Dilemat e adoleshentëve përtej udhëtimit të pasqyrave, pasqyrim imazhi apo reflektim adoleshent…
“Përgjigja që familja ofron ndaj ndryshimeve të adoleshentit dhe mënyra se si ajo e mirëpret praninë e re trupore, padyshim merr një rëndësi thelbësore. Ndaj vlen të lexoni këshillat e mëposhtme nga punonjësja sociale, Emanuela Dervishi.
Adoleshentët në pasqyrë, nuk synohen vetëm si një pasqyrim i imazhit fizik të dikujt, por si një reflektim adoleshent i karakterizuar nga ndryshime të vazhdueshme në mendjet e djemve dhe vajzave.
Lidhja që thurim me pasqyrën duket për të gjitha qëllimet si një marrëdhënie e thellë,e qëndrueshme, ndonjëherë e ndërlikuar. Pasqyra në fakt mund të jetë një burim sigurie dhe gëzimi të madh, siç ndodh në fëmijërinë e hershme, por edhe të bëhet një objekt që ngjall shqetësim, ankth dhe frikë.
Kështu ndodh natyrshëm në adoleshencë, ku pasqyra e fëmijërisë thyhet, ose në çdo rast nuk “funksionon më”, dhe ajo e moshës madhore të pjekur nuk është zbuluar dhe ndërtuar ende. E veçanta e reflektimit adoleshent është pikërisht dinamika dhe natyra e përkohshme e tij: me pak fjalë, këto pasqyra pëlqejnë të ndryshojnë.
Procesi i pubertetit, si tek djali edhe tek vajza, karakterizohet nga një fenomen unik dhe i parë nga jashtë, ngjall pak frikë: duke mos e njohur më veten në atë imazh para teje. Në fakt, trupi që njihej i lëshon rrugë një organi tjetër, pa paralajmërim dhe pa kërkuar leje. Nga njëra ditë në tjetrën shfaqen qime, puçrra, zëri ndryshon dhe për vajzat vjen cikli i menstruacioneve (fluksi i parë menstrual). Papritur trupi duket se bëhet një i huaj mbi të cilin njeriu ka vetëm kontroll relativ!
Megjithatë, pavarësisht paqartësisë së saj, pasqyra ushtron një ndikim të madh tek adoleshentët – pothuajse sikur dikush donte ta vinte vazhdimisht në dyshim, duke e përdorur atë si një mjet për të zbuluar imazhin dhe identitetin e vet. Djemtë dhe vajzat sikur kanë nisur një “udhëtim pasqyrash” të vërtetë, ku secili prej tyre të kthen një imazh tjetër, herë duke ngjallur krenari, herë siklet, madje edhe turp. Një udhëtim që shkon nga grupi i miqve në ekipet sportive, nga shkolla në familje. Midis pasqyrave të shumta, ekrani meriton vëmendje të veçantë: smartfoni, rrjetet sociale në fakt paraqiten si një pasqyrë magjike, e aftë për të ofruar një imazh shumë të veçantë, sepse është "i zgjedhur", i modifikuar, i kontrollueshëm dhe potencialisht i dukshëm për të gjithë.
Por lind pyetja se për çfarë e pyesin veten adoleshentët në pasqyrë?
Në fakt, kjo fazë e jetës rezulton të jetë një periudhë plot pyetje (“Si t’i pres flokët?”, “Cilin gjimnaz të zgjedh?”, “A jam i/e bukur kështu?”), të cilat jo vetëm e çorienton adoleshentin, por edhe prindërit, të cilët përpiqen të kuptojnë se si, për shembull, ky djalë i rritur ose vajzë e rritur mund të zërë vendin e fëmijës së tyre.
Në këtë kuptim, ne duhet të pranojmë kontradiktat e shumta pa pritur zgjidhjen e tyre të menjëhershme, pasi të gjitha këto pyetje kanë një synim, i cili do të duhet një kohë e gjatë dhe e veçantë për të gjetur një përgjigje: Kush jam unë?
Përgjigja që familja ofron ndaj ndryshimeve të adoleshentit dhe mënyra se si ajo e mirëpret praninë e re trupore, padyshim merr një rëndësi thelbësore. Për të mbajtur këtë moment kritik brenda zonave normale, kënaqësia, siguria, përforcimi pozitiv janë të parat kushte bazë. Nëse familja përgjigjet me tallje, zhvlerësim, me kërkesën për një trup që nuk i përgjigjet individualitetit të të riut, por botës së brendshme të prindërve, idealizimit të fëmijëve të tyre, ky moment normal evolucionar mund të marrë përsipër karakteristikat patologjike.
Luan një rol thelbësor edhe përvoja që adoleshenti ka pasur që nga fillimi i historisë së tij. Nëse ai ka përjetuar sjelljet e një prindi që është mjaftueshëm i/e aftë të kujdeset për trupin e fëmijës së saj/tij, adoleshenti do të jetë në gjendje të përshtatet me transformimet fizike pa shumë trauma, duke mësuar gradualisht të kujdeset për trupin e tij/ saj duke njohur defektet e tij, duke u kujdesur për të, për veten në mënyra të ndryshme. Nëse përvoja e parë e kujdesit dhe përshtatjes ndaj transformimeve trupore ka qenë problematike, adoleshenti do ta gjejë veten në mungesë së burimeve për të përballuar këtë fazë, pasi ai/ajo nuk do të jetë në gjendje të përfitojë nga një përvojë e mirë e mësuar nga prindi i tij/saj.
Prandaj adoleshenti është dëshmitar i humbjes së imazhit të tij/saj para pubertetit dhe detyrohet të shtjellojë transformimin e tij/saj fizik. Dështimet e pjesshme ose totale në kryerjen e kësaj detyre mund të kenë pasoja të rënda psikologjike ,sociale dhe evolucionare dhe të përbëjnë një faktor rreziku të rëndësishëm për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e çrregullimeve të të ngrënit.
Imazhi i trupit i pasqyruar në pasqyrën e sheshtë gjen ngadalë një hapësirë në mendjen e adoleshentit për t'u përpunuar, duke bërë të mundur kështu një ndërgjegjësim të ndryshëm për ndryshimet trupore dhe ndërtimin e një imazhi koherent të trupit.
Si përfundim, sado e zhurmshme apo e heshtur të jetë kriza e adoleshencës, e shpejtë apo e vonuar, është mirë të kujtojmë se kjo betejë nuk kërkon kurrë vetminë, por praninë e të rriturve referues. Prindër që i japin fëmijës së tyre një zë dhe një hapësirë për të dëgjuar atë që po ndryshon: trupin dhe imazhin.
Bibliografia
Fransuazw Bolto,’’Adoleshenca’’: ISBN 9789992754389 Uegen 2020
Pupi/Fresedde, ‘’Fjalët e pasqyrës, mosha e dilemave’’, Fatatrac, 2016.
Gustavo Pietropolli Charmet, ‘’Sinjalet e alarmit, pasiguritë gjatë rritjes’’: Mondadori, 2019
‘’Adoleshentët dhe marrëdhëniet me prindërit ”, J.Spec Pediatr Nurs. Author manuscript; Wisconsin, USA, 2010 Qershor 15.
Nga Emanuela Dervishi
Punonjëse sociale në shkollën 9-vjeçare "Qamil Guranjaku’’Elbasan"
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Çfarë mund të bëjë shkolla për të parandaluar bullizmin?
Bullizmi në shkolla, si mund ta parandalojmë?