Analiza

Dija në “epokën google” dhe rinia

“Bori ka formuar një pikturë intuitive të atomeve të ndryshëm; një pikturë që të mund ta mbartte te fizikanët e tjerë me ndihmën e mjeteve të tilla të papërshtatshme si orbitat e elektroneve dhe gjendjet e kuantit. Nuk është aspak e sigurt se...”

Ende sot, pohimet e dala mode rreth dijes vazhdojnë të struken prapa mënyrës si mendojnë jo pak specialistë dhe mësues për kurrikulën, për procesin e nxënies dhe provimet. Kërkime nga qendra me ndikim në reformat arsimore provojnë se, sapo të bëjmë tonën zhvendosjen nga kuptimi i dijes si tregues i “mendjes së edukuar”, drejt dijes si mjet për të stërvitur një seri zakonesh mendore që i përputhen mendësisë së fuqishme për nxënie dhe veprim, një pamje e re e mundësive do të hapet përpara nesh. Për të nxitur diskutimin, po hedhim një vështrim mbi natyrën e kësaj zhvendosjeje.


Rreth 4000 vjet më parë, në Kinë dhe në Lindjen e Mesme, për fëmijët filloi të zhvillohet një model arsimi që i trajnonte ata për klerikë. Këta të fundit ishin persona që siguronin kontaktin mes zotit dhe njerëzve. Gjatë mësimeve, fëmijëve u ofrohej e Vërteta e Zotit dhe mësonin si të bartej kjo e vërtetë te popullsia. Ky model mësim-nxënieje, bazuar mbi autoritetin e padiskutuar të disave, është përsëritur përgjatë rrjedhës së shekujve. Tutorët dhe profesorët e universiteteve mesjetare, p.sh., përshtatën një version më pak fetar të rasave dhe të kapuçave të murgjve, të njëjtën hierarki të statusit si dhe të njëjtën pamje autoritare. Dija shihej si e Vërteta e Përjetshme, mësimdhënia si transmetimi i qartë i saj dhe nxënia ruajtja e saktë në kujtesë.


Në Mesjetë, dijet në klasa, në universitete apo seminare ndaheshin në disiplina të shkëputura – gjeometri, aritmetikë, gramatikë etj. Mësues të akredituar i zhvillonin këto dije, i përhapnin, vlerësonin përvetësimin e tyre dhe gjykonin për atë që do duhej “llogaritur” si dije. Në shkollat e para publike në botë, në shek. XIX, të rinjve u mësohej leximi, shkrimi, njehsimi dhe disa dije që duhej t’i dinte çdo “njeri i arsimuar” (ose të paktën të familjarizohej me to). Meqenëse këto dije shiheshin si të besueshme, të përhershme dhe të dobishme, nuk ishte detyra e askujt të pyeste se nga erdhën, si u ndërtuan, kush i bëri apo nëse kishin alternativa, nëse qenë të pjesshme apo mund të përmirësoheshin në një farë mase. Kjo nuk ishte puna e mësuesit, sigurisht, as dhe e nxënësve. Në këtë model organizim të mësimit, qëllimi nuk ishte të mendohej për atë që po bënin, ose të zhvillonin ndonjë aftësi apo kuptim të veçantë; qëllimi ishte të viheshin në punë dhe ta përfundonin atë në mënyrë të kënaqshme. Nuk ishte punë e mësuesit të ndihmonte nxënësit si të mendonin apo si të nxënin; ai caktonte detyrat dhe menaxhonte procesin, që puna të ecte si duhet dhe patrazuar. Sepse dija shihej si diçka që kishte kaluar nëpërmjet “Autoritetit të pagjykueshëm” ose ishte nxjerrë dhe pastruar një herë e një kohë ashtu si ari/floriri, nga burra (kryesisht) të cilët ishin shumë më të mençur se mësuesit dhe nxënësit, zakonisht në vende që quheshin universitete. Këtë status “standard ari” e fituan, gjithashtu, edhe disa thesare të tjerë kulturorë si veprat e Shekspirit, Beethovenit etj.


Mirëpo, ne të gjithë e dimë që dija nuk është si realiteti: ajo është gjithmonë e diskutueshme dhe e paplotë. Fizikani i madh danez N. Bor (N. Bohr), fitues i çmimit “Nobel” në vitin 1922, ofroi për strukturën e atomit modelin “e mini sistemit diellor”. Kjo dije, për shumë vite, iu paraqit studentëve të fizikës sikur të ishte e vërteta. Por në autobiografinë e tij, miku dhe kolegu i Bor-it, W. Hajzenberg (W. Heisenberg) – edhe ai nobelist – ka treguar në kujtimet e tij se Bori asnjëherë nuk kishte besuar se ato gjërat e vockla, që i quanin elektrone, rrotulloheshin rreth një grumbulli thërrmijash të tjera, që quheshin neutrone dhe protone. Modeli i tij ishte imazhi / mjeti grafik që ai ndërtoi për t’u dhënë kolegëve të tij një ide të përafërt se si ekuacionet matematike shërbenin për të shpjeguar ato që ai kishte vëzhguar. Hajzenberg-u thotë: “Bori ka formuar një pikturë intuitive të atomeve të ndryshëm; një pikturë që të mund ta mbartte te fizikanët e tjerë me ndihmën e mjeteve të tilla të papërshtatshme si orbitat e elektroneve dhe gjendjet e kuantit. Nuk është aspak e sigurt se vetë Bori besonte se elektronet rrotulloheshin brenda atomit”. Më pas, sigurisht, shumë njerëz të tjerë patën sukses dhe argumentuan bashkë me Borin si dhe përfytyruan ide të reja, që mund t’i shpjegonin edhe më mirë vëzhgimet për kuarket dhe superthërmijat. Të urtit, përpara të cilëve njerëzimi përulet me respekt, e kuptojnë dijen jo si qëllim më vete, por si burim për të bërë gjëra që ia vlejnë si, p.sh., të bindnin njerëzit të mendonin me kokën e tyre. Urtësia e tyre është rrymë ndërhyrjesh dhe provokimesh, sipas personit dhe problemit, sipas situatës dhe rastit; urtësia e tyre nuk sugjeron të Vërtetën e Përjetshme.


