Intervistë

Intervistë me shkrimtarin dhe mësuesin Myrto Hysaj, realizuar nga maturantët e shkollës “Adem Haxhija”

Mësuesi Myrto Hysaj është poeti që e ka të kushtëzuar gjithë ekzistencën e vet në jehonat e zërave të fëmijëve, në brengat e prindërve të tyre, në ëndrrat për jetën të të gjithë brezave që aspirojnë drejt një të ardhmeje të ndritur e të denjë. Ju ftojmë të lexoni intervistën e realizuar me të.


Fëmijëria është faza më e bukur e jetës. Në fëmijëri kemi kujtimet më të bukura që shpesh herë i kujtojmë me nostalgji. Si ka qenë fëmijëria juaj? A e ke pasur pasion shkrimin që në fëmijëri?


Fëmijëria ime ka qenë përfaqësim kolektiv. Ishim të pasur nga ëndrrat. Ipad e kalçeto kishim natyrën, fushën, lumin, kodrën e malin. Lodrat i sajonim pothuajse vetë si grup. Na vinin në ndihmë edhe ato tradicionalet. Në kohën e fëmijërisë sonë më shumë hanim këshilla dhe pinim lutje.                                                      

Unë personalisht kam patur pasion librat. Mes tyre ushqeva dëshirën për shkollën, profesionin dhe njoha gjeografikisht e shpirtërisht botën. Zgjerova kufijtë e mendjes, lirinë e munguar drejt kontinenteve. Të shkruarit qoftë poezi apo prozë kërkon formim letrar që ushqehet nga sharm poetik mes ndjesive. Kjo vjen kur ke fituar përvojë jete, ke udhëtuar nga fëmijëria drejt adoleshencës, rinisë. Pasioni im ka qenë “i ndezur” përherë. Shkruaja herë pas here dy-tri strofa sipas ndjesive të moshës.



A e keni pasur ju ëndërr që të bëheni shkrimtar që në moshë të re, apo ju ka lindur dëshira gjatë hapave të jetës?


Ëndrra ime poetike i ka fillesat me recitimet plot pasion,intonacion dhe interpretim mes emocioneve të poezive të poetëve: Naim Frashëri, Lasgush Poradeci, Migjeni, Fishta, Agolli, Kadareja...

Frymëzim merrja nga poet e shkrimtarë të huaj si: Hygoi, Gorki, Dostojevski me Xhek Londonin- këto mundën të më ofronin një dritare, një vizion tek e ardhmja ime. Shkrimtar, poet, njeriu lind dhe arrin që të bëhet nga përvoja e tij dhe frymëzimi që të ofron ndjesia e dashurisë për prindërit, familjen, fëmijët, bashkëshorten, vendlindjen...



Si ka qenë jeta juaj? A keni hasur aq vështirësi gjatë rrugëtimit të jetës sa për të pasur nevojë për të emigruar?


Jeta ime ka qenë produkt i kohës kur e jetuam si fëmijërinë e në hapat e mëvonshme të jetës. Në shkollë nga cikli në cikël, nga auditori në jetë. Fëmijëri dhe rini mes shoqërisë dhe miqësisë shkollore dhe jete. Ushqim i mendjes librat dhe i stomakut buka e ngrohtë nga sipërfaqe toke e punuar cep më cep. Emigrimi ishte porta e parë e hapur për tek “bota tjetër”.

Ne e shohim që mentaliteti jonë shqiptar është mjaft i mbyllur, po ju, si u përballët me mentalitetin e vendeve ku  keni emigruar?


Andej ishte një jetë ndryshe. Dallimet e para i morëm përmes syve. Shikuam infrastrukturë, arkitekturë dhe njerëz te civilizuar. Më të qeshur, më të çiltër. Nga veshja dhe ushqimi ashtu siç e meriton qenia njeri. Aty kuptova kush kishim qenë ne në vitet e “socializmit fitimtar”. Krahasimet në praktikë bëjnë diferencat.



Si ndikoi emigrimi në gjendjen tuaj shpirtërore? A mendoni se emigrimi ishte ndikimi kryesor në krijimtarinë tuaj për poezitë që ia kushtoni vendlindjes, apo kishte edhe faktorë të tjerë që ndikuan?


