Disa mënyra që u këshillohen prindërve për qetësimin e fëmijëve dhe drejtimin e tyre drejt normalitetit
Për prindërit kjo periudhë e mbushur me ngarkesë emocionale, është një mision për të larguar frikën dhe ankthin tek fëmijët. Ngjitja pas teknologjisë është këshilla e fundit që i duhet ofruar fëmijëve aktualisht. Pikërisht tani është koha e fjalës.
Shpjegimi, informimimi, dëgjimi i asaj që ndjen fëmija është mënyra më e mirë për të shkarkuar grumbullimin e gjendjeve emocionale të fituara nga fëmijët gjatë këtyre ditëve.
Sigurisht janë ditë të jashtëzakonshme dhe të gjithë kanë përvojat e tyre të rënda. Mirëpo kjo situatë nuk duhet lënë mbi supet e fëmijëve si një gjendje e pashpjeguar apo si një ëndërr e keqe e tyre e cila mbaroi. Janë prindërit që fillimisht duhet të përkthejnë heshtjen e fëmijëve të tyre, vrapin drejtuar derës, grindjet pa motiv dhe mbi të gjitha frikën referuar situatës. Fëmijët sot janë në shtëpitë e tyre disa prej të cilave të dëmtuara, në hotele pritëse të familjeve të prekura nga tërmeti, në çadra, pranë njerëzve të tyre, rrethuar nga njerëz të panjohur etj. Pra rreth tyre është një mjedis jo i zakontë. Kjo i fal fëmijëve pasiguri dhe i takon prindërve fillimisht të bëjnë shpjegimin se çfarë po ndodh.
Cilat mund të jenë disa nga mënyrat e qetësimit të fëmijës dhe drejtimit të tij drejt normalitetit?
Dëgjohet fëmija se çfarë ndjeu kur ndodhi lëkundja e shtëpisë (në këtë mënyrë prindi kupton sa i frikësuar ka qenë dhe është fëmija e tij).
Në rastin kur fëmija ka biseduar me moshatarë të tij (shokë të lagjes ose kushërinj) pyetet se si ishin ndjerë ato në momentet e lëkundjes. Kjo pyetje e bën fëmijën të krahasojë gjendjet dhe në këtë mënyrë prindi evidenton shkallën e ngarkesës emocionale që ka fëmija i tij krahasuar me moshatarët e tjerë. Në këtë moment fëmija sigurisht është ngarkuar emocionalisht. Është rradha e prindit të shpjegojë. Nuk është e tepërt që në një mënyrë të thjeshtë prindi të shpjegojë çfarë ka ndodhur. Shpjegimi të jetë i mbushur me sigurinë se kjo gjendje është kalimtare, se pavarësisht se duket e vështirë do të kalojë.
Nuk duhet lënë pa sqaruar gjithçka ka ndodhur. Në këtë mënyrë bëhet prindi prezantues i dukurisë dhe i hiqet fëmijës mundësia të eksplorojë vetë mbi të panjohurën. Fëmija shikon vetë dëmet, shikon atë që paraqet televizioni, por ajo që tregon prindi është realitet i ndërthurur me sigurinë që kërkon fëmija.
Nuk duhet shtyrë ushqyerja e fëmijës. Madje sugjerohet që të ushqehet në oraret e zakonshme. Në rast se për arsye të gjendjes së rënduar të ambientit koha e ushqyerjes shtyhet në kohë, kjo të bëhet për gjithë familjen. Rekomandohet marrja e vaktit me të gjithë anëtarët e familjes në të njëjtën kohë. Kur fëmija është në moshën parashkollore i ofrohet vazhdimisht diçka për të ngrënë.
Rekomandohet qetësi për prindin. Pra ai në fytyrën e tij duhet të paraqesë qetësi. Pamja e një prindi të qetë është siguri për fëmijën. Një prind i tkurrur në frikë, që flet vazhdimisht për përvoja të hidhura, është karikues stresit të fëmijës.
Lër në fushëpamjen e fëmijës libra, mjete për të vizatuar, lojëra ndërtuese e formuese, një televizion tek një kanal për fëmijë. Çfarë do t'i pëlqejë fëmijës do t'i marrë lehtë vëmendjen atij. Koha e ankthit të fëmijës do të mbushet me pasionin e tij ose dëshirën për t'u marrë me diçka. Ajo çfarë do të zgjedhë fëmija do t'iu japë informacion të mirëfilltë se si ndjehet ai.
Sugjero çfarë duhet të bëjë fëmija! Nëse fëmija zgjodhi të vizatojë dhe nga vizatimi që bëri ai e zbërtheu gjendjen e rënduar të tij, sugjeroi ide. Orientoje drejt temave festive; psh: vizato Pemën e Vitit të Ri, Babagjyshin etj. Në këtë mënyrë fëmija nis të mendojë për të ardhmen e qetë.
Bëje fëmijën pjesë të bisedave të të rriturve të familjes. Në kushtet e një gjendje të ngarkuar, atmosfera në familje, komunikimi, bisedat janë po ashtu të ngarkuara. I takon të rriturve të moderojnë përshkrimin e bisedave në mënyrë që fëmija të bëhet pjesë e tyre. Pjesëmarrja e fëmijëve në biseda jo vetëm ndihmon fëmijët, por edhe të rriturve u jep mundësinë të qetësohen duke dëgjuar fëmijë që flasin, shpjegojnë dhe japin mendime.
Mos harro! Situatat e jashtëzakonshme kanë edhe copëza momentesh qesharake. Tregojani ato fëmijëve! Madje kërkoni prej tyre të tregojnë dhe ato situata të tilla. Kjo i mëson fëmijës që e mira dhe e keqja udhëtojnë së bashku në jetë. Kjo nuk i thuhet me fjalë fëmijës, por me rritjen e tij ai kupton që gjithçka ka ndodhur është pjesë e jetës.
....dhe këtë jetë, pavarësisht se të mbushur edhe me momente të tilla, ja shpjeguat të parët pikërisht ju që i sollët në jetë. Është jo vetëm detyrë por mbi të gjitha përgjegjësi juaja.
(Alma Mara, Portali Shkollor)
Rëndësia e bashkëpunimit shkollë-familje
Shembuj se si mund të përpiloni një CV
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?