Kjo, pra, është dija. Po të mos jemi në botën e provave dhe të deduksioneve matematike, atëherë gjithçka është e përkohshme dhe e rivlerësueshme. Dija është shpikur nga njerëzit për të shpjeguar gjërat e mistershme dhe për të ndihmuar të bëhen gjëra. Dija historike na ndihmon të mos përsëritim gabimet e së shkuarës. Dija gramatikore ekziston për të ndihmuar njerëzit të komunikuar më mirë – të paktën kjo është teoria. Nëse dija funksionon, shumë mirë. Nëse ajo nuk funksionon, atëherë duhet të kërkojmë diçka më të mirë. Për ta thënë më ndryshe, në “epokën google”, shumë më tepër se më parë, dija është relative; tani e më tej, dije është ajo “çfarë funksionon”. Dije nuk është ajo që është e vërtetë, por është ajo që ndihmon; ajo që përdorim për t’i bërë gjërat të funksionojnë. Ajo lidhet me situatën dhe rastin. Prandaj, na duhen të rinj që janë të gatshëm dhe të aftë të kritikojnë, të harmonizojnë, të përpunojnë, të sfidojnë dhe të vazhdojnë së punuari me dijet që kanë sukses. Ata duhet ta shohin veten më pak si individë që luten të druajtur në altarin e dijes dhe më shumë si kritikë dhe krijues me besim në veten e tyre. Dhe ata duhet t’i aftësojmë ta bëjnë mirë këtë gjë. Në ekonomitë e sotme të dijes, për njerëzit është normë të bashkohen dhe të ndërtojnë dijen që u duhet menjëherë, në kontekstin e problemit plotësisht të pangjashëm me diçka tjetër, të ndërlikuar dhe specifik që po gjurmojnë. Ajo që vlen është të jesh i aftë të nxësh dhe të përdorësh dije, jo të kesh një magazinë të pafundme dijesh të përgjithshme për t’i përdorur sipas rastit. Sot, këtë e bën shumë më mirë dhe më lehtë Google.


Për më tepër, sot, duke i trajnuar të rinjtë ta mendojnë dijen si të pandryshuar, i bëjmë ata më pak të zgjuar. Në një eksperiment të para disa viteve, psikologet Ch. Stathopoulo and S. Vosniadou kërkuan të kuptonin nëse qëndrimet që mbanin nxënësit 15 vjeçarë ndaj dijes, ndikoheshin nga mënyra si i mësonin ligjet e lëvizjes së Njutonit. Diçka i befasoi; ato gjetën se nxënësit, të cilët e kuptonin dijen si konstruksion njerëzor të përkohshëm në pritje për t’u zëvendësuar, vazhdimisht të hapur ndaj pyetjeve dhe ndryshimit, treguan një kuptim më të thellë dhe më të saktë të ligjeve të Njutonit, krahasuar me shokët e tyre të cilët besonin se shkenca është e Vërteta e Përjetshme. Kërkueset, pa emocion, arritën në përfundimin se “nëse jemi të interesuar të projektojmë mjedise nxënieje të dobishme, është e rëndësishme të zhvillohen kurrikula dhe mësime të hartuara qartësisht, që të ndihmojnë përsosjen e aftësive njohëse dhe zbatuese”. Sa kaq, duke trajnuar të rinjtë ta mendojnë dijen si të pandryshuar, i bëjmë ata më pak të zgjuar, pikërisht, kur ata kanë të bëjnë me diçka të respektuar si Ligjet e Njutonit.


Atëherë, nëse dija e dobishme është ndërtim njerëzor i përkohshëm, përse përpiqemi t’i bindim të rinjtë të besojnë të kundërtën? Përse po vazhdojmë të veprojmë sikur studimi i dijes si qëllim më vete – sipas një mënyre që nuk ngjall interes, por frikë dhe respekt – është një gjë interesante për t’u bërë, pa ndjerë aspak nevojën të shpjegojmë se çfarë mund të bëhet me këtë studim (përveç se të kalohen provimet)? Përse vazhdojmë t’u mësojnë të rinjve, të themi, kohët e foljes, kryqtarët apo algoritme teorike pa fund, thua se ata po diplomohen në një botë ku dija bëhet dhe jo në një botë ku dija zbatohet? A nuk do vlente më shumë, nëse i argëtojmë djemtë dhe vajzat tona, duke u treguar të gjitha shkathtësitë, dyshimet, bisedat dhe kontradiktat që janë materiali përbërës i dijes – dhe t’i ndihmojmë ata t’i përvetësojnë më mirë mënyrat sipas të cilave ndërtohet dija?


(Pëllumb Karameta, GSH, Portali Shkollor)

2,120 Lexime
6 vjet më parë