Disleksia dhe çrregullimet e të nxënit te fëmijët
Intervistë me psikologen e njohur Lorela Garuli, e cila na infornon rreth fëmijëve të cilët kanë vështirësi në të nxënë. Fëmijët që vuajnë nga çregullimet e të nxënit nuk është se nuk dinë të mësojnë, thjesht kanë një mënyrë tjetër të mësuari.
Cilat janë mënyrat më efikase të të nxënit?
Cdo individ mëson më mirë në një formë të caktuar. Përshembull dikush mund të mësojë më mirë vizualisht, dikush tjetër duke dëgjuar, dikush duke krijuar një lloj skeme, kështuqë nëse duhej të bëja një përkufizim të tillë, një përgjigje shumë e thjeshtë do ishte “mënyra më e mirë të nxënit është ajo që përshtatet më shumë me stilin konjitiv të fëmijës”. Të lexuarit, shkrimi, shqiptimi, janë detyra komplekse për fëmijët, por fëmija është i formuar që edhe gjenetikisht, edhe biologjikisht t’i mësojë këto sjellje apo veprimtari. Megjithatë ka disa raste ku fëmijë të caktuar kanë vështirësi dhe këtu fillojmë të flasim për vështirësitë në të nxënë dhe çrregullimet në të nxënë.
Si mund t’i evidentojmë, cili është hapi i parë?
Gjëja e parë që duhet bërë është dallimi midis vështirësive të të nxënit dhe çrregullimeve të të nxënit, për arsye nga më të ndryshmet. Disa nxënës mund të shfaqin vështirësi apo performancë më të ulët në periudha të caktuara të jetës së tyre, apo në disa lëndë të veçanta. Ndërsa fëmijët që mirëfilltazi vuajnë nga një prej çregllimeve të të nxënit mund të shfaqin dëmtime, vështirësi shumë më të mëdha që evidentohen dhe vetëkuptohen gjatë procesit diagnostifikues.
Çfarë është disleksia?
Disleksia prek zakonisht shkrimin, leximin dhe të kuptuarit të teksteve të shkruara. Mosha minimale kur mund të bëhet vlerësimi i mundëshëm i disleksisë është fundi i klasës së parë fillore. Normalisht ka disa lloje çrregullimesh të të nxënit. Disleksia është grupi kryesor. Është e trashëgueshme. Prindi i një fëmije disleksik ka dispozitën për ta shfaqur apo ka hasur vështirësi në të nxënë.
Si mund ta kuptojmë apo njohim një fëmijë disleksik? A është e lehtë nga prindërit të evidentojnë kur fëmija ka probleme në të nxënë?
Prindi, mësuesi, edukatori e evidenton fillimisht, sepse çregullimi shfaqet në aspekt sjellor, shkollor, gjuhësor dhe psikomotor. Kjo do të thotë që një fëmije disleksik ka vështirësi në të kuptuar dhe në përdorimin e shkronjave, numrave, teksteve. Një vështirësi që shfaqet në moshën shkollore. Fëmija nuk kupton domethënien e asaj që lexon, vështirësi ortografike, heq, shton zanore, bashkëtingëllore, vështirësi në kujtesën hapësinore dhe në atë kronologjike. I mësojnë me shumë vështirësi ditët e javës apo konceptin e muajve kalendarikë. Lidhin me shumë vështirësi atletet ose këpucët. Shfaqin vështirësi më tej në njohuritë akademike, shkollore, siç është leximi i pasaktë apo i ngadaltë i fjalëve. Mund të lexojë me gabime. Mund të jetë në klasën e tretë apo të katërt dhe vazhdon t’i ndajë me rrokje. Pra nuk lexon rrjedhshëm, ka vështirësi për t’u shprehur me shkrim, nuk vendos ku duhet shenjat e pikësimit. Ka vështirësi të shprehë idetë, nuk mëson dot një gjuhë të huaj. Këto janë disa nga problemet më të evidentueshme.
Sipas mendimit tuaj a i ofron sistemi arsimor shqiptar kushtet e nevojshme per t’u ardhur në ndihmë këtyre nxënësve?
Në përgjithësi sistemi arsimor shqiptar nuk ofron hapësirat e nevojshme qoftë edhe ato ligjore. Nëse i referohemi vendeve fqinjë, qoftë edhe ktyre që kemi shumë afër si Italia, Greqia, çrregullimet e të nxënit trajtohen nga legjislacioni i arsimit përkatës në forma të ndryshme. Nëse është një fëmijë që nuk mëson dot, atëherë i përshtasin të gjitha strategjitë dhe kushtet infrastrukturore të arsimit këtij fëmije. Fatkeqësisht te ne kjo nuk është e mundur dhe kjo është arsyeja pse këto fëmijë stigmatizohen si dembelë, sikur nuk duan, sikur janë indiferentë. Në vend që ne të rriturit t’i ndihmojmë ato për t’i kaluar këto vështirësi, nuk bëjmë gjë tjetër, veçse ia shtojmë barrën, sepse përveç vështirësive që ai kalon do të ndihet edhe i moskuptuar.
Sa ndikon prania e specialistëve tek këta nxënës?
Duhet patjetër prania e specilaistëve. Pra, është e një rëndësie themelore dhe do të ndryshonte cilësinë e arsimimit të këtyre fëmijëve, por edhe jetesës së tyre, sepse vështirësi të tilla ndikojnë në uljen e vetëbesimit të tyre, lindjes së bullizmit etj.
Fëmijët autikë dhe disleksikë a mund të trajtohen njëlloj?
Për sa i përket punës me fëmiëjt disleksikë apo me fëmijët me vështirësi në të nxënë dhe me fëmijët me autizëm ka një ndryshim shumë të madh konceptual, parimor, teorik, sepse janë çregullime absolutisht shumë të ndryshme. Autizmi është spektër, është çregullim neurologjik, i vazhdueshëm. Edhe dislkesia është e lindur. Terapia në rastet më të mëdha e fëmijëve me vështirësi në të nxënë, bëhet gjatë viteve të shkollës, ndërkohë që fëmijët me autizëm mund të pikasen shumë më herët rreth moshës tre vjeçare, sado që studime të ndryshme hedhin hipoteza të ndryshme, disa studime tregojnë se autizmi njihet në moshë edhe më të hershme. Sigurisht që në rastet e autizmit, ndërhyrja do të jetë shumë në nivel sjellor, në nivel të rritjes së kominikimit, të rritjes së cilësisë së komunikimit, sepse ka edhe fëmijë autikë që nuk flasin, por edhe në terma të menaxhimit të shërthimeve dhe steriotipive të tjera, gjë që absolutisht nuk hasen tek çregullimet e të nxënit. Siguisht që fëmijët me autizëm kanë elementë të vështirësive të të nxënit, por kjo vjen si rrjedhojë edhe e aftësive të tjera të tyre që janë të dëmtuara, por fëmijët që vuajnë nga çregullimet e të nxënit nuk është se nuk dinë të mësojnë, thjesht kanë një mënyrë tjetër të mësuari. Një fëmijë disleksik që nuk është i mirë me fjalët, mund të studiojë, mund të mësojë, mund të memorizojë shumë më mirë nëpërmjet hartave, grafikëve, skemave, skicave, pra është thjesht një zëvendësim i mënyrës si ne duhet t’ia paraqesim informacionin.
(Intervistoi P.Shtini; Portali Shkollor)
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Rëndësia e bashkëpunimit shkollë-familje
Shembuj se si mund të përpiloni një CV