ROLI I PSIKOLOGUT

Fëmijët me aftësi ndryshe, Lorela Garuli: Të forcohet roli i psikologut në çerdhe dhe kopshte.

Si mund ta kuptojnë që një fëmijë është me aftësi ndryshe, sa i rëndësishëm është roli i psikologut në institucionet arsimore, si t'ua komunikojmë prindërve diagnozën, si t'i ndihmojmë këta fëmijë me terapinë e duhur dhe ti përgatisim ata...

Psikologia e njohur Lorela Garuli gjatë intervistës ka folur gjerësisht për rastet e fëmijëve me aftësi ndryshe, duke u fokusuar konkretisht tek fëmijët e moshës parashkollore, që në periudhën e çerdhes dhe kopshtit, kur duhen bërë edhe evidentimet e para. Por si mund ta kuptojnë që një fëmijë është me aftësi ndryshe, sa i rëndësishëm është roli i psikologut në institucionet arsimore, si t'ua komunikojmë prindërve diagnozën, si t'i ndihmojmë këta fëmijë me terapinë e duhur dhe ti përgatisim për tu intergruar në jetë...? Për të gjitha këto dhe shumë detaje të tjera lexoni intervistën më poshtë.


Lorela le ta nisim në fillim bisedën se bashku me shpjegimin e termave; aftësi e kufizuar, aftësi ndryshe apo fëmijë me aftësi të veçanta. Konkretisht cfarë duhet të kuptojmë me këtë term; a është kjo një simptomë, sëmundje,si mund ta klasifikojmë aftësinë ndryshe?

Përgjithësit gjuha profesionale është zëvendësuar nga aftësia e kufizuar në aftësi ndryshe. Kjo sepse ajo që tradicionalisht ka qenë aftësi e kufizuar, është specifikuar dhe përkufizuar si një tërësi gjendje si një pamundësi, paaftësi, një mangësi, dëmtim, defiçit sensorial i një individi fizik, mendor, intelektual; dëmtim që e pengon cilësisht që të jetë pjesë e shoqërisë dhe të ketë një jetë të pavarur dhe normale. Pse ka ndryshuar nga e kufizuar në të ndryshme? Është një koncept që ka debat brenda edhe etik, por është një koncept që lidhet me shoqërinë me zhvillimin social, lidhet me faktin se sa teknologjia, se sa një shtet, i ndihmon, i përkrah këta individë. Me këtë dua të themse; nëse në një vend nuk ka shumë infrastrukturë për të ndihmuar dikë, për shembull një person të verbër; dhe në një vend tjetër perëndimor që i ka këto mundësi, këtë infrastrukturë, ky individ këtu do të jetë me aftësi ndryshe, pra ai ka nevojë për një strukturë mbështetëse. Ky është edhe konteksti pse është pak filozofike dhe kontekstuale.


Por ka të bëjë edhe me faktin se gjithnjë e më shumë po përdoren terma më modernë dhe që janë më pak diskriminues?

Po përveç faktit që ka të bëjë dhe me pjesën që është më pak diskriminues, ka dhe çështje etike në mes. Nuk është kaq objektive si çështje, është dhe pak subjektive; për sa kohë një shoqëri e ndihmon një njeri me aftësi ndryshe të integrohet, dhe të ketë akses më shumë se sa një shoqëri tjetër...


Lorela është e vështirë për ti identifikuar fëmijët me aftësi ndryshe që në çerdhe apo në kopësht? Çfarë shenja apo karakteristika janë të dukshme që të vegjël tek ata ?Dhe në çfarë moshe mund ti identifikojmë?

Kur flasim për aftësinë ndryshe, konsiderohet se është një term 'ombrellë; le të themi; ku bëjnë pjesë shumë vështirësi si ato defiçite që mund të jenë fizike që shihen që në lindje, apo që nga një eko kur fëmija është në barkun e nënës,ka pastaj edhe çrregullime të tjera neurologjike, psikiatrike, psikologjike të zhvillimit, të cilat kërkojnë një kohë tjetër për t'u diagnostikuar apo për t'u vlerësuar. Kështu që në varësi të vështirësisë apo çregullimit të sindromës bëhet dhe vlerësimi dhe identifikimi. Për shembull një fëmijë me sindromën down patjetër që identifikohet shumë herët; një fëmijë me autizëm supozohet që rreth moshës 2 vjeç mund të fillojmë ta identifikojmë; një fëmijë me hiperaktivitet para moshës 3 vjeç nuk e identifikojmë dot. Kështu që gjithmonë varet nga lloji.


