“Forca më e madhe? Besimi”
Humanistja me shtat të vogel, por me zemër të madhe do bënte që mbarë bota të njihte shpirtin e saj të madh. Nënë Tereza e Kalkutës u lumturua në 19 tetor të 2003 nga Papa Gjon Pali i Dytë
Sot shënohen 12 vjet nga Lumturimi i Anjeze Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, humanistja shqiptare fituese e Çmimit Nobel për Paqen. Humanistja me shtat të vogel, por me zemër të madhe do bënte që mbarë bota të njihte shpirtin e saj të madh. Nënë Tereza e Kalkutës u lumturua në 19 tetor të 2003 nga Papa Gjon Pali i Dytë.
Kjo lajmëtare e ndritur e dashurisë së Zotit, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, në një qytet shqiptar, nga një familje shqiptare. Më e vogla e pesë fëmijëve të Nikollë dhe Drane Bojaxhiut, u pagëzua me emrin Gonxhe Anjeze, mori Kungimin e parë në moshën pesë vjeç e gjysëm e u krezmua në nëntor të vitit 1916.
Në moshën 18-vjeçare, e shtyrë nga dëshira për t’u bërë misionare, në shtator të vitit 1928, Gonxhja i tha lamtumirë shtëpisë atërore, për të hyrë në Institutin e së Lumes Zojë, që njihej ndryshe me emrin “Motrat e Loretos”, në Irlandë.
Atje mori emrin motër Mari Tereza, për nder të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë.
Në dhjetor u nis për në Indi.
Pasi bëri kushtet e përkohshme, në maj të vitit 1931, Motër Tereza u dërgua në bashkësinë e Loretos, në Entali, ku dha mësim në shkollën St.Mary për vajza. Më 24 maj të 1937-ës, motër Tereza paraqiti kushtet e përjetshme duke u bërë, siç tha ajo vetë: “Vashë e Jezusit” për “amshim”.
Grua që ia kishte kushtuar jetën lutjes, që i donte fort motrat dhe nxënëset e saj, Nënë Tereza jetoi e lumtur në Loreto për njëzet vjet me radhë.
E njohur për zemërgjerësi, bujari, guxim, aftësi të posaçme në kryerjen e punëve më të rënda dhe për talent të natyrshëm organizativ, ajo e jetoi përkushtimin e saj ndaj Jezusit, ndërmjet motrave, me besnikëri dhe gëzim.
Më 10 dhjetor të 1946-ës, gjatë udhëtimit me tren nga Kalkuta në Darjeeling, për ushtrimet shpirtërore vjetore, Nënë Tereza ndjeu “frymëzimin” e ri, “thirrjen brenda thirrjes”.
Pas një kursi të shkurtër pranë Motrave Mjeke Misionare në Patna, Nënë Tereza u kthye rishtas në Kalkutë ku gjeti një strehë të përkohshme pranë Motrave të Vogla të të Varfërve.
Më 21 dhjetor, shkeli për herë të parë në lagjet e të varfërve: vizitoi familje, u lau plagët disa fëmijëve, u kujdesua për një plak që dergjej në rrugë të madhe dhe për një grua që po vdiste nga uria e nga tuberkulozi.
E niste ditën me Jezusin në Eukaristi; pastaj, me rruzaren në duar, dilte për t’i gjetur dhe për t’u shërbyer atyre që janë: “të braktisur, të padashur, të papërkujdesur”. Disa muaj më vonë, me të u bashkuan, njëra pas tjetrës, disa nga ish-nxënëset e saj.
Më 7 tetor të vitit 1950, Kryedioqeza e Kalkutës njihte zyrtarisht Kongregatën e re të Misionareve të Bamirësisë.
Duke filluar nga viti 1980, deri më 1990, Nënë Tereza hapi shtëpi misioni pothuajse në të gjitha vendet komuniste, duke përfshirë ish-Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë dhe Kubën.
Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Por Shqipëria heshtte.
Nënë Terezës, për të ardhur në Shqipëri iu desh të dërgonte tre letra. Ajo i kishte dërguar më parë letër Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, por nuk mori kurrë përgjigje.
Kur i thane për pasaportën Shqiptare ajo u përgjigj:
“E pranoj me kënaqësi, sepse është pasaporta e vendit tim; atje kam nenën dhe motrën, atje kam miq e te njohur, atje shume shpejt do të hapim misionin tone e unë do te jem vete aty”.
Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës është dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe e dinjitetit të çdo njeriu, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin.
Gjatë viteve të fundit të jetës, pa marrë parasysh problemet e shumta e serioze shëndetësore, Nënë Tereza vijoi t’i printe Kongregatës së saj dhe t’u përgjigjej nevojave të të varfërve e të Kishës
Në mars të vitit 1997 bekoi Eproren e re të Përgjithshme, të sapo zgjedhur, të Misionareve të Bamirësisë e bëri edhe një udhëtim jashtë shteti. Si pati takuar Papën Gjon Pali II për të mbramen herë, u rikthye në Kalkutë ku kaloi javët e fundit të jetës duke pritur vizitorë e duke u dhënë këshilla simotrave.
Më 5 shtator 1997 jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit. Qeveria indiane e nderoi me funeralin e Shtetit, në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në Shtëpinë-Nënë të Misionareve të Bamirësisë.
Shumë shpejt varri i saj u bë cak shtegtimi e lutjeje për njerëz të besojmave të ndryshme, për të varfër e për të pasur, pa kurrfarë dallimi. Nënë Tereza na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtzakonshme. Duke iu përgjigjur thirrjes së Jezusit “Eja, të jesh drita ime!”, u bë Misionare e bamirësisë, “Nënë e të varfërve”, simbol i mëshirës për mbarë botën e dëshmitare e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit.
Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj.
Ati i Shenjt Gjon Pali i Dytë, pas shqyrtimit të mbi pesëmijë faqe dëshmishë mbi jetën, veprën dhe mrekullitë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, vendosi që më 13 tetor 2002, në Bazilikën e Shën Pjetrit ta shpall shenjtëreshë këtë bijë shqiptare, të cilën mbarë bota e njohu dhe e quajti Nënë.
Në arsyetimin e këtij vendimi historik për beatifikimin e Bijës Shqiptare – Gonxhe Bojaxhiu, e njohur në mbarë botën si Nëna Tereze e Dashurisë, përmenden edhe 122 mirënjohje ndërkombëtare, përveç Çmimit Nobel për Paqe, më 1979, si dhe disa mrekulli, të cilat vështirë mund të shpjegohen edhe shkencërisht.
Komisioni Kishtar për beatifikim, pasi ka shqyrtuar 80 volume me 113 dëshmi e 35.000 faqe të shkruara me akte nga jeta dhe vepra e Shenjtëreshës Shqiptare, ka përgatitur materialin sintezë nga jeta, vepra dhe mrekullitë e Nënës Tereze, në ekstraktin 5000 faqesh të shkruara dhe pas analizimit të tij, Papa ka marrur vendimin për shenjtërimin zyrtar të Gonxhe Bojaxhiut.
Në Shqipëri, viti 2003 u shpall nga qeveria shqiptare si viti i Nënë Terezës, vit kur të gjithë do të mendojnë rreth faljes, ngushëllimit e mirëkuptimit, kur të gjithë do të përcjellin mesazhin e Nënë Terezës, të mendojnë, të bëjnë më shumë për ata që kanë nevoje për zgjatjen e një dore.
Tashmë 19 nëntori simbolizon ditën për më shume lutje, besim e dashuri. Kjo datë është shpallur festë kombëtare nga qeveria shqiptare.
(BW)
Rëndësia e bashkëpunimit shkollë-familje
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
“Bullizmi në shkollë” nga Merita Kastrati