Fëmijët e ekspozuar ndaj tymit të duhanit, të rrezikuar për infeksione të frymëmarrjes
Duhanpirja aktive dhe pasive rrisin rrezikun për shumë sëmundje dhe ndikojnë në shëndetin e mushkërive në mënyra të ndryshme. Duhet shmangur patjetër kontakti i duhanit me fëmijën.
Duhanpirja aktive dhe pasive rrisin rrezikun për shumë sëmundje dhe ndikojnë në shëndetin e mushkërive në mënyra të ndryshme:
-Kanceri i mushkërive. Pirja e duhanit është përgjegjëse për më shumë se dy të tretat e vdekjeve nga kanceri i mushkërive në nivel global, ndërsa duhanpirja pasive rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit të mushkërive për joduhanpirësit. Kanceri i mushkërive është shkaku kryesor i vdekjes nga kanceri në shumicën e vendeve të rajonit europian të OBSH-së. Përafërsisht 430 000 njerëz vdiqën nga kanceri i mushkërive në këtë rajon në vitin 2018, dhe gjatë kësaj periudhe u diagnostikuan më shumë se gjysmë milion raste të reja. Ndalimi i pirjes së duhanit zvogëlon rrezikun e kancerit të mushkërive; 10 vjet pas lënies së duhanit rreziku ulet në rreth gjysmën e asaj të një duhanpirësi.
-Sëmundjet kronike të frymëmarrjes, si sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK) dhe astma. Pirja e duhanit është shkaku kryesor i SPOK-ut, një gjendje që rezulton me kollë të dhimbshme dhe vështirësi në frymëmarrje. Kjo gjendje përkeqëson astmën, e cila kufizon aktivitetin dhe ndikon në aftësinë e kufizuar. Sipas të dhënave të fundit, 3.6% e totalit të vdekjeve në rajonin europian ishin për shkak SPOK-ut në vitin 2017. Ndërprerja e hershme e pirjes së duhanit është mënyra më efektive e ngadalësimit të progresit të SPOK-ut dhe përmirësimit të simptomave të astmës.
-Fëmijët e ekspozuar ndaj tymit të duhanit kanë rrezik më të lartë për të zhvilluar infeksione të shpeshta të frymëmarrjes, si dhe për t’u prekur nga astma, pneumonia dhe bronkiti. Përbërësit kimikë të tymit të duhanit mund të shkaktojnë infeksione latente të tuberkulozit (TB). Pirja e duhanit mund të rrisë gjithashtu rrezikun e paaftësisë dhe vdekjes nga bllokimi i frymëmarrjes te njerëzit me TB aktiv.
Fushata për Ditën Botërore pa Duhan synon të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet që shkakton tymi i duhanit në mushkëri, dhe rolin themelor që ato luajnë në shëndetin dhe mirëqenien e të gjithë njerëzve. Veprimet dhe masat e mundshme që audiencat kyçe, duke përfshirë publikun dhe qeveritë, mund të marrin për të zvogëluar rreziqet që sjell duhani në shëndetin e mushkërive.
Këto veprime përfshijnë masat e kontrollit të duhanit të përshkruara në Konventën Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit (WHO FCTC) të tilla si rritja e taksave të duhanit, zbatimi i politikave “pa tym duhani”, mbështetja e njerëzve për të lënë duhanin, ngritja e vetëdijes përmes mjeteve masive të komunikimit dhe zbatimi i ndalimeve në të gjitha format e promovimit. Zbatimi i plotë i Konventës Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit dhe i masave të tjera të kontrollit të duhanit do të përmirësojnë shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë, si dhe do të shpëtojnë jetë.
Burimi: Instituti i Shëndetit Publik
8 zgjedhjet më të mira për një mëngjes të shëndetshëm
Majlti i maresë, si prodhohet dhe cilat janë vetitë kurative
Çfarë rreziku mbartin patatinat?