Higjiena orale

Dentofobia, frika që sjellë pasoja për shëndetin oral dhe jo vetëm

Dentofobia (odontofobia), ose frika nga dentistët, është një fobi e zakonshme midis njerëzve të të gjitha moshave. Artikulli i mëposhtëm ju njeh me pasojat që realisht sjellë kjo lloj frike për shëndetin tuaj oral, ndërsa më poshtë do të gjeni edhe këshilla praktike kundra dentofobisë.

Do të flasim pakëz për një situatë që sjell pasoja për shëndetin oral dhe jo vetëm. 

Dentofobia (odontofobia), ose frika nga dentistët, është një fobi e zakonshme midis njerëzve të të gjitha moshave. Ndonjëherë lidhet me jatrofobinë, ose frikën e mjekëve, si dhe trypanofobinë, ose frikën nga gjilpërat. 


Nëse je duke e lexuar tashmë këtë shkrim a e ndan dot në cilën kategori gjendesh dhe a dëshironi ta luftojmë së bashku?


Arsyeja kryesore është “Dhimbja”.

Kjo lidhet me traumat e mëparshme tek dentisti ose me tabu-në e hershme edhe pse shumë nuk kanë përjetuar trauma. Sot në kabinetet dentare sa vjen dhe minimizohet mundësia për dhimbje. Shpesh dhimbja mbetet individuale dhe pragjet e dhimbjes ndryshojnë tek individë të ndryshëm por ajo që është më e rëndësishme është të mposhtim “frikën” nga gjilpëra e do të flasim pak më poshtë për të. Shumë shqetësohen për mbytjen dhe padashur një pikëz uji krijon problem për to me frymëmarrjen. 


Si mund të rregullohet kjo? 

Nëpërmjet frymëmarrjes së thellë me hundë; hunda është organi që do t’ju ndihmojë që të jeni të qetë e të mbusheni me frymë ndërkohë që punohet në gojën tuaj.

Shumë pacientë më referojnë zhurmën dhe aromat si problem për paraqitje në klinikë.


A ka kjo një lehtësim për ta paksuar traumën? 

Sigurisht, ju them shpesh pacientëve që të përdorin kufjet me muzikë edhe pse në klinikën time ka gjithmonë një zhanër muzikor në sfond që i largon sado pak pacientët nga zhurma që shkaktohet prej instrumenteve apo procedurave.

Aroma po ashtu minimizohet nëse klinika ajroset shpesh, nëse në klinikë përdoren elementë me përmbajtje freskie për ambientin, atëherë era tipike e karafilit në gjuhën popullore nuk do t’iu bezdisë më aq shumë dhe me ambientin do të familjarizoheni shpejt. 


Flasim pak për gjilpërën,

Injeksionet kanë qenë me të drejtë të dhimbshme por kohë më parë. Sot nëpër kabinete dentare përdorim spry dhe xhel ( Lidokainë topikale e cila aplikohet përpara injeksionit). Këto lehtësime e bëjnë injeksionin shumë pak të dhimbshëm dhe pothuajse fare të ndjeshëm. Nëse injeksioni është kryer me qetësinë që duhet, atëherë gjithçka ka mbaruar.


Në botën moderne siç e keni parë kemi dhëmbë të pastër, të shëndetshëm dhe me shkëlqim. 

Nëse ju neglizhoni, së pari kush mund të dojë një njëri me dhëmbë të prishur apo të infektuar! 

Së dyti ju humbet besimi tek vetja nëse dhëmbët tuaj duken të verdhë apo me karies! 

Mund t’iu krijojë probleme për të gjetur punë. Kjo mund t’iu çojë në izolim, depresion, ankth shoqëror, dhe madje edhe tërheqje sociale.

Së treti dhe më e rëndësishmja prej pandemisë mësuat të gjithë që goja është kaviteti pritës i shumë infeksioneve dhe kaviteti më i pisët në gjithë organizmin e njeriut për nga shumëllojshmëria e baktereve që përmban. Problemet serioze në gojë prej neglizhencës sjellin padiskutim situata jo të këndshme në gjithë organizmin. Ne rëndom themi infeksioni në gojë shkon drejt stomakut, drejt zemrës, drejt trurit etj. Pra mos neglizhoni vizitat e rregullta dhe pastrimet e gurëzave çdo 6 muaj tek dentisti.


Dentofobia është një fobi e zakonshme por kur nuk trajtohet mund të çojë në një varg vështirësish fizike. Shihni fillimisht një profesionist të shëndetit mendor për të vendosur nën kontroll fobinë tuaj dhe më pas kërkoni një dentist që ju bën të ndiheni rehat. Të gjesh një dentist që i beson plotësisht ia vlen të përpiqesh.


Nga Dr. Eldona Sipri


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,911 Lexime
3 vjet më parë