Sa të rëndësishëm e shihni rolin e psikologut në çerdhe dhe kopshte, a është ai i pari që duhet ti evidentojë raste të fëmijëve me aftësi ndryshe?

Po është një rol jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm, që është në 'zanafillat' e veta do të thoja, pasi ka më shumë psikologë shkollorë se sa psikologë kopshti dhe aq më pak çerdhesh, pra terapist zhvillimi. Sepse është gjithmonë një trinom, është institucioni (kopshti ose çerdhja), është familja (prindërit) është edhe vetë fëmija. Kështu që patjetër evidentimi i hershëm edhe trajtimi i hershëm, ndërhyrja e hershme, është një nga faktorët kyç kryesor të suksesit të terapisë. Në këtë sens do të ishte shumë i rëndësishëm.


Institucionet për të cilat po flasim si çerdhja dhe kopshti, çfarë kushtet duhet të plotësojnë për fëmijët me aftësi ndryshe; duhet të kenë mësues ndihmës; kurrikula apo klasa te vecanta pë këta fëmijë...?

Psikologët dhe profesionistët e tjerë të shëndetit mendor nuk janë shumë për veçimin dhe izolimin se sa jemi për integrimin e tyre, pra për gjithëpërfshirjen. Rasti ideal, është ai që në një klasë, në një shkollë mund të ketë dhe një fëmijë autik; një fëmijë disleksik; që është fëmijë normal për nga zhvillimi, por që ka këtë vështirësi për qasje në të nxënë, pra kur arrijnë që këto ngjyra të ndryshme, këto diferenca, këto kontraste të bashkohen. Sepse në këtë mënyrë jo vetëm që gjejnë hapësirë fëmijët me nevoja ndryshe, por dhe fëmija tjetër mëson ta pranoj. Sepse pranimi nis herët nëse do flasim për një shoqëri pranuese. Pra ne synojmë bashkërendimin e nevojave të ndryshme; kështu që infrastruktura është e nevojshme; do të ishte e domodoshme pjesa e teknikave, mjeteve, instrumenteve, të vlerësimit që në një masë shumë të madhe na mungojnë dhe shumë herë profesionistët jo për faj të tyre, por për fajt të sistemit, kurrikulave universitare, ku ka shumë boshllëqe mund ta gjejnë veten me shumë pikëpyetje. Por ky është një proces i gjatë që lidhet dhe me zhvillimin e psikologjisë, punës sociale e gjithë shkencave të tjera sociale.


Konkretisht në çfarë faze jemi në këtë drejtim në vendin tonë; çfarë kemi arritur dhe çfarë kemi mangësi si për nga kurrikulat, infrastruktura, ndërgjegjësimi...?

Është një proces...Këtu pastaj flasim dhe për rolin e psikologut që në Shqipëri është një profesion relativisht i ri. Në vitin 1996 është hapur për herë të parë si degë në Universitet, pra duhet të kuptojmë që është një profesion që do dhe kohën e vet që të konsolidohet. Megjithatë është shumë pozitive fakti që gjithnjë e më shumë njerëzit po ndërgjegjësohen, sidomos prindërit, dhe kjo është shumë e rëndësishme, shumë ndihmuese, shumë realiste; pasi prindërit po kuptojnë gjithnjë e më shumë që psikologu nuk është në kopësht vetëm për të ndihmuar një fëmijë autik, absolutisht që ka terapist që e bëjnë atë, por të ndihmon edhe për të edukuar më mirë fëmijën. Pra të kuptojmë të gjithë që nuk duhet të mendojmë që ti drejtohemi psikologut vetëm kur jemi në atë hallin më të fundit tonin, se sa në ndihmon edhe për të përmirësuar cilësinë e jetës. Në këtë drejtim edhe media bën punën e saj, duke theksuar që githmonë e më shumë duhet të ketë hapësira për psikologun. Nga ana tjetër prej afro dy vjetësh është ngritur edhe struktura e Urdhrit të Psikologut, pra dua të them që po konsolidohet gjithnjë e më shumë si profesion.


Supozojmë se jemi te pjesa që edukatori dhe psikologu janë të bindur për simptomat e një fëmije me aftësi ndryshe, si mund t'ua themi këtë prindërve. Ka raste që ata e kanë të vështirë apo nuk duan ta pranojnë kurrsesi këtë pjesë?

