Dhjetë sekrete për të mësuar dhe për të mbajtur mend
Të marrësh pak kohë pushim, të luash, studiosh me të tjerët. Përveç teknikave klasike, ka shumë mënyra që na ndihmojnë të mësojmë diçka dhe fiksojmë atë mirë në kujtesë. Shikoni 10 mënyrat më efikase sipas studiuesve.
Edhe kur provimet e shkollës, janë një kujtim shumë i largët, etja për dije nuk zbutet ndonjëherë. Synimi mund të jetë fitimi i një aftësie të re si për të folur më mirë një gjuhë tjetër, luajtur një instrument muzikor apo thelluar dijet për një hobi të ri, pra kalohet e gjithë jeta duke mësuar. Për të fituar një kuic apo tërhequr vëmendjen e dikujt duhet vetëm të përditësohesh mbi argumente, nevoja për të ditur është e pafundme. Pra mund të mendohet se njerëzit tashmë kanë përvetësuar teknikat për të mësuar, por në të vërtetë ato më të zakonshmet janë goxha të padobishme. Lajmi i mirë, është se ka sekrete për të mësuar më mirë dhe q funksionojnë në çdo moshë.
1. Të dini kur mësoni
Të moshuarit, janë më rezultativë në mëngjes. Sipas një studimi, tek një grup njerëzish mes 60- 82 vjeç, nga Instituti i Kërkimeve Rotman i Shkencave Shëndetësore “Baycrest” në Toronto, Kanada, tregoi se vullnetarët ishin me tepër të përqendruar dhe u paraqitën më mirë në testet e kujtesës, mes orës 08:30- 10:30 të paradites. Ndërkohë, ishin më dobët mes orës 1-5 të pasdites.
Rezonanca manjetike funksionale, zbuloi se pasdite truri i tyre “punonte minmalisht”: ishin futur në të ashtuquajturën “modelin e parazgjedhur”, zakonisht i lidhur me ëndërrimet. Ndërkohë, tek të rriturit më të rinj, zonat e lidhura me kontrollin e vëmendjes, ishin ende shumë aktive deri pasdite, thuajse të pandryshuara.
Studimi ka konstatuar se vajzat e moshës 16 deri 17 vjeç dilnin më mirë në testet e kujtesës në rast se kishin studiuar në orën 3 të pasdites, në vend të orë 21:00 të mbrëmjes, por fitonin shpejt më shumë aftësi mbi lëvizjet, nëse praktikoheshin në mbrëmje.
2. Pyet veten
Gjatë një studimi historik, mbi rëndësinë e vetëverifikimit, Xhefri Karpik i Universitetit Pardju në Uest Lafajet në Shtetet e Bashkuara, kërkoi nga një grup studentësh, të mësojnë domethënien e 40 fjalëve në gjuhën suahili. Ata duhej të përpiqeshin vazhdimisht për t’i kujtuar ato më vonë gjatë javës, në fund arritën të mësonin 80%, ndërsa ata që kishin studiuar pa përsëtirur ndonjëherë fjalët gjatë javës, kujtonin mesatarisht vetëm 36% të tyre. Studime të tjera të mëvonshme, konfirmuan hipotezën se të pyesësh veten, është më efektive sesa çfarëdo lloj strategjie tjetër të mësuari, si për shembull të vizatosh diagrame, për të përfaqësuar idetë që përmban një tekst.
Nëse e kaloni me rradhë ndërmend këto fjalë suahili,do t’i kujtoni shumë më lehtë: adhama (nder), adui (armik), Buu (krimb), chakula (ushqim), daina (thesar), elimu (shkencë), fagio ( fshesë), farasi (kalë), fununu (thashetheme), goti (gju), kaputula (pantallona të shkurtra), ndoo (kovë), pombe (birrë), sumu (helm), tabibu (mjek), theluji (borë) tumbili (majmun), usingizi (gjumë), yai (vezë), ziua (liqen).
Nëse kjo ju duket shumë e vështirë, mos u dekurajoni. Nejt Kornel dhe kolegët e tij në “Uilliams College”, Shtetet e Bashkuara, zbuluan se e rëndësishme nuk është aq shumë t’ia dalësh të rifitosh informacionin që po mëson, por të përpiqesh. Duket në fakt, se të dëgjosh të përsëritur përgjigjen e saktë, ndihmon në memorizimin e saj, sesa duke e ndërmendur me veten.
