INTERVISTË

Frenkli Meka, 21-vjeçari shqiptar, talenti më i ri që po i ofrohet botës në krijimin e filtrave

I riu ka arritur tashmë të tërheqë vëmendjen e mijëra përdoruesëve vendas dhe të huaj, të cilët janë të apasionuar pas filtrave të Instagramit. Prej aftësive të tij, ka arritur të tejkalojë shifrën mbi 8 milion përdorues dhe 54 filtra në Instagram dhe në Snapchat. Intervista më poshtë.

Frenkli Meka, është talenti shqiptar i cili po përgatitet të nisë një aventurë shumë të rëndësishme në karrierë. 21 vjeçari ja ka arritur tashmë të tërheqë vëmendjen e mijëra përdoruesëve vendas dhe të huaj, të cilët janë të apasionuar pas filtrave të Instagramit. Pikërisht, i riu shqiptar, banues në Gjermani tashmë prej katër vitesh, duket se e ka pasur nuhatjen e mprehtë lidhur me përqafimin dhe përdorimin e gjerë që patën këto filtra nga përdoruesit, kryesisht femrat. Prej aftësive të tij, ka arritur të tejkalojë shifrën mbi 8 milion përdorues dhe 54 filtra në Instagram dhe në Snapchat. Për  më tepër ju ftojmë të lexoni intervistën e mëposhtëme e realizuar nga Marina Kërçeli. 




Pse keni zgjedhur pikërisht të aftësoni talentin dhe njohuritë tuaja në krijimin e filtrave dhe pse jo të vazhdonit studimet e larta?


Duke qenë se kam qenë gjithmonë i dhënë pas teknologjisë, dhe botës dixhitale, editimit të fotove dhe videove, mendova se dhe krijimi i filtrave të instagramit do të ishte diçka e bukur për të kaluar kohën, dhe pse jo për të krijuar diçka të bukur. Ndërsa shkollën, për arsye se duhet të lija Shqipërinë direkt pasi përfundova gjimnazin, e kam lënë pezull për ta vazhduar në të ardhmen. 



Çfarë është për ju një filter?


Për mua një filter është diçka e bukur për syrin dhe e pëlqyeshme nga përdoruesit. Nuk është e thënë vetëm filtrat Make Up, po edhe ata ku kombinohen ngjyrat apo teknika të tjera siç është grain apo dust, për ta bërë sa më tërheqës dhe të përdorshëm. 



Prej cilës audiencë gjen më së shumti përdorimi i filtrave?


Padiskutim që janë femrat, mund të them se mbi 75% të përdoruesve. Duke ditur se ato shpenzojnë dhe pjesën më të madhe duke rregulluar fotot dhe videot e tyre për rrjetet sociale. Ndërsa nga meshkujt përdoren vetëm filtrat e thjeshtë, si psh bardhë e zi apo filtrat e ambientit ku theksohen ngjyrat dhe kontrastet. 



Përveç pasionit, a ju sjell të ardhura ky përkushtim i juaji kaq i madh kundrejt filtrave?


Është ende herët për të folur për të ardhura të larta financiare, që mund të më vijnë nga krijimi i filtrave të Instagramit dhe Facebook, por mund të them që jam i kënaqur me ato disa pak të ardhura që kam marrë, duke e konsideruar si pasion dhe si diçka që e bëj për të perfeksionuar aftësitë.



Po ju vetë, a jeni përdorues i filtrave në Instagram?


Sigurisht që po, në të shumtën e rasteve përdor filtrat e mija, për arsye marketingu më shumë, por dhe për ta bërë foton të duket akoma më e gjallë, më e bukur për syrin. 



Çfarë e motivon një krijues filtrash për mijëra e mijëra përdorues, dhe a është talent i vështirë për të bërë karrierë në Shqipëri, por jo vetëm?


Motivimi kryesor është e bukura, perfeksionizmi dhe kënaqesia e feedback pozitiv që marr nga përdoruesit. Si çdo gjë tjetër, dhe krijimi i filtrave ka vështirësinë e vet. Duhet të mësosh të përdorësh programin dhe t’i mësosh komandat e tij, lidhjet, rregullat pasi jo çdo filter është i thjeshtë për t’u krijuar. Ka raste që kam krijuar filter dhe për 2-3 ditë pasi programi nxirrte probleme në formulim dhe e bënte filtrin të papërdorshëm. Nëse do flisnim si profesion të mirfilltë është shumë po shumë të vështirë për t’u arritur dhe për ta konsideruar si të tillë, pasi siç e thashë dhe më lart, duhet të perfeksionohesh për ta shtrirë talentin dhe më gjerë se Shqipëria nuk është se të jep aq shumë mundësi. 



Sa është numri i filtrave të krijuar prej jush, deri në këtë moment që flasim?


Përsa i përket numrit të filtrave, di të them se deri në këtë moment janë diku tek 54 filtra, dhe kanë arritur mbi 8 milionë përdorues.



Rrjetet sociale sot po zenë një vend të rëndësishëm në jetën e përditëshme të çdo të riu por jo vetëm. A mendoni se të pasurit një talent vlen më tepër se një arsim universitar?


Absolutisht qe jo. Të pasurit një talent mund të jetë vetëm një rresht më shumë ne CV, është shumë e vështirë të ecësh para vetëm me një talent, pa pasur dijet e duhura të cilat i merr në universitet. Dhe kurrësesi nuk mund t'i krahasojmë të dyja, shkolla e përgatit njeriun dhe e perfeksionon atë për pasionin për të cilin po ndjek studimet. 



Ku e shihni veten tuaj në një të ardhme të afërt?


Nëse flasim për 5-6 vitet e ardhëshme mund të them që do kem përfunduar shkollimin, mbase në IT dhe Graphic Design. Përsëri, me ndihmën e Zotit, do jem duke krijuar foto, video dhe filtra akoma dhe më të bukur.



Cilat janë pritshmëritë tuaja në të ardhmen në lidhje me investimin që po jepni karshi këtyre filtrave?


Duke qënë se filtrat tashmë kanë kaluar mbi 8 milion përdorime, planifikoj që të vazhdoj të krijoj akoma dhe më tepër, kështu mbase dhe të bëhem pjesë e programit të krijuesve në të gjithë botën. Kam akoma shumë shkallë për të ngjitur, por do i kushtoj sa më shumë kohë të mundem, duke pasur parasysh që është pasion, akoma jo profesion.

Intervistoi Marina Kërçeli 


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

6,853 Lexime
3 vjet më parë