Gripi te fëmijët, masat që duhen të marrin prindërit
Sëmundjet nuk njohin stinë, po temperaturat e larta (sidomos të Verës që po kalojmë), kanë ndikimin e tyre, prandaj më tepër vëmendje, sidomos për të vegjlit. Ja disa këshilla...
Sëmundjet nuk njohin stinë, po temperaturat e larta (sidomos të Verës që po kalojmë), kanë ndikimin e tyre, prandaj më tepër vëmendje, sidomos për të vegjlit. Ja disa këshilla: -Mundohuni të freskoni dhomën ku qëndron i sëmuri, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet që kini; po pak kujdes me kondicionerët. Për të mos pasur ndjenjë të ftohti dhe ndikim jo të mirë mbi sëmundjen, gradoni 4-5 gradë më poshtë se temperatura e jashtme.
-Zhvisheni, të vegjlit vetëm me pampers, ndërsa me të rriturit vetëm me të mbathura.
– Lërini të lirë të lëvizin sipas dëshirës. Të vegjëlve ofroni lodrat që pëlqejnë, mjete për të vizatuar, tregojuni ndonjë përrallë ose lexojuni diçka (fëmijëve u pëlqejnë pa masë).
-Tregojuni me fjalë të thjeshta se janë pak të sëmurë po do të pimë ilaçet që të shërohemi shpejt e të shkojmë “te lodrat dhe te akullorja” (vendet e tyre të preferuara) dhe kini për të parë se jo vetëm do ti pinë me qejf, po dhe do ti kërkojnë.
-Ndiqni me “bisht të syrit” çdo ndryshim, po mos i pyesni asnjëherë p.sh ani a u dhëmb, u dhëmb. U vjen për të vjell[ etj. Për arsye se nga natyra fëmijët mund t’i shfrytëzojnë për qëllime të caktuara dhe tu fusin në qorrsokak.
Mos e teproni me lëshime e plotësimin e kapriçove se do të gjeni belanë më vonë. Unë kujtoj gjithmonë thënien e mençur (e kam dëgjuar nga Tiranasit): e di që nuk më vdes, po kam frikë së më nxë ves. Ja disa nga shqetësimet më të zakonshme ndër fëmijët, të cilat preokupojnë çdo familje.
Rritja e temperaturës – s’është veçse një shenjë (mbrapa saj mund të fshihen shumë shkaqe), po natyra e ka bërë për të na mbrojtur, pra nuk duhet parë si armike. Këtë e dinë shumë prindër, po ngritja e saj u ngjall gjithmonë ankth nga frika për ndonjë pasoje.
Sot, për uljen e temperaturës kemi 2 medikamente të shkëlqyer – Paracetamolin dhe Ibuprofenin; po për të pasur efektin e dëshiruar, të jepen me dozën e duhur, fëmija të zhvishet dhe të freskohet mjedisi; prandaj hiqni dorë nga napat, fërkimet me alkool e uthull. Kur duhen filluar? Mendimet janë të ndryshme, shumica i këshillojnë mbi 38.5 gradë, po ka dhe shumë të tjerë që i këshillojnë mbi 39 gradë. Si Paracetamoli dhe Ibuprofeni gjenden me emra të ndryshme dhe në formë shurupesh aromatike e supostesh të preferuara për fëmijët. Një mënyrë e thjeshtë për llogaritjen e dozës së paracetamolit dhe të ibuprofenit në fëmijë është si më poshtë: Paracetamol shurup (Takipirina ose xxxxx, 5 ml = 120 mg, – sasia në ml për çdo vakt, sa gjysma e peshës së fëmijës, çdo 4 ose 6 orë ; Ibuprofeni shurup (Algofreni) 5 ml. = 100 mg). Doza mainimale në ml. – pesha e fëmijës, pjesëtuar për 3, ndërsa doza maksimale, pesha, pjesëtuar për 2. Çdo 8 orë. Më mirë të fillohet me Paracetamol, ndërsa Ibuprofeni të jetë rezervë.