“Ishte një zbulim i papritur”- thotë Kornel.“Studiuesit e kujtesës, kanë supozuar gjithmonë se mendja krijon ‘shtigje’ nga pyetja tek përgjigjet duke ndjekur gjithë rrugën. Tashmë, është më e rëndësishme të ndiqni vetëm një pjesë të rrugës dhe pastaj të kontrolloni përgjigjet”. Rezultat i studimeve të Kornel, të bën të mendosh se ndoshta duhet të rishqyrtojmë si funksionon kujtesa. Por gjithashtu, ky zbulim u jep një farë shpresë edhe atyre që janë më shumë dembelë.
3. Mëso pa mësuar
Për të mësuar, nuk ka nevojë për shumë përpjekje. Këtë mund ta bëjmë, edhe kur mendja jonë është e angazhuar me diçka tjetër. Beverli Rajt, i “Northwestern University” në Evanston, në Shtetet e Bashkuara, u kërkoi një grupi vullnetarësh të ushtroheshin për të bërë dallimin midis tingujve dhe frekuencave të ndryshme, por shumë të ngjashme me njëra-tjetrën.
Ndërkohë, një tjetër grup e kaloi gjysmën e kohës, duke bërë të njëjtën gjë dhe gjysmën tjetër duke dëgjuar tinguj në sfond ndërsa kryente një ushtrim me shkrim. Në testin final, të dyja grupet regjistruan pak a shumë të njëjtin rezultat, por vetëm nëse të mësuarit pasiv ndodhte brenda 15 minutave nga sesioni aktiv. Nëse kalonin shumë se 4 orë, efekti zhdukej krejtësisht.
Si është e mundur? Rajt sugjeron se trajnimi aktiv, vë në levizje qarkun nervor, të përfshirë në një detyrë të veçantë në një gjendje që lehtëson të mësuarit, dhe se kjo e fundit mbetet për një farë kohe. Derisa zgjat, stimuj të ngjashëm me ato të ndërmarra, përpunohen nga truri “sikur të ishte ende në vazhdim të mësuarit aktiv”, - thotë studiuesi.
Deri tani, Rajt dhe ekipi i tij kanë shqyrtuar vetëm përvetësimin e një aftësie, jo mbi fakte apo ngjarje. Por Lin Hasher dhe kolegët e tij në Universitetin e Torontos, kanë zbuluar se një periudhë e mësimit pasiv, menjëherë pas studimit aktiv, i ndihmon të moshuarit të mësojnë një listë fjalësh. Vullnetarët, që morën pjesë në studimin e tij, thanë se gjatë kësaj periudhe pasive, ata as që e kishin vënë re se fjalët ishin të përsëritura. Të mësuarit pasiv, funksionon më mirë kur bëhet diçka jo shumë angazhuese. Për shembull, ia vlen të dëgjohen për pak kohë disa fjalë të huaja, ndërsa përgatiteni për të ngrënë darkë dhe jo ndërsa po shkruani një e-mail.
4. Shfrytëzoni shpërqëndrimin
Keni prirjen të shpërqëndroheni? Shfrytëzojeni në avantazhin tuaj. “Shumë njerëz supozojnë, se nëse u kushtohet vëmendje disa gjërave në të njëjtën kohë, kjo është diçka e gabuar”- thotë Joo-Hyun Song nga universiteti Brown të Shteteve të Bashkuara. Sigurisht, nëse ndërpresim shpesh studimin për të dërguar një mesazh me tekst, ose përqendrohemi tek dëgjimi i një kënge në kufje, do të mësojmë më pak sesa do të mësonim në heshtje.
“Por mësimi gjithashtu ofron një përbërës të mëvonshëm për rekuperimin e aftësive. Askush nuk kishte studiuar ndonjëherë rolin që luan vëmendja e ndarë tek kujtesa”- thotë ai. Song ka konstatuar se të shpërqëndrohesh teksa studion, mund të jetë e dobishme nëse ju do të jeni i shfokusuar, edhe kur duhet të përdorni atë çka keni mësuar. Tashmë është e njohur se konteksti, mund të lehtësojë shumë të mësuarit.
5. Studioni së bashku
Edhe pse studimi vetëm është i rëndësishëm të diskutosh mbi çështje të vështira me persona të tjerë mund të jetë e dobishme. Sundra Mekguajër, zv. drejtoreshë për didaktikën dhe mësimdhënien në universitetin shtetëror të Luizianas në SHBA, dhe Çmimin Nobel në Kimi, Roald Hofman këshillojnë ndërthurrjen e studimit individual me punën në grup. Në veçanti, pas trajtimit personal të një argumenti, mund të jetë e dobishme për ta diskutuar atë me një studim të vogël prej 3. 6 personash.
