Çfarë është disleksia?

Ja përse fëmija juaj ngatërron, p-në me q-në

Ndodh rëndom që fëmijët e moshës parashkollore e të klasave fillore të ngatërrojnë numrin 6 me 9 ose shkronjat p me q, d me b etj. Kjo është e kuptueshme ngaqë grafikisht forma e këtyre dysheve është e ngjashme, ndryshon vetëm pozicioni.

(Provoni ta vini fletën e shkruar me një nga këto shkronja pingul me sipërfaqen e një pasqyre.) Kjo dukuri duket normale, dhe në fillim u ndodh pjesës më të madhe të fëmijëve, ngaqë e kanë për herë të parë shkrimin, ende nuk e kanë fiksuar ose nuk dallojnë saktë të majtën nga e djathta. Por shkak i këtij ngatërrimi (të shkronjave dhe numrave) mund të jetë disleksia, vështirësia në interpretimin e simboleve grafike.


Çfarë është disleksia?

Truri i njeriut ka dy hemisfera, njëra prej të cilave është më e zhvilluar. Shumica e njerëzve kanë të zhvilluar hemisferën e majtë, ku ndodhen zonat e të lexuarit, të të shkruarit, e të të folurit; në të cilat përftohet vëmendja, llogaritja, leximi etj. Për këta njerëz, përvetësimi i njohurive të leximit dhe shkrimit ndodh pa probleme.

Por ka edhe një pakicë njerëzish që kanë të zhvilluar hemisferën e djathtë e trurit, ku ndodhen qendrat e imagjinatës e të krijimit. Njerëzit disleksikë vëzhgojnë dhe mendojnë ndryshe, i perceptojnë gjërat në detaje të imtësishme, por e kanë shumë të vështirë të përqendrohen vetëm në një detaj. Ky nuk është një problem që ka të bëjë me shikimin. 

Ata e kanë të zhvilluar aftësinë tredimensionale të orientimit hapësinor, ndaj e kanë të vështirë të përqendrohen në perceptimin dydimensional (siç është fleta). Kanë shumë intuitë dhe imagjinatë, shpejtësi të lartë mendimi, mprehtësi, por nuk arrijnë të përqendrohen.

Këta fëmijë përdorin më shumë dorën e majtë, kanë vështirësi në të veshur, në të mbërthyerin e bluzave , në lidhjen e këpucëve etj., si dhe kanë vështirësi në koordinimin e veprimeve, si të kërcyerit, të vrapuarit, të hedhurit e topit etj.

Çdo fëmijë e vuan të qenët ndryshe nga të tjerët. Çfarë është e gabuar me mua? Pse nuk mundem të mësoj të lexoj dhe shkruaj mirë, edhe pse përpiqem shumë?

Të qenët ndryshe nga të tjerët është e mundimshme për çdokënd, aq më shumë për një fëmijë. Në shkollë ai ndihet i pasuksesshëm e i paaftë. Ndaj duhet punuar shumë që ata të rrisin vetëvlerësimin. Mungesa e suksesit në shkollë kompensohet me gjenialitetin në fusha të ndryshme.


Historia ka treguar se pikërisht njerëzit me disleksi që kanë jetuar në periudha të ndryshme vendimtare të njerëzimit, kanë kontribuar në progresin e saj. Shumë njerëz të njohur dhe të suksesshëm kanë qenë disleksikë, si Leonardo da Vinçi, Stiv Xhobsi, Anderseni, Valt Dizneji, Van Gogu, Ajnshtajni, Agata Kristi etj.

Fëmijët disleksikë ballafaqohen me këtë sëmundje që në moshë të hershme dhe kanë nevojë për mbështetje. Kush më mirë se prindërit e mësuesit mund t’ia dallojnë këtë anomali dhe ta mbështesin e ta inkurajojnë në talentin dhe kreativitetin e tyre, të vlerësojnë pikat e forta të fëmijës?! Për ta duhen kërkuar rrugë të tjera të dijes e të të nxënit (jo thjesht me anë të leximit dhe shkrimit.), për shembull, kërkime, eksperimente, të mësuarit përmes përdorimit të materialeve të pikturës, pra, të mësuarit aktiv dhe, sidomos, të ushtruarit.

Kjo sëmundje mund të trajtohet me efikasitet nëse zbulohet që në stadet e hershme. Mjeku që trajton këtë sëmundje quhet logopedist.


Prejardhja e fjalës disleksi

Fjala disleksi vjen nga greqishtja dhe ka kuptimin “i folur i mangët”. Mendohet se 6-17 % e popullatës preket nga kjo sëmundje, duke filluar nga stadet më të lehta deri tek ato më të rënduarat. Sa i takon përhapjes, disleksia prek si djemtë, ashtu dhe vajzat, por format më të shpeshta hasen te djemtë (raporti është 4:1), që shoqërohet shpesh edhe me probleme të sjelljes, si mungesa e përqendrimit në klasë apo sjellja problematike (grindja me shokët, kundërshtimi i mësuesve etj.). Kjo sëmundje në të shumtën e rasteve kalon pa u vënë re, derisa fëmijët arrijnë klasat e ciklit të mesëm e të lartë, ku shfaqin paaftësi të pjesshme apo të plotë në lexim dhe kuptim teksti. Për shkak të mosinformimit, këta fëmijë trajtohen nga mësuesit apo dhe nga vetë prindërit si fëmijë dembelë dhe të papërqendruar.

7,499 Lexime
7 vjet më parë