5 Tetori

Dita Ndërkombëtare e Mësuesit, mbështetje e inkurajim për arsimtarët

Profesioni i mësuesit nderohet kudo nëpër botë dhe kjo mund të bëhet në çfarëdo datë, mirëpo në kalendarin e UNESCO-s, 5 tetori është Dita Ndërkombëtare e Mësuesit. Qëllimi i kësaj dite është të ofrojë mbështetje e inkurajim për mësuesit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, në vitin 1994, ka përcaktuar 5 tetorin si Ditën Botërore të Mësuesit, për të përkujtuar nënshkrimin e Rekomandimit, në lidhje me Statusin e Mësuesve, miratuar nga ana e ILO/UNESCO, në Paris, më 5 tetor 1966. Po në këtë vit, sipas idesë dhe sugjerimit të UNESCO-së, pedagogu zviceran Robert Dottrens (1893 - 1984) hartoi edhe betimin solemn të mësuesit mbi bazën e betimit të Hipokratit.


Sipas UNESCO-së, 5 tetori si Dita Botërore e Mësuesit është një mundësi për të treguar që puna e mësuesve është njëra nga më të rëndësishmet për zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë.


Kjo ditë është edhe një mundësi e mirë që interesi publik të orientohet, në njohjen e rolit të mësuesve në mbarë botën dhe për rëndësinë e tyre në shoqëri, nevojën e sigurimit të një arsimimi dhe trajnimi më të mirë të mundshëm të tyre para se të hyjnë në klasë, pasi që cilësia e përgatitjes së mësuesve ka një rol të rëndësishëm edhe në cilësinë e arsimit. 


Pikërisht për këtë arsye Internacionalja e Arsimit (Education Internationale – EI), me seli në Bruksel të Belgjikës, ka disa vjet që ka ndërmarrë një fushatë të gjërë për vlerësimin dhe propagandimin e kësaj Dite. Si rrjedhojë, sot 21 vende në botë (Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Kanada, Estonia, Gjermania, Lituania, Maqedonia, Maldivet, Mauritania, Moldavia, Holanda, Pakistani, Filipinet, Kuvajti, Katari, Rumania, Rusia, Serbia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Mbretëria e Bashkuar) e festojnë 5 tetorin si ditë e vetme e mësuesit në vendet e tyre, ndërsa mbi 100 vende në botë, në mënyra të ndryshme e shënojnë ose e vlerësojnë Ditën Botërore të Mësuesit, krahas ditëve të tyre kombëtare. 


  • Çdo vit EI me 401 organizatat e saj anëtare, nga 172 shtete dhe territore, ka ndërmarre fushata për ndërgjegjësimin publik në evidencimin e kontributit të profesionit të mësuesit. 
  • Më 5 tetor organizatat e mësuesve kudo në botë mobilizohen për të siguruar që nevojat e gjeneratës së ardhshme të merren në konsideratë në këtë botë komplekse, shumë kulturore dhe me një teknologji në rritje.

Rekomandimet e ILO/UNESCO Lidhur me Statusin e Mësuesit janë standarde ndërkombëtare për profesionin e mësimdhënies. Rekomandimet e vitit 1966 mbulojnë të gjithë mësimdhënësit e nivelit shkollor, duke filluar nga niveli parashkollor e deri në nivelin e mesëm, në të gjitha institucionet publike ose private, të arsimit akademik, teknik, profesional, apo artistik.

Këto Rekomandime, më vonë do të plotësohen edhe me Rekomandimet e UNESCO-s në lidhje me Statusin e Personelit Arsimor të Arsimit të Lartë të vitit 1997, e të cilat mbulojnë të gjithë personelin e mësimdhënies dhe të kërkimit në nivelin e arsimit të lartë.

Lidhur me Ditën Botërore të Mësuesit është me rëndësi të veçantë edhe një dokument tjetër ndërkombëtar, i ashtuquajtur “Udhëzime për politikat e promovimit të punës së denjë për personelin arsimor të fëmijërisë së hershme” (parashkollore), miratuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës ILO, në vitin 2014.


Pak nga deklerata e Forumit Botëror të Arsimit


“Ne sigurojmë që mësuesit dhe edukatorët do të jenë të fuqizuar, të rekrutuar në mënyrë adekuate, të trajnuar mirë, profesionalisht të kualifikuar, të motivuar dhe të mbështetur me resurse të mira, sisteme efikase dhe të qeverisura në mënyrë efektive...”

Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,062 Lexime
1 vit më parë