Sipas Mekguajër dhe Hofman, grupi duhet të kryejë dy lloje aktivitetesh: debat dhe zgjidhje problemesh. Nëse anëtarët e tij i bëjnë pyetje njëri-tjetrit, atëherë do ta kenë më të lehtë kalimin në teste. Por pasi keni diskutuar materialet, sqaruar dyshimet dhe shfrytëzuar mundësinë për të pyetur njëri-tjetrin, studiuesit thonë se duhet të kthehemi të punojmë vetëm.
6. Luaj video-lojëra
Të luash në kohën e lirë është aktivitet i përsosur nëse jeni duke mësuar përdorimin e kompjuterit, luajtjen e një instrumenti ose praktikimin e një sporti të ri, pra çdo lloj gjëje që ka një strukturë të qëndrueshme, të parashikueshme dhe që kërkon koordinim mes inputeve shqisore dhe lëvizjeve fizike.
Një ekip i udhëhequr nga Xhej Prat, nga Universitetii Torontos, zbuloi se kush përdor një program kompjuterik të tillë si “Call of Duty” 6 deri 8 orë në javë, mëson më shpejt detyrat që kërkojnë koordinim mes syrit dhe dorës. Në fillim këta lojtarë nuk janë veçanërisht të mirë, por përmirësohen më shpejt.
Sipas Prat, shpejtësia e lojës do të rrisë aftësinë e trurit për të formuar “modele” të sakta veprimi, me koordinimin mes syve dhe dorës. “Lojëra me aksion, duke u bërë gjithnjë e më shumë të vështira, kërkojnë një përqendrim shumë të madh të sistemit pamor, atij njohës dhe atij sensomotorik, si dhe përmirëson vazhdimisht efikasitetin”- thotë ai.
Është e vështirë të dihet me siguri se si do të ndikonte mbi aktivitetet e botës reale, luajtja rregullisht në këto lojëra, pasi ka shumë variabla, pranon Prat. “Por nëse një njeri ka filluar një punë që kërkon një aftësi të fortë sensomotorike luajtja për disa orë në javë mund të jetë një investim i mirë”.
7. Relaksohuni
Nëse gjumi konsolidon kujtimet, a mund të ketë një efekt të ngjashëm, marrja e një pushimi pas studimit? Lila Davaki, nga universiteti i Nju Jorkut, skanoi trurin e disa njerëzve që shikonin një seri imazhesh dhe më pas u kërkoi të mendojnë çfarë të duan. Gjatë periudhës së pushimit, aktiviteti i hipokampusit (që është përgjegjëse për kujtesën) dhe ajo e rajonit të lëvoreve të përgjegjëse për “mendimin” u rritën.
Gjithashtu, sa më shumë aktivitet kishte në ato rajone aq më shumë një personi i kujtoheshin imazhet e para, kur ishte vënë në provë. Sipas Davakit, kjo dëshmon për konsolidimin e kujtimeve gjatë pushimit. Nëse sapo kemi studiuar një listë fjalësh, apo jemi përpjekur t’i mësojmë përmendësh disa data historike, bërja e një pushimi të bukur, duhet të na ndihmojë të mbajmë mend informacionin, thotë Davaki. “Është diçka që ne nuk e kuptojmë, veçanërisht sepse sot teknologjitë e informacionit na mbajnë të zënë gjatë gjithë ditës”.
Por çfarë do të thotë të bësh “një pushim të bukur”? Davaki zbuloi se pushimi mund të ndihmojë në konsolidimin e kujtimeve, nëse janë aktive popullatat e neuroneve, ose rajone të tëra të trurit, të ndryshme nga ato aktive, gjatë periudhës së mësimit. Pra, në qoftë se kemi studiuar shumë, ideale është që të shkojmë për një lojë tenisi. Të shtriqesh mund të duket më joshëse dhe ndoshta edhe më produktive. Por në fund të të mësuarit ende nuk e dimë nëse është më mirë thjesht të relaksohemi apo t’ia marrim një sy gjumë.
8. Shtiruni se keni për të mësuar
Është më e lehtë të kujtosh diçka nëse mendohet se më vonë ajo duhet të mësohet. Kornel e zbuloi këtë, kur u dha dhjetë minuta kohë studentëve të “Williams College” për të studiuar një pasazh me 1500 fjalë nga një poemë e Alfred Tenison. Studentëve, që u ishte thënë se më vonë duhet të përcillnin konceptet e mësuara rikujtonin më shumë dhe kujtimet e tyre ishin të organizuara më mirë se ata që thjesht mendonin se duhej kalonin një test.
