Propozimi

Edmond Tupja: Të futet diktimi deri në klasë të pestë, në arsimin parashkollor duhet folur shqip

Profesori Edmond Tupja është shprehur se duhet rikthyer diktimi në arsimin fillor dhe të bëhen korrigjimet si dikur. Kjo metodë sipas tij nuk mund të bëhet në universitet, siç është propozuar së fundmi nga qeveria, pasi diktimi mësohet me mësimin e gjuhës shqipe.

Në një emision televiziv profesori Edmond Tupja është shprehur se duhet rikthyer diktimi në shkollat e vendit. Ai tha se diktimi duhet futur deri në klasë të pestë dhe të bëhen korrigjimet si dikur dhe se kjo metodë nuk mund të bëhet në universitet, sepse diktimi mësohet me mësimin e gjuhës shqipe.


“Pse e kanë hequr diktimin këta? Rama thotë ta fusim në universitet, por rregullat e gjuhës mësohen me mësimin e gjuhës. Në arsimin parashkollor duhet folur shqip, në muzikë duhen këngë shqip. Në fillore, deri në klasë të pestë të ketë diktim dhe korrigjim. Arsimi në të gjitha shkallët e tij po të funksionojë mirë me vepra për ta mbrojtur shqipen”, tha Tupja. 


Ndërkaq profesori Edmond Tupja u shpreh se gjuha shqipe po vritet dhe po shkërmoqet. Ai theksoi se shumë fjalë përdoren në gjuhë të huaj, ndërsa po zhduken fjalët shqipe në vend të tyre. 


“Unë flas shqip dhe komunikoj shumë mirë me bashkëkombësit e bashkatdhetarët e mi. Ama unë po shoh se shqipja po zhduket. Po vritet alfabeti. Po mbaron. Po shkërmoqet shqipja. Ka dijetarë e historianë shkojnë deri tek origjina pellazgjike. Dakord e dimë nga vijmë, por çështja është se ku po shkojmë. Shikoni se si flitet dhe shkruhet shqipja sot. Kam bërë anketa. Fjala ‘kujtesë’ u zhduk po shënohet vetëm ‘memorie’. Fjala ‘Ngjarje e shënuar’ iku thuhet ‘event’ dhe ‘eveniment’. Thonë ‘startoj’ dhe nuk themi ‘nisi’...”, është shprehur kështu profesor Tupja. 



Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,033 Lexime
1 vit më parë