Takimi me “Botën tjetër” më bëri të meditoja te çdo ndjesi dhe përjetim. U përpoqa të ndaja cilësitë e moralit, lirisë dhe barazisë si në jetën sociale dhe atë profesionale. E besova se vlerat njerëzore s’ishin në balancë. Familja shqiptare ishte pasuria më e madhe e këtij vendi. Dashuria prindërore dhe sinqeriteti i ndërsjellë në dashuri dhe veprime e bënte shoqërinë tonë të fortë drejt varfërisë dhe përballimit të shpërbërjes. Dashuria për vendlindjen kishte vend kryesor në formimin tonë.



Duke qenë se profesioni juaj është mësuesia ndër vite, a mendoni se është e njëjta kënaqësi si të shkruani një poezi dhe si të takoni nxënësit çdo ditë në shkollë?


Mësuesia për mua e për shumë të tjerë është jo vetëm profesion por më së shumti mision i përgatitjes së brezave për të ardhmen. Nxënësit e mi ishin dhe mes tjerash frymëzim i poezive të mia. Ndjesia e respektit dhe dashurisë për shkollën, nxënësit të frymëzon jo vetëm për poezi e vëllim poetik, por dhe prozë poetike e më shumë krijimtari.



Nga kontaktet e drejtpërdrejta me mendimet dhe mënyrën e të shprehurit të nxënësve në kohët e sotme, a mendoni se ata janë aq të aftë të shkruajnë poezi saqë ju keni arritur edhe te bashkëpunoni me nxënësit duke botuar kështu një libër?


Në çdo kohë dhe çdo brez poezia e ka faqen e saj. Por brezi i sotëm duhet orientuar drejt ndjesive shpirtërore brenda vetes në raport me të sotmen reale, të bukur shpirtërisht dhe që e motivon për të nesërmen e suksesshme, profesionale dhe me besim e kurajë se i lumtur bëhesh duke ndryshuar vetveten drejt suksesit dhe jo duke jetuar virtualisht në ekranet dhe ngjyrat e ylberit pas shiut.



Si e krahasoni ju rininë tuaj me rininë e kohëve të sotme? Duke qenë se janë dy periudha të ndryshme kohore, a mendoni se ka ndonjë ndryshim të madh mes tyre?


Rinia jonë ishte e varfër në mënyrën e të jetuarit si në veshje dhe ushqim,  por shpirti mbushej mes bukurisë morale, fjalorit të pastër dhe shqip. Lexuam shumë libra dhe shikuam pak dhe aspak “Love Story”. Shqipërinë e njohëm nga ekskursionet dhe jo vetëm nga muzetë apo sfilatat. Ju kemi zili “shkathtësinë” tuaj në suksesin digjital, por kur gishtin e drejton mendja jo pasioni. Liria juaj është për të arritur realizim dhe formim tuajin drejt pasioneve. Ne ajo na mungoi por s’ishim të pa matur.

Cila ka qenë shtysa më e fortë për të shkruar aq shumë poezi sa të arrini të krijoni libra me tematika nga më të ndryshmet dhe më të rëndësishmet?


Të shkruash, të krijosh, do të thotë të jetosh me ndjesitë e shpirtit të frymosh me jetën tënde dhe të çdo qenie të cilën e ke pranë. Të krijuarit fillon mbasi ke përjetuar fëmijërinë e rininë. Krijimtaria është ndjesi, përvojë, kulturë artistike, letrare. Duhet të orientohesh nga edukatorë, mësues të letërsisë për tek ndërtimi i vargut, teknika, metrika, figurat letrare e deri tek dhënia e mesazhit. Është talent poetik ndjesia ndaj cicërimave, gurgullimave, rrjedhës së ujit, dritës së diellit e hënës, lotit e pikavesës.



Ju i keni kushtuar djalit tuaj një libër me titullin “Mos u largo”, si u ndjetë ju nga largimi i tij? A mendoni se të njëjtën ndjesi përjetuan edhe prindërit tuaj nga emigracioni juaj? 


Tek vëllimet e mia poetike kam ringjallur fëmijërinë time dhe të moshatarëve të mi. Jam përpjekur të përcjell ndjesi nga vitet shkollore si nxënës dhe mësues  nga imazhet në mesazhe. Nga emocionet në frymëzime. Fëmijët e mi, nxënësit e mi ishin jeta dhe poezia ime. Tek ato kam marrë kuptimin dhe vlerësimin e të qenit mësues, prind, poet. Ato kanë qenë dhe mbeten Krenaria ime.



Intervistoi: MATURA-B

Shkolla “Adem Haxhija”, Postribë



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,488 Lexime
2 vjet më parë