“Kërkimi ynë tregon se edhe të shtiresh se po mëson kjo të ndihmon”- thekson Kornel. Të pyesësh nëse jeni në gjendje të përsërisni atë që është mësuar me fjalët e tyre ka avantazhe njohëse”.
9. Zgjidhni intervalet e duhura
Sapo kemi mësuar një seri lëvizjesh të shkëlqyera për nisjen e një loje shahu, por cila është koha më e mirë për t’i "shkruar" ndërmend në mënyrë që t’i rikujtojmë kur mund të na duhen gjatë lojës? “Sa më shumë prisni, aq më mirë është”- thotë Kornel. “Ka një kohë kornizë, por ajo është mjaft e madhe”. Është e vërtetë se nëse pritet një kohë të gjatë është e vështirë të kujtohet informacioni. “Por sa më e vështirë aq më shumë mësoni. Kur të kemi nevojë për këtë informacion do të na kujtohet më mirë”-thotë Kornel.
Hal Pashler dhe kolegët e tij në universitetin e Kalifornisë në San Diego, këshillojnë krijimin e intervaleve, mes një ushtrimi dhe një tjetri në përpjesëtim me kohën e kaluar në mes të mësuarit fillestar dhe momentit që ju doni të mbani mend informacionin. Për t’i kujtuar më mirë një javë më vonë ju duhet të shqyrtoni informacionin 2 ose 3 ditë pasi t’i keni mësuar ato. “Nëse doni të mbani mend për një kohë të gjatë është mirë të përdorni një interval më të gjatë, të themi në masën 10%” - thotë Pashler.
Pra, nëse ne duam të kujtojmë diçka pas një viti duhet të kalojmë nëpër mend një muaj pasi ta kemi mësuar dhe pastaj nga një herë në muaj. Për të kujtuar një gjë pas 10 vjetësh, në mënyrë ideale duhet të rikujtoni një herë në vit. Askush nuk e di, se cilat janë mekanizmat mendore pas këtij zbulimi. Por ndoshta lënia e intervaleve të gjata në mes të mësuarit, rishikimi dhe rifitimi i informacionit i tregon trurit tonë se ato njohuri ndoshta mund të na shërbejnë në një periudhë afatgjatë.
Tanimë ekipi i Pashler është duke u përpjekur të zhvillojë mjete praktike të bazuara në hulumtimet e tij. Ka krijuar një algoritëm, që mund të gjenerojë intervale studimi të personalizuara. Formula merr parasysh vështirësitë e materialit dhe aftësive, që një student i veçantë ka dëshmuar në testet e mëparshme. Nga një studim i kryer mbi një grup vullnetarësh, të cilët ishin duke mësuar gjuhën spanjolle rezultoi se planet e studimit të personalizuar rrisnin me 16.5% mësimet që ata të mund të kujtonin në fund të semestrit, në krahasim me 10% të planeve të njëjta për të gjithë.
10. Bëjeni dhe vetëm kaq
Nëse keni vështirësi të studioni dhe rrjedhimisht rezultatet që merrni në një provim janë të dobëta mos u zemëroni shumë me veten. Majkëll Uohl dhe kolegët e tij në Universitetin Karleton në Otava Kanada zbuluan se ata që ia falin vetes faktin se shtynë semestrin e parë të provimeve dalin më mirë në të dytin, sesa ata që nuk ia fal vetes këtë gjë. Për më tepër duket të jenë edhe më optimistë.
Sipas Uohl, falja të lejon të heqësh qafe ndjenjat negative në lidhje me vetveten dhe pastaj na ndihmon të përmirësojmë performancën tonë të ardhshme.
Për të mësuar kërkohet vullnet dhe vetë-kontroll. Forca e vullnetit është si një muskul, thotë Roi Baumjaster i universitetit shtetëror të Floridas: sa më shumë e stërvitni, aq më shumë forcohet. Baumajster gjithashtu thekson se duke ushtruar forcën e vullnetit në një fushë mund të përmirësohesh edhe në aspekte tjera. Nëse ju bëni një përpjekje për të bërë diçka nga mbajtja e rregullit në shtëpi tek të ulurit drejt përmirësohet edhe aftësia për t’u ulur dhe studiuar ose praktikuar.
(Përshtati: Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Çfarë mund të bëjë shkolla për të parandaluar bullizmin?
Bullizmi në shkolla, si mund ta parandalojmë?