Verë dhe lojëra

Ide të thjeshta për një verë të paharrueshme me fëmijët

Artikulli ju shërben për t’u njohur me disa ide praktike për aktivitete që prindërit dhe fëmijët mund të shijojnë gjatë kësaj vere. Janë lojëra të thjeshta të cilat mund t’i realizoni lehtë dhe së bashku të kaloni momente të lumtura, që vërtetë kanë rëndësi.

Me ardhjen e pushimeve verore fëmijët hyjnë në “stinën e ëmbël” të zgjimit më vonë në mëngjes, ushqimit të mirë e të paharruar të gjysheve dhe serisë të larmishme të lojërave në natyrë (ose në shtëpi kur është piku i vapës) dhe aventurave të paharrueshme me shokët. 


Fëmijët janë krijesa shumë inteligjente dhe ata mësojnë e përvetësojnë informacion gjatë gjithë kohës. 

Një mënyrë për t’i nxitur ata që të luajnë në grup në shkollë, gjatë pushimeve, apo edhe në vendin ku banoni janë grupet e djemve apo të vajzave. 

Fëmijët mund të luajnë në grupe të përziera me djem dhe vajza, por edhe në grupe me anëtarë të së njëjtës gjini.

Ata luajnë kudo ashtu si u pëlqen atyre, por në rastet kur fëmija e ka pak të vështirë të krijojë miqësi apo edhe të përshtatet me fëmijë të tjerë, ideja e krijimit të grupeve sipas gjinive funksionon. 

Në këtë mënyrë ata/ato mësojnë se duhet të përshtaten dhe të zbatojnë rregullat të cilat janë të njëllojta për të gjithë anëtarët e grupit.


Përveçse luajnë, pra argëtohen, krijojnë miqësi të reja apo forcojnë miqësitë ekzistuese, fëmijët mësojnë edhe nocionet e përgjegjshmërisë. 

Në grup nuk ka mami dhe babi që ta përkëdhelë apo gjyshër që t’i llastojnë. Aty fëmija është i barabartë mes moshatarëve të vet dhe shkelja e rregullave dhe e betimit e bën atë të mendojë mirë  për sjelljen dhe mënyrën e përshtatjes në grup.

Bëjuani interesante idenë e grupit fëmijëve tuaj. Prezantojini me idenë që ata ta pëlqejnë atë dhe njëkohësisht ta dëshirojnë. 


Ndihmojini të qartësojnë mendimet mbi qëllimin e grupit (fëmijët shpesh formojnë grupe që të zihen me një grup tjetër apo që të sundojnë klasën e tyre).

Qëllimi duhet të jetë argëtues, informues, nxitës dhe që të forcojë dashurinë dhe miqësinë e fëmijëve.

Ndihmojini që të shkruajnë rregulloren e grupit dhe t’u japin nga një kopje të gjithë anëtarëve të grupit. Më poshtë do të gjeni dy skelet- rregullore të cilat mund t’ju ndihmojnë në qartësimin e ideve tuaja. 

Ju mund të bëni versionin tuaj krejt të ndryshëm.



GRUPI I VAJZAVE - Lulet shumëngjyrëshe


Rregullorja e grupit: 


1. Anëtarët e grupit janë vetëm VAJZA

2. Të gjitha anëtaret e respektojnë njëra-tjetrën dhe e ndihmojnë në rast nevoje e vështirësie.

3. Anëtaret e grupit nuk thonë kurrë asnjë gënjeshtër, nuk flasin keq për të tjerët, i binden prindërve dhe mësuesve. 

4. Anëtaret e grupit kanë dëshirë për të mësuar në shkollë dhe ju pëlqen që të lexojnë libra për fëmijë. 

5. Anëtaret e grupit luajnë me njëra-tjetrën pa u zënë dhe pa folur fjalë të këqija. 

6. Anëtaret e grupit nuk bëjnë zhurmë në orë të mësimit dhe nuk hedhin plehra në tokë.

7. Anëtaret e grupit luajnë lojëra të zgjedhura me kujdes që i zhvillojnë fantazinë. 

8. Anëtaret e grupit e duan shumë njëra-tjetrën dhe i respektojnë të gjithë të tjerët. 

9. Anëtaret e grupit nuk marrin inat njeri dhe nuk bezdisin askënd. 

10.  Anëtaret e grupit duhet të bëjnë betimin e grupit dhe anëtaret e reja duhet të betohen GJITHASHTU.



Betimi i grupit "Lulet shumëngjyrëshe" 

VAJZAT e grupit “LULET SHUMËNGJYRËSHE” betohen se do ta duan njëra-tjetrën dhe shokët dhe shoqet e klasës. Betohemi se do ta ndihmojmë njëra-tjetrën për të marrë nota sa më të mira. Betohemi se nuk do të gënjejmë kurrë as prindërit, as mësuesit, as shokët, por gjithmonë do të themi të vërtetën. Betohemi se do kujdesemi për njëra-tjetrën dhe do luajmë lojëra të bukura së bashku. Betohemi se nuk do ta marrim kurrë inat njëra-tjetrën dhe nuk do nxjerrim sekretet e grupit. Betohemi se do të jemi vajza fantastike, të mira, të ndershme e të palodhura. Do të festojmë me gëzim ditëlindjet e njëra-tjetrës dhe do organizojmë aktivitete të mrekullueshme. Betohemi se do ta mbajmë betimin e bërë. BETOHEMI!



