Reflektim

Ekstravaganca e veshjes te nxënësit, e parëndësishme për prindërit apo dorëzim? Po shkolla si duhet të ndikojë?

Ekstravaganca e veshjes në shkollë; mungesë rëndësie për këtë kriter nga ana e prindërve apo dorëzim nga paaftësia për të mësuar fëmijët se si duhet të vishen në shkollë?! Po shkolla çfarë ndikimi duhet të ketë në këtë drejtim?

Shkruar nga Alma Mara 


Ekstravaganca e veshjes në shkollë; mungesë rëndësie për këtë kriter nga ana e prindërve apo dorëzim nga paaftësia për të mësuar fëmijët se si duhet të vishen në shkollë?!


- Një adoleshent priret të kopjojë në veshje një të panjohur të famshëm me kusht që të jetë njëlloj ose “më mirë” (sipas tij) se bashkëmoshatarët e tij.


Prindërit zakonisht janë modeli i rrallë për t’u ndjekur edhe pse investitori më i madh në jetën e fëmijës është pikërisht ai. Në të gjithë botën përplasja midis brezave është arsyeja përse ligjet e forta nëpër institucione vetërregullojnë funksionimin e tyre pa qenë nevoja për ndihmën e prindit për të kontrolluar kode që në të vërtetë i takojnë institucionit t’i hartojë, miratojë dhe zbatojë.


Kodi i veshjes në gjithë botën përcakton si duhet të jetë i veshur një nxënës shkolle dhe cilat janë veshjet, aksesorët dhe stilet e veshjes të ndaluara për shkollat. Këto kode kanë modeluar jo vetëm veshjet e nxënësve, por mbi të gjitha mendimin e tyre për shkollën. Për ta, shkolla është një vend që dhe pse i mërzitshëm, ajo frekuentohet për të mësuar “diçka” apo “ shumëçka”.


Në ndryshim nga idealizimi i vizionit të të rinjve në botë për shkollën, në Shqipëri konceptimi për shkollën  i kapërcen kufijtë e normalitetit. 


Dukja (shqetësim i adoleshentëve kudo në botë) në Shqipëri ka shpërthime të ekstravagancës që nuk njeh kod; xhinse të grisura, bluza të shkurtra që ekspozojnë barkun, pantallona të ngushta apo streçe, thonj dhe qerpikë të zgjatura, aksesorë të dukshëm, çantë të papërshtatshme për libra e mjete shkollore…

Një “dress code” i thyer apo akoma më keq i përbuzur, nuk ia heq misionin shkollës, por anashkalon prioritetet e saj duke bërë që investimi prindëror të bjerë në thonj e qerpikë dhe jo në libra apo projekte shkollore. 


Natyraliteti i moshës shkollore ka kapërcyer keqas dukjen e një adoleshenti të zakonshëm duke bërë që të numërohen me gishta adoleshentet me “thonj të ngrënë” apo me dëshirë për të veshur uniformë shkollore. 


Në çdo vend europian qendrat estetike respektojnë një kufi moshor të klientëve të tyre. 


Në Shqipëri një adoleshente mund të kryejë shërbime estetike duke “u bërë gati për shkollë” me thonj ekstremisht të gjatë, qerpikë të gjatë që nuk respektojnë përmasat normale të tyre dhe të bëjë make-up pa u shqetësuar për çfarë lejon dhe nuk lejon Rregullorja e Brendshme e Shkollës. 


Thelbi i shkollës kalon në plan të dytë duke konceptuar edhe nisur nga ironia e fatit; nxënësit tanë punojnë në kushte të vështira. Nuk mbajnë dot stilolapsin apo shkumësin nga thonjtë e tyre të gjatë.


Një shprehje që lidhet me edukimin e fëmijëve thotë: “Problemet e shumë fëmijëve nisin kur prindërit duke mos ditur si t’i edukojnë, zgjedhin t’i kënaqin”.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

649 Lexime
6 muaj më parë