Disa këshilla se si mësuesit mund të ruajnë shëndetin mendor të fëmijëve pas rikthimit në shkollë
Periudha e pandemisë ka shkaktuar stres veçanërisht te fëmijët. Ruajtja e shëndetit të tyre mendor, kur të kthehen në shkollë, është pak e vështirë. Mësuesit e dinë se nuk mund të jenë vetëm akademikë, por ata duhet t’i ndihmojnë nxënësit e tyre duke i mbështetur edhe psikologjikisht.Këto janë disa sugjerime.
Gjatë periudhës së Covid-19 kemi dëgjuar për shumë raste infektimesh, madje dhe raste vdekjesh. Është vënë se re se, veçanërisht mësuesit, shqetësohen për ato pasoja të pandemisë të cilat janë shumë më pak të llogaritshme. Për shembull, kjo situatë ka sjell stres sidomos për fëmijët dhe është pak e vështirë ruajtja e shëndetit të tyre mendor kur ata të kthehen në shkollë.
Mbyllja e shkollës dhe distanca sociale kanë nxjerrë në pah betejat ekzistuese si: pasiguria ushqimore, depresioni dhe abuzimi. Shumë fëmijë kanë hasur mbase humbjen e punës së prindërve, tendosjen financiare, ose çështje familjare dhe trazira personale dhe të gjitha këto brenda katër mureve të shtëpive të tyre.
Mësuesit nga ana tjetër e dinë që nuk mund të jenë vetëm akademikë, por ata duhet t’i ndihmojnë nxënësit e tyre. Ka shumë sugjerime që mësuesit mund të bëjnë për të mbështetur studentët që kthehen gjatë COVID-19.
Flisni sa më shumë me ta
Shërimi nga trauma zgjidhet brenda marrëdhënieve. Komunikimi është çelësi i një marrëdhënie të mirë. Mos prisni që fëmijët të hapen menjëherë për ndjenjat e tyre. Përdorni ditët e para të kthimit në shkollë për të krijuar raport dhe për të mësuar në lidhje me hobet, familjen dhe interesat që ata kanë. Ndryshimet që kemi përjetuar këto kohë janë në mendjen e gjithkujt. Ndaj lejoni nxënësit t'ju bëjnë pyetje dhe jepuni atyre një përgjigje. Ndani disa nga ndjenjat tuaja personale për gjithçka që ka ndodhur. Kjo gjë i ndihmon fëmijët të shohin përvojën e një të rrituri dhe t'i shohin emocionet në një mënyrë të shëndetshme.
Ndihmoni ata të jenë kreativ
Arti është një mënyrë e fuqishme për të hequr traumën, qoftë përmes shkrimit, pikturës apo ndonjë pasioni tjetër; janë të shumtë ata që kanë gjetur shërim përmes shprehjes së përvojave në mënyrë krijuese. Nxënësit e fillores mund të krijojnë një ditar të thjeshtë të ilustruar me secilën faqe kushtuar diçkaje në lidhje me jetën e tyre, që ka ndryshuar. Nxënësit e klasave më të larta mund të shkruajnë letra, duke shpjeguar ngjarjet e gjashtë muajve të fundit, duke përfshirë reflektime personale për ato që kanë mësuar dhe çfarë u mungojnë. Ose mund të krijojnë një pikturë abstrakte që përfshin emocionet e kësaj kohe.
Mësojuni atyre fuqinë e mendimeve
“Të vërtetat” që i kthejmë në trurin tonë kanë një ndikim të madh në mënyrën se si ndjehemi për jetën tonë. Ndihmoni nxënësit të bëhen të vetëdijshëm për ato që po mendojnë. Mendimi ose shprehja "Gjërat do të shkojnë gjithmonë keq" mund të shndërrohen në "Gjërat do të përmirësohen". "Nuk ka asgjë që mund të bëj" mund të bëhet "Unë mund t’ia dal". Kjo nuk ka të bëjë me optimizmin e verbër; ka të bëjë me identifikimin dhe zëvendësimin e mendimeve të gabuara me mendime të vërteta që na ndihmojnë të jemi më të shëndetshëm.
