Emocionet nëpërmjet pikturave

Detajet që nuk duhen neglizhuar në vizatimin e fëmijës, ju tregojnë vështirësitë dhe ankthin që mund të ketë. Nga Lorela Garuli

Fëmijët që vuajnë nga vështirësi të ndryshme emocionale, kanë formën e tyre të të përjetuarit të emocioneve dhe përvojave jetësore. Më poshtë renditen disa prej veçorive që përmbajnë vizatimet e fëmijëve të cilët vuajnë prej neurozave.

Elemente që tregojnë ankthin dhe problematika të tjera emocionale tek fëmijët në vizatime:

  1. Në rastet e neurozave obsesiv-kompulsive, mbizotërojnë vizatimet me konture shumë të strukturuara, vëmendje e ekzagjeruar e detajeve, me kufij të përcaktuar qartë dhe prirje për të realizuar një vizatim perfekt, që i merr fëmijës shumë kohë.
  2. Ka raste që figurat janë të hijezuara, pa ngjyra të qarta, si një shprehje e ndjenjave ankthioze të neurozës.
  3. Mund të harrohen ose hiqen elementë në vizatim, si rrjedhojë e pakujdesisë dhe pranisë së konflikteve të brendshme.
  4. Mungesë e sintezës dhe organizimit, detajet e vizatimit janë të vendosur në mënyrë konfuze.
  5. Mungesë e harmonisë, rregullit, qartësisë, pastërtisë, në pamje të parë është thuajse e pamundur të kuptohet se çfarë është vizatuar, sepse figurat paraqiten si një përzierje pjesësh dhe kombinime atipike detajesh (njeri me gjymtyrë kafshësh, pemë me kokë njeriu), aq sa duken të frikshme.
  6. Janë një lloj monologu i brendshëm i fëmijës që i vizaton, sepse në terma konvencionalë janë vizatime që duken alogjike, marrin kuptim vetëm brenda botës së fëmijës, janë një shprehje e plotë e imagjinatës dhe subjektivitetit të tij.
  7. Pothuajse mungojnë kufijtë, figurat janë të pambyllura, të papërfunduara, konturet janë shumë të zbehtë, elementët janë të mbivendosur në atë formë sa nuk është e qartë se ku fillon njëri e ku përfundon tjetri.
  8. Vihen re elementë regresivë, ngjyra të errëta, projektime të çuditshme që tregojnë shkatërrime, mungesë jete, konflikte, prishje, vdekje.
  9. Të vizatuarit e figurës njerëzore si të cunguar, ku mungojnë pjesë trupi, gjymtyrë, paraqitje nëpërmjet formave gjeometrike, me mungesë proporcionesh dhe kontraste përmasash. Njeriu mund të vizatohet transparent, pa rroba, lakuriq, me shprehje të zbrazët fytyre, të akullt, pa emocione.
  10. Shpesh vizatohen vetëm konturet, tiparet e fytyrës mungojnë.
  11. Mbizotërojnë simbolet dhe paraqitja e një figure njerëzore hermafroditë, pa bërë dallimin mes dy gjinive.
  12. Vizatimi shumë i vogël i figurës njerëzore, si një shprehje regresioni ose refuzimi ndaj kontakteve sociale.
  13. Shpesh përdoren ngjyra të errëta, kontraste (e kuqe-e zezë), reflekse të së njëjtës ngjyrë ose spektri i ngjyrave të ylberit.
  14. Në disa raste vizatimi shfaq karakteristika animizmi, objektet pa jetë paraqiten me detaje njerëzore, psh: një shtëpi me flokë, një pemë me duar, një lule me sy dhe gojë.
  15. Edhe heqja apo shtimi i elementëve bëhet në mënyrë të veçantë, nuk arrijnë të shprehen simbolikisht dhe të abstragojnë duke vizatuar.
  16. Përmasat mund të jenë të ekzagjeruara, figura njerëzore vizatohet shumë e madhe si një shprehje e nevojës për t’u dukur, ekzibicionizëm, dëshira për të rënë në sy dhe omnipotencë.


Përse duhet të mendohet se nëpërmjet të vizatuarit dalin në pah shqetësimet mendore të fëmijëve? Ashtu siç është cekur dhe shpjeguar më herët, fëmija përveç se vizaton atë që sheh, kryesisht vizaton atë që di dhe mendon. Veprimtaria artistike është në çdo rast një punë krijuese individuale dhe tregon aspektet më të thella dhe të brendshme të personalitetit. Ashtu si ëndrrat, vizatimi shërben si një pasqyrë e të pandërgjegjshmes. Për këto arsye, fëmija i cili vuan një gjendje të caktuar psikologjike, në mënyrë të pashmangshme do ta shprehë këtë edhe në vizatime, meqë ky i fundit është një fletë e bardhë mbi të cilën shkruhen proceset afektive dhe kognitive.



Nga Lorela Garuli, psikologe 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,916 Lexime
1 vit më parë