në darkat dimërore përgatisni një pjatë unike të kombinuar me kokrra të tilla ose edhe elb. Mos u shtoni shumë yndyra, sepse ato i bëjnë më pak të tretshme.
Spinaqi
Nëse dëshironi t'i mbroni sytë, konsumoni rregullisht spinaq. Është nga të paktët vegjetalë të pasur me lutein. Kjo substancë kundërvepron në degjenerimin e retinës, një sëmundje që lidhet shpesh me plakjen.
N.Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
8 zgjedhjet më të mira për një mëngjes të shëndetshëm
Majlti i maresë, si prodhohet dhe cilat janë vetitë kurative
Ushqimi i shëndetshëm ndërton tru te shëndetshëm