Psikologji

Interpretimi i agresionit tek fëmijët, shprehje e zhvillimit apo mosfunksionim emocional?

Sjellja agresive e fëmijëve shpesh ngjall shqetësim të thellë te prindërit, veçanërisht kur shfaqet në format më primitive. Por si të ndërhyhet? Kur? A ka vërtet ndonjë arsye për t'u shqetësuar? Artikull nga Arjola Hysa, psikologe shkollore.

Sjellja agresive e fëmijëve shpesh ngjall shqetësim të thellë te prindërit, veçanërisht kur shfaqet në format më primitive. Gjithmonë e më shpesh po konstatojmë sjellje agresive tek fëmijët amplituda e të cilës është gjithmonë në rritje, sidomos pas ndryshimeve të shkaktuara nga faktorë të ndryshëm jetësor.


Agresioni i fëmijërisë ose ajo që ne e përkufizojmë si të tillë, ngjall emocione të thella, duke përcjellë te disa njerëz frikën për të rënë në kontakt me agresionin e shfaqur brenda tyre ose gjurmimin në kujtesën e episodeve ku është ushtruar dhunë në nivele minimale ose maksimale në të kaluarën ose që ende zhvillon frikë tek prindërit për t'u gjykuar si të paaftë për edukimin e fëmijëve të tyre. 

Së fundi, duhet mbajtur mend se qëndrimi i secilit prej nesh përballë agresionit dhe dhunës karakterizohet nga vlera etike, ideologjike dhe edukative të rrënjosura gjerësisht dhe për rrjedhojë është mjaft e vështirë për t'u vënë në dyshim dhe për t'u njohur si probleme, zgjidhja e të cilave nuk është e dukshme.


Por si të ndërhyhet? Kur? A ka vërtet ndonjë arsye për t'u shqetësuar?

Sigurisht që problemi i frenimit të agresionit është i lidhur ngushtë me atë të “limiteve” që duhet t’u vendosen fëmijëve gjatë rritjes së tyre. Pozicioni autoritar, shumë herë i shndërruar në një lloj lejueshmërie, ku prindërit dhe edukatorët kërkojnë indikacione se si dhe kur të kontrollojnë, ndërhyjnë dhe të vendosin rregulla ka impaktin e tij. Pyetjet që lindin në lidhje me temën e agresionit të pranishëm tek fëmijët i referohen idesë së një shtyse evolucionare që nuk duket gjithmonë e lidhur me motorin e zhvillimit, por ndonjëherë rezulton në një natyrë konfuze dhe që nuk përshtatet lehtë.


Koncepti i agresionit të kujton kuptimin etimologjik të termit. Në këtë kuptim, lëvizja agresive, e lidhur kryesisht me lëvizshmërinë dhe eksplorimin e mjedisit, mund të zhvillohet vetëm përmes një marrëdhënieje të nisur me partnerë emocionalisht të kënaqshëm. Megjithatë, mund të ndodhë që agresioni i fëmijës të shfaqet në mënyrë kaotike dhe të pakontrollueshme, por në këtë rast atëherë është më e përshtatshme të flitet për zemërim shkatërrues. Problemet lindin kur i njëjti fëmijë ndeshet me një mjedis të zbrazët që nuk është mjaftueshëm reagues, domethënë i aftë të kundërbalancojë presionin emocional të shprehur nëpërmjet dhunës verbale ose të sjelljes. I mbetur pa një bashkëbisedues efektiv, i cili nuk i reziston goditjeve, i paaftë për t'i mbijetuar një sërë sulmesh zemërimi të përsëritura me kalimin e kohës, zemërimi i tij do të rritet derisa të takojë një kujdestar të aftë për të kryer një funksion kontrolli në përpjesëtim me rrethanat.


Gjykimi i një fëmije të zemëruar është një nga hapat e parekomanduar pasi fëmija duhet të dijë që të gjitha ndjenjat janë të lejuara, ajo që duhet të kufizohet janë veprimet agresive. 

Arsyetimi gjithashtu me një fëmijë në momente të tilla është gjithmonë një sfidë pasi ai  nuk ka të njëjtin kapacitet si Ne për të ndaluar dhe arsyetuar. Fëmijës i jepet kohë që të qetësohet dhe më vonë bisedohet me të.

Duke shmangur gjykimin dhe arsyetimin gjëja më e mirë që prindërit mund të bëjnë është të modelojnë përgjigje të përshtatshme ndaj zemërimit. Domethënë të përdorin menaxhimin efektiv të zemërimit të tyre si një mësim për fëmijët.


Por si zhvillohet ky funksion kontrollues? 


Sigurisht, një nënë ose një baba i gatshëm të pranojë të njohë agresivitetin e fëmijës së tyre e lejon atë të kontaktojë drejtpërdrejt me këtë ndjenjë, në vend që ta shkarkojë vazhdimisht jashtë tij, por ndërkohë, duke marrë një rol kufizues, ai punon së bashku me të për ndërtimin e zgjidhjeve të reja. Ndërsa është sigurisht e pashmangshme që në rast se një prind reagon me agresion me intensitet të njëjtë dhe për këtë arsye ndërhyn ekskluzivisht me ndëshkim, ai nxit idenë e një bote të keqe ku gjithçka shpërbëhet dhe shkatërrohet. Por edhe një baba dhe një nënë që e lejojnë djalin e tyre të shpreh zemërimin pa vënë një kufi, ndryshojnë vizionin e botës pasi ai nuk i mbijeton sulmeve të saj të furishme dhe shkatërruese. Dhe pastaj çdo fantazi agresive rrezikon të bëhet e rrezikshme deri në atë masë sa nuk mbetet e tillë por arrin të ndikojë në realitet, të përcaktojë pasojat. Një fëmijë i vogël, duke mos bërë dallimin mes fantazisë dhe realitetit, duhet të takojë njerëz që e ndihmojnë për të rregulluar këtë komponent emocional pa hequr dorë nga puna e diferencimit psikik të ndërmarrë në periudhën e fëmijërisë së hershme. Në fund të fundit, çdo fëmijë që provokon të rriturin është në kërkim të një "objekti" fleksibël, por rezistent, një prani të gjallë që i ofron atij një hapësirë potenciale ku bëhet progresivisht i mundur përdorimi i agresionit si një lëvizje kundërvënieje dhe jo shkatërrimi.


Bibliografia

1.American Psychiatric Association (2013) Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders, fifth edition, Cortina Raffaello, Milano.

2.Bandura A. (1973) Aggression: A Social Learning Analysis. Englewood Cliffs, New Jersey, J Prentice-Hall, Inc..

3. "Çrregullime të sjelljes agresive" në: Fëmijë të shëndetshëm. Marrë më: 07 Tetor 2019 nga Fëmijët e Shëndetshëm: healthychildren.org

4."Agresioni" në: Wikipedia. Marrë më: 07 Tetor 2019 nga Wikipedia: en.wikipedia.org.



Nga Arjola Hysa, Psikologe shkollore 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,016 Lexime
2 vjet më parë