Cili është qëndrimi që duhet të mbajmë përballë konflikteve fizike të fëmijëve?
Fëmijët do të mësojnë të kërkojnë burime për zgjidhjen e konfliktit dhe që komunikimi është çelës shumë i rëndësishëm kur vjen puna për situatat e vështira. Vetëbesimi i tij do të zhvillohet shëndetshëm kur të shohë se arrin të zgjidhë problemet pa lënduar askënd.
-Sot një shok më gjuajti kur po luanim!
-Po ti çfarë bëre?
-I thashë mësueses.
-Herës tjetër po të gjuajti, gjuaji edhe ti! Ke për ta parë që pastaj do të mendohet 2 herë!
-Po atëherë mësuesja do të më qortojë edhe mua.
-S’ka gjë, thuaji që të tha mami/babi. Po pati ndonjë gjë, të flasë me mua.
Kujdes!
Ne të rriturit jemi përgjegjësit për të orientuar veprimet e fëmijëve dhe këtë mund ta bëjmë sipas dy mënyrave: nga zemërimi dhe nga reflektimi.
Nga zemërimi është kur e këshillojmë fëmijën “të kthejë” sjelljen jo pozitive të shokut/shoqes. Është shumë e natyrshme të zemërohemi kur dikush na bën diçka pa të drejtë, por të mësojmë fëmijën të veprojë mbi bazën e inatit ka gjithashtu një serë pasojash negative.
Jo vetëm që nuk e zgjidh problemin, por e bën edhe më të madh sepse kundërpërgjigjja me dhunë do të vazhdojë edhe nga pala tjetër. Në një plan afatshkurtër, kjo qasje ushqen egon e fëmijës dhe të prindit, por në plan afatgjatë po i mëson fëmijës të zgjidhë problemet me dhunë!
Kështu, fëmija do të mësojë se nëpërmjet agresivitetit do të fitojë një lloj dominimi të pashëndetshëm dhe artificial përballë të tjerëve, element që sigurisht do të pasqyrohet në marrëdhëniet e tjera të ardhshme.
Kjo shpjegon shpeshherë se pse viktimat kthehen në dhunues; cikli frikë-agresivitet është i rrezikshëm!
Ndërkohë, nga reflektimi bëhet e mundur që niveli i zemërimit të ulet dhe fëmijët të brendësojnë një formë përgjigjeje më të shëndetshme.
Në plan afatgjatë, fëmijët do të mësojnë të kërkojnë burime për zgjidhjen e konfliktit dhe që komunikimi është çelës shumë i rëndësishëm kur vjen puna për situatat e vështira. Vetëbesimi i tij do të zhvillohet shëndetshëm kur të shohë se arrin të zgjidhë problemet pa lënduar askënd.
Njëkohësisht, nëse nxitet t’i kërkojë ndihmë mësueses apo kujtdo të rrituri tjetër përgjegjës në kontekstin e caktuar, mësohet të respektojë dhe rregullat e institucionit ku ndodhet.
Nga Lorela Garuli, psikologe
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!
Bullizmi në shkolla, si mund ta parandalojmë?