Kujdes – Para dhënies, kontrolloni përqindjen që përmendëm, për arsye se përveç tyre ka me koncentrim më të vogël (për fëmijët e muajve të parë ) ose më të lartë, për më të rriturit Valium – Jo, ai këshillohet nga mjeku, njëkohësisht me medikamentet për uljen e temperaturës, vetëm për at që kanë kaluar konvulsione nga temperatura (jo për çdo fëmijë).
Gripi i Verës ose Gripi Veror– Jemi mësuar me gripin e Dimrit, po ja që ka dhe Grip të beharit dhe si zakonisht viktimat e para janë fëmijët, sidomos ata të moshave të vogla. Kjo gjendje e njohur dhe me emrin “sindromi gripal i verës” shkaktohet kryesisht nga viruset, pa përjashtuar në ndonjë rast dhe mikrobet. Rrjedhjet dhe hundët e zëna, dhimbja e gojës e të fytit, kolla, diarreja, shoqëruar ose jo me temperaturë, prishja e gjumit dhe e humorit me rënie të oreksit, janë disa nga shqetësimet më të zakonshme. Gripi i Verës nuk është aq i shpeshtë sa i Dimrit, po mjafton për të prishur humorin dhe në ndonjë rast dhe planet e pushimeve të shumëpritura. Në shfaqjen e tij, ndikojnë mjediset ku pihet duhen dhe kondicioneri tepër i ulet, kalimet e shpeshta nga mjedise tepër të ftohta në të nxehta. (kondicioneri në dhomë ose në makinë gjatë udhëtimit, duhet të mbahet 4 – 5 gradë më poshtë se temperatura jashtë.
Ç’duhet bërë? Në format e zakonshme mjaftojnë masat për qetësimin e shenjave (sol. fiziologjik në hundë, lëngje, Paracetamol nëse ka temperature, po duhet ndjekur me kujdes për kapjen në kohë të ndonjë ndërlikimi, sidomos në rrugët e poshtme të frymëmarrjes.
Kolla – Në të vërtetë përbën një mekanizëm mbrojtës natyral, për lirimin e rrugëve të frymëmarrjes nga ngacmime të ndryshme si pluhura, tymra, gazra, etj; ajo mund të jetë “e njomë” ose “e thatë”, po disa masa të thjeshta, vlejnë për qetësimin e të gjitha tipave. Jepuni fëmijëve të pinë pak më tepër lëngje (sidomos të ngrohta), lagështoni mjedisin, lirojini nga veshja e tepruar, bëni avull me ujë (pa lëndë të tjera). Për fëmijët mbi një vjeç (jo për ata nën një vjeç) një filxhan qumësht të ngrohtë me një lugë mjaltë, 3 herë në ditë dhe ndonjë karamele me mente. Po ilaçe? Mos u jepni shumë mbas tyre, po nëse merrni vetë në farmaci një shurup, kërkojeni sipas tipit të kollës: për kollë të njomë, ose të thatë. Asnjëherë antibiotikë, pa u konsultoheni me mjekun. Këto janë të mjaftueshme për çdo rast kolle të zakonshme; po ka dhe raste në të cilat duhet të lidheni me mjekun. Ja disa prej tyre; kollë lehëse, shoqëruar me frymëmarrje shumë e shpeshtë dhe e zhurmshme ose kur shoqërohet me temperaturë të lartë.
Diarreja – Në çdo rrethanë që të ndodheni, e rëndësishme është që me shfaqjen e shenjave të para, të jepen më tepër lëngje, po duke respektuar gjithmonë atë që dëshirojnë ose atë që kanë pëlqyer më parë, me qëllim që të zëvendësohen ato që kanë humbur. Mirë do të ishte Tresolit, po ka fëmijë që nuk e pranojnë dhe nëse jepet kundër dëshirës, e vjellin duke humbur më tepër nga sa mund të kenë marrë. Atëherë jepini atë që kanë dëshirë si çaj, kamomil, lëngje frutash ose limonata tepër të holluara, Coca-Cola pa sheqer etj.Në raste të veçanta, mund të bëjë ndonjë serum. Nëse s’ka të vjella dhe lëngjet pranohen, nuk ka përse të veprohet si më sipër.