GRUPI I DJEMËVE ZEMËRLUANË


Rregullorja e grupit: 


10. Anëtarët e grupit janë vetëm djem. 

11. Të gjithë anëtarët e respektojnë njëri-tjetrin dhe e ndihmojnë në rast nevoje e vështirësie. 

12. Anëtarët e grupit nuk thonë kurrë asnjë gënjeshtër, nuk flasin keq për të tjerët, i  binden prindërve dhe mësuesve. 

13. Anëtarët e grupit kanë dëshirë për të mësuar në shkollë dhe ju pëlqen që të lexojnë libra për fëmijë. 

14. Anëtarët e grupit luajnë me njëri-tjetrin pa u zënë dhe pa folur fjalë të këqija. 

15. Anëtarët e grupit nuk bëjnë zhurmë në orë të mësimit dhe nuk hedhin plehra në tokë.

16. Anëtarët e grupit luajnë lojëra të zgjedhura me kujdes që i zhvillojnë fantazinë. 

17. Anëtarët e grupit e duan shumë njëri-tjetrin dhe i respektojnë të gjithë të tjerët. 

18. Anëtarët e grupit nuk i gjuajnë askujt dhe nuk bezdisin askënd. 

10.  Anëtarët e grupit duhet të bëjnë betimin e grupit dhe anëtarët e rinj duhet të betohen GJITHASHTU.




Betimi i grupit të djemëve zemërluanë 

Djemtë e grupit ZEMËRLUANËT betohen se do ta duan njëri-tjetrin dhe shokët dhe shoqet e klasës.

Betohemi se do ta ndihmojmë njëri-tjetrin për të marrë nota sa më të mira. Betohemi se nuk do të gënjejmë kurrë as prindërit, as mësuesit, as shokët, por gjithmonë do të themi të vërtetën. Betohemi se do kujdesemi për njëri-tjetrin dhe do luajmë lojëra të bukura së bashku. Betohemi se nuk do ta marrim kurrë inat njëri-tjetrin dhe nuk do nxjerrim sekretet e grupit. Betohemi se do të jemi djem zemërluanë, të mirë, të ndershëm e të palodhur. Betohemi se do ta mbajmë betimin e bërë. BETOHEMI!



Ndërkohë po listoj disa ide praktike për aktivitete që prindërit dhe fëmijët mund të shijojnë gjatë kësaj vere.


19. Xhiro me biçikletë. Mos harroni të merrni ujë më vete, një kapele dhe të lyheni me krem mbrojtës nëse do të shëtisni në kohë me diell.

20. Bëni akullore në shtëpi. Përdorni receta me fruta, kos dhe arrore. Në internet gjeni plot receta të shëndetshme akulloresh.

21. Dilni për një piknik në natyrë. Merrni me vete shokë dhe shoqe dhe lojëra që mund t’i luani së bashku, si domino, UNO. Stratego etj. 

22. Vizatoni në asfaltin përpara shtëpisë me shkumësa me ngjyra. Është kaq argëtuese. Mos u shqetësoni kur të hasni vështrimet e habitura të fqinjëve.

23. Kudo që të jeni gjeni një natë ku yjet duken qartë dhe dilni në ballkon dhe vëzhgoni yjet së bashku. Nëse gjendeni për pushime ose nëse jetoni jashtë qytetit, shtroni një batanije dhe vëzhgoni yjet. Gjeni yjësitë dhe dëgjoni muzikë çlodhëse.

24. Bëni eksperimente shkencore me fëmijët. Në internet ka plot ide dhe receta të tilla. Përdorni sodë buke, uthull, limon për të shpërthyer vullkane në lavamanin e kuzhinës tuaj!

25. Mbushni tullumbace me ujë çezme dhe luani topa luftash me to.

26. Shkoni në librari dhe blini libra që fëmijët t’i lexojnë gjatë verës.

27. Shkoni vizitoni bibliotekën e lagjes tuaj dhe bëhuni anëtarë të saj.

28. Ndërtoni një tendë mes karrigeve dhe tryezës duke përdorur çarçafë me ngjyra.

29. Luani duke ndërtuar një puzzle.

30. Shkruani me shkumë rroje alfabetin tek pasqyra, kuptohet më pas do t’ju duhet ta pastoni e ta bëni xixë.

31. Mbillni lule dhe perime nëpër vazo dhe përgatituni etiketa të vogla emërtuese. Mos harroni t’i ujitni çdo ditë.

32. Bëni një xhiro në tregun e perimeve. Vëzhgoni ngjyrat e perimeve, larminë e tyre dhe tregojini ‘sekrete’ rreth tyre.

33. Shkoni në kinema për të parë një film fëmijësh. Ruajeni biletën dhe nxitini fëmijët që t’i ngjisin ato në një ditar.

34. Bëni një balonë së bashku dhe fluturojeni lart në ajër.

35. Bëni një seri videosh dhe fotografish së bashku.

Mbi të gjitha shijoni çdo moment së bashku! Kërkojini ndihmë fantazisë tuaj dhe zgjoni fëmijën brenda jush...



Nga Edi Gogu



©Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,985 Lexime
3 vjet më parë