Modeli i vetë-kujdesit
Për shumë nxënës (dhe të rritur), ideja e vetë-kujdesit nuk është e njohur. Shpjegoni nxënësve se, kur të ndjehen të mbingarkuar, do të thotë që ata kanë nevojë për pushim. Për shumë njerëz, kujdesi për veten në këtë drejtim mund të duket si një ekspozim i kufizuar ndaj mediave, pavarësisht nëse kjo do të thotë fikje e TV-së ose mos lexim i lajmeve në media sociale. Edhe fëmijët e vegjël e kanë autorizimin të kërkojnë ndalimin e bisedave rreth koronavirusit në tryezën e darkës, kur ata e kanë të nevojshme këtë gjë.
Kërkojini të tregojnë anët pozitive të gjërave
COVID-19 ka shfaqur përpara nesh një periudhë të vështirë gati-gati tragjike. Por a ka gjëra të vogla për të cilat nxënësit mund të tregojnë? Për shembull, a ka mësuar ndonjëri prej tyre ndonjë aftësi të re gjatë izolimit social? Mund t’u kërkoni atyre të tregojnë momente të gëzuara familjare ose të tregojnë qoftë edhe për marrjen e një kafshe shtëpiake në banesën ku jetojnë. Mund të jetë gjithashtu e dobishme që të reflektoni duke kujtuar heroizmat që keni parë këto kohë. Filloni të bisedoni për personat që treguan gatishmëri dhe vetëmohim përballë rrezikut. Flisni për mënyrat se si janë bashkuar komunitetet ose individët që kanë bërë sakrifica këto kohë pandemie. Një vështrim rreth të gjitha këtyre do ndihmonte nxënësit që të identifikonin anët pozitive dhe të kuptonin se ngjarjet nuk janë vetëm negative.
Inkurajoni ata të ndërmarrin veprime
Nuk ka asgjë më pozitive se sa ndjesia për të ndryshuar diçka. U thoni nxënësve tuaj që të merren me aktivitete të ndryshme shoqërore. Ata mund të kontaktojnë një spital lokal për të mësuar se si fëmijët mund të shkruajnë shënime falënderimi për punonjësit e vijës së përparme. Ose filloni një fond klasash për Kryqin e Kuq ose ndonjë organizatë tjetër.
Sugjerojini të bëjnë plane për të ardhmen
Të gjithë duhet të kujtojmë se, megjithëse jeta nuk është saktësisht ajo e njëjta si më parë, kriza aktuale nuk do të zgjasë përgjithmonë. Bisedoni me nxënësit se në cilin vend apo shtet ata dëshirojnë të shkojnë kur kjo gjë të jetë përsëri e mundur. Kërkojuni atyre të përshkruajnë ditën e tyre ideale kur gjithçka të jetë si më parë, pa frikën nga COVID-19. Ëndërroni së bashku për jetën në anën tjetër të koronavirusit - është e shëndetshme të dini se kjo gjendje nuk do të jetë e përhershme.
Të krijojnë një rutinë dhe të jenë të qëndrueshëm
Pa paralajmërim, COVID-19 ndryshoi të gjithë strukturën e zhvillimit të mësimit, dhe fëmijët ende po ndiejnë efektet. Por kjo nuk do të thotë që mos t’i parapërgatitni ata për çdo lloj situate të mundshme për vitin e ri shkollor. Ata duhet të informohen saktësisht se në çfarë klasash do të bëjnë mësimin, në klasa tradicionale ose virtuale, ose një kombinim i të dyjave. Mundohuni të përsërisni rutinat normale të klasës sa më shumë që të jetë e mundur. Kërkojuni studentëve të gjejnë një vend të qëndrueshëm në shtëpi për mësimin në distancë. Inkurajoni ata të mbajnë një orar të rregullt për gjumin dhe zgjimin në mëngjes. Dhe pastaj sigurohuni që të jenë konsistent. Askush nuk do të jetë kurrë i njëjtë - por falë jush, nxënësit mund të ndjehen shumë më të sigurt.
Përktheu: Besmira Koro
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Rëndësia e bashkëpunimit shkollë-familje
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!