Siç e përmendëm edhe më lart sot gjithnjë e më shumë prindërit po ndërgjegjësohen dhe janë të interesuar për rëndësinë e një zhvillimi të shëndetshëm psikologjik, por ka dhe raste që hasim në rezistenca, por dhe kjo deri diku është e kuptueshme sepse nuk është e lehtë që të pranosh një diagnozë të tillë. Mirpo sa më shumë ta mohojnë dhe sa më shumë ta vonojnë fillimin e ndërhyrjes dhe të trajtimit, kjo ndikon negativisht te fëmija dhe integrimi i tij më vonë. Ka raste dhe në varësi të çregullimit dhe të vështirësisë që mund të jetë mësuesi apo edukatori që e evidenton i pari, dhe që duhet ta referojë më pas te një psikolog.


Terapi të tilla specifike për fëmijët me aftësi ndryshe një prind mund ti gjejë në institucione shtetërore apo vetëm në rrugë private?

Një pjesë gjendet edhe në rrugë shtetërore, por për të mos u treguar optimistë aty ku nuk duhet, ka shumë hapësira dhe shumë hendeqe që nuk plotësohen dot nga strukturat shtetërore. Ka patjetër institucione private, ka qendra por që prapë mund të jenë të fokusuara te çregullimet më të rënda si sindromat, vonesat në zhvillim, prapambetjet mendore, autizmi, ndërsa ka pastaj dhe studio psikologësh; klinika ku prindi mund të drejtrohet.


A ndihmon identifikimi i problematikës në faza të hershme për t'a trajtuar apo përmirësuar situatën e fëmijës, në mënyrë që ai të bëjë një jetë normale, të ketë një profesion kur të rritet, të integrohet në shoqëri...?

Patjetër që po. Sigurisht që integrimi dhe ky është meraku më i madh që kanë prindërit e këtyre fëmijëve varet nga evidentimi i hershëm, nga suksesi i terapisë, nga bashkëpunimi shumë i mirë dhe efikas, ajo që quhet aleancë terapeutike, institucion-prind. Pra kurrsesi një çregullim, një vështirësi, prapambetje, sindromë nuk kurohet vetëm në institucion, në shkollë apo në terapi, por puna është paralele, dhe në familje. Por varet dhe nga shoqëria, dhe këtu nuk flas vetëm për ndërgjegjësimin apo mosdiskriminimin, por për atë se sa shteti dhe strukturat përkatëse arrijnë të ofrojnë infrastrukturë mbështetëse; programet mësimore; siç jamë rampat; shkrimi brail etj..


Duke qenë se më lart përmendëm edhe rolin dhe punën që duhet të bëjë paralelisht edhe prindi me fëmijët me aftësi ndryshe, mund të japim disa këshilla se si duhet të sillen ata në shtëpi me fëmijët, çfarë duhet të bëjnë konkretisht? Dimë që vizatimet ju pëlqejnë shumë fëmijëve me aftësi ndryshe... ku shprehin dhe botën e tyre?

Do të ishte pak e përgjithshme sepse çdo çregullim ka specifikën e vet, ndryshe do e kërkonte rutinën një fëmijë me sindormën down, ndryshe një fëmijë me autizëm. Po është e vërtetë që vizatimi na jep më shumë informacion, përveç pjesës që është më shumë si lojë, e vlerësojmë si një mjet komunikimi që fëmijët qysh nga zhgarravinat e para na japin informacion për mënyrën se si ndihen, çfarë mendojnë, çfarë vendi zënë në realitetin ku jetojnë e kështu me radhë. Në përgjithësi me këta fëmijë duhet shumë durim, familja ka një rrugë të gjatë përpara, për të arritur te pjesa e integrimit të tyre në shoqëri dhe që kur të jenë individë të rritur pse jo të kenë edhe një profesion. Ne të gjithë duhet të mendojmë dhe të kuptojmë që ata janë persona që stimujt e realitetit i marrin ndryshe; kemi nevojë që të përshtasim ne mënyra të tjera alternative që të afrohemi te këta persona dhe që të arrijmë të komunikojmë dhe t'i integrojmë ata.



(Intervistoi, Entela Duraj; Portali Shkollor)

9,681 Lexime
5 vjet më parë