Antibiotikët nuk kanë asnjë veprim mbi Diarretë e zakonshme. Disa fermente, si Enterogermina, Jovita etj, nuk kanë ndonjë veprim direkt, po sidoqoftë ndikojnë në përmirësimin e tretjes, prandaj mund të jepen.
Ushqyerja – Nëse është me gji, mos e ndërprisni. Kështu veprohet dhe për fëmijët me qumësht farmacie.
Për më të rriturit, sot këshillohet të vazhdojnë ushqimet e mëparshme (gjithmonë sipas dëshirës) mundësisht të përpunuara mirë, dhe në formën e supave e të pureve me perime.
Dhimbjet e gojës – Janë të shpeshta dhe shprehen sipas moshës. Të vegjlit grinden, qajnë, nuk pranojnë ushqimin (në dukje si pa shkaqe), ndërsa pak më të rriturit, thonë se më dhëmb goja dhe kur kanë ndonjë mahisje të fytit. Në këto rrethana, do të bënit mirë që me bishtin e lugës të kontrolloni hapësirën e gojës për të parë ndonjë skuqje, fshikëza, gjurmë kafshimesh, etj). Shkaqet janë të shumta, ato që shoqërohen vetëm me dhimbje e pak skuqij të mishrave, në rreth 70 deri 89 % të rasteve shkaktohen nga viruse dhe nuk zgjasin më tepër se 5-6 ditë. Nuk kërkojnë medikamente të veçanta, po për qetësimin e dhimbjeve mund të jepet Paracetanol ose Ibuprofen. Nëse shihni ndryshime të tjera, atëherë duhet dyshuar për disa sëmundje si p.sh stomatite, myk etj, prandaj kërkojnë konsultimin me mjekun.
Mjekimi
Dhimbjet e veshit, kurimi janë të shpeshta, sidomos në moshat e vogla. Më të zakonshmet janë mahisjet e thjeshta të kanalit të jashtëm të veshit (në ndonjë rast mund të shihet ndonjë skuqje e lehtë në dalje të tij), nuk shoqërohen me temperaturë po në çdo rast japin dhimbje që mund të jenë të forta. Pavarësisht nga shkaku, deri sa të lidheni me mjekun, veproni si më poshtë: -Jepini Paracetamol ose Ibuprofen, qetësojnë dhimbjet dhe po pati temperaturë, e ulin; -Merreni në duar, mbajeni në pozicion pak oblik, mandej kthejeni në krevat duke vendosur kokën në një jastëk (me qëllim që koka të qëndrojë pak më lart se trupi); -Mos i hidhni pika në vesh (pengojnë mjekun për të parë fundin e veshit dhe në disa raste bëhen shkak për keqësimin e infeksionit. Me këto masa të thjeshta, fëmija qetësohet brenda një kohe të shkurtër.
Po nëse dhimbjet shoqërohen me temperaturë të lartë e zgjasin, mund të dyshohet për mahisje më të thella të këtij organi, prandaj lidhuni me mjekun. Së fundi, po ju kujtoj; nëse do të niseni me pushime, merrni me vete dhe pak medikamente, nevoja për to mund të lindi kudo (dhe gjatë rrugës) si Paracetamol dhe Ibuprofen (për uljen e temperaturës dhe qetësimin e dhimbjeve, përfshi dhe ato të veshit), pika për lirimin e hundëve të zëna, Enterogermina (në rast Diareje), Otipaks (për mahisjet e zakonshme të veshit të jashtëm), Buskopan (në rast dhimbjesh barku), ndonjë pomadë rast pickimi nga ndonjë insekt (p.sh Advantan). Për fëmijët me probleme (sidomos alergjikë), sigurisht që duhen shtuar dhe të tjera, gjithmonë sipas këshillave të specialistëve përkatës.
(Nga Dr. Polikron Çelo)
8 zgjedhjet më të mira për një mëngjes të shëndetshëm
Majlti i maresë, si prodhohet dhe cilat janë vetitë kurative
Çfarë rreziku mbartin patatinat?