Festa e huazuar

Halloween, festa që sfidon frikërat tona

Kjo festë është një mundësi për të sfiduar frikërat e ankthet tona. Duke qeshur, kërcyer e satirizuar përmes kostumeve që na identifikojnë me to, krijon distancim psikologjik me frikërat tona të fantazmave.

31 tetori festohet si festa Halloween. E popullarizuar në Amerikë në vitet ‘50 të Baby Boom, sot kjo festë është përhapur e pëlqehet shumë nga fëmijët në të gjithë botën. 


Kostumet e frikshme, simbolikat, lojërat sfiduese e biskotat me pamje perbindshash duket se i pëlqejnë shumë fëmijëve e të rinjtë e preferojnë si tematikë të veçantë e shumë argëtuese për festat e tyre. 


Po pse është popullarizuar kaq shumë kjo festë me kostume të frikshme? 


Ndonëse origjina e saj daton para 2 mije viteve, nga ritualet Kelte, për tu mbrojtur nga fantazmat, të cilët besonin se shpirtrat e vdekur dilnin në këtë ditë e ndiznin zjarre që të mbroheshin prej tyre, me kalimin e kohës, ky ritual është shndërruar në festë argëtuese për fëmijët dhe të rinjtë.

Kush nga ju nuk është frikësuar nga Gogoli? “Fli se e thirra gogolin të vij”, “Mos bëj gabime se e thirra burrin e gjatë”....

Kush nuk është frikësuar nga errësira natën, nga një zhurmë që nuk e dimë nga vjen, nga lëvizja perdes … kush e lëvizi perden??…në festën Halloween, shtrigat bëhen të vërteta, fantazmat ikin nga ëndrrat e përbindshat kërcejnë…kjo festë mundëson daljen simbolikisht në sipërfaqe të frikërave tona nëntokësore. Duke mos qënë në gjendje të identifikojme burimin e frikës, pasiguria jonë krijon frikën, imagjinata egërsohet e bën gjakun tonë të ftohet e frika jonë krijon fantazmat.


Kjo festë është një mundësi për të sfiduar frikërat e ankthet tona. Duke qeshur, kërcyer e satirizuar përmes kostumeve që na identifikojnë me to, krijon distancim psikologjik me frikërat tona të fantazmave.

 Loja dhe veshjet na ndihmojnë të kemi kontroll mbi këto frikëra. I keni parasysh fëmijët që ju plasin kapsolla tek këmbët për t’ju frikësuar?


Frikërat projektohen. Mund të kuptosh lehtësisht frikën e dikujt se nga se ka frikë. Mjafton të vëzhgosh mjetet që përdor për t’ju frikësuar. Pretendojmë se asgjë nuk na tremb. Frika na bën të ndihemi të dobët, pa zemër, frikacakë. Kjo festë, një herë në vit, na jep guximin për të mbrojtur veten nga frikërat e fantazmave: identifikohemi me to, i sfidojmë dukë ngrënë biskota në formë kafke, lozim duke i mashtruar, kërcejmë duke i imituar shtrigat dhe vampirët. Emocioni më i vjetër e më i fortë i njerëzimit është frika dhe frika më e vjetër dhe më e fortë në botë është frika nga e panjohura. Në festën halloween fëmijët e të rinjtë sfidojnë frikërat e tyre nga e panjohura…Ndonëse frikërat njerëzore nga e panjohura do vazhdojnë të ekzistojnë, të paktën një herë në vit le t’i ndihmojmë të festojnë!


Përgatiti Rudina Koromani, Psikologe Klinike


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

2,321 Lexime
3 vjet më parë