Çfarë u mundësojnë prindërve oficerët e sigurisë në shkollë?
Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Brendshme, Akademia e Sigurisë dhe Urdhri i Psikologut po ndërmarrin projektin ”Shkolla të sigurta – Oficerët e sigurisë në shkolla” i cili i jep një vëmendje të posaçme rritjes së sigurisë.
Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Brendshme, Akademia e Sigurisë dhe Urdhri i Psikologut po ndërmarrin projektin ”Shkolla të sigurta – Oficerët e sigurisë në shkolla” i cili i jep një vëmendje të posaçme rritjes së sigurisë, si brenda ashtu edhe përreth shkollave. Siguria në shkollë dhe lufta kundër dukurive të tilla, si episode të dhunës, përdorimi i drogave dhe i substancave abuzive, dukuria e bullizmit, siguria fizike në shkolla etj., janë prioritet i punës së shkollës për sigurimin e mirëqenies fizike dhe sociale të të rinjve.
Qëllimi i kësaj iniciative është garantimi i një mjedisi të nxëni të sigurt për fëmijët tuaj dhe për komunitetin e shkollës.
Çfarë janë oficerët e sigurisë në shkollë?
Oficerët e sigurisë në shkollë janë persona të përgatitur dhe të trajnuar:
• për të parandaluar dhe për të menaxhuar rastet e krimit dhe të dhunës në shkollë;
• për të bashkëpunuar me drejtorinë e shkollës, mësuesit, psikologun dhe anëtarë të tjerë të stafit për parandalimin dhe ndërhyrjen në rastet e:
- thyerjes së disiplinës,
- dhunës brenda shkollës,
- ngacmimeve jashtë perimetrit të shkollës,
- përdorimit të mjeteve të forta,
- përdorimit të armëve të ftohta apo atyre të zjarrit,
- përdorimit të lëndëve narkotike, duhanit, alkoolit,
- menaxhimit të krizave,
- emergjencave etj.;
• për të mbështetur të rinjtë dhe prindërit në zgjidhjen e situatave të ndryshme dhe në menaxhimin e konflikteve;
• për të zhvilluar biseda (me të rinjtë, prindërit, mësuesit etj.) me qëllim ndërgjegjësimin dhe parandalimin e dukurive dhe kërcënimeve të mundshme, si: dhuna, bullizmi, shitja dhe përdorimi i substancave narkotike, trafikimi, siguria fizike etj.;
• për të bashkëpunuar me institucionet e rendit, në përmbushje të sigurisë në shkollë.
Çfarë vlerash përcjellin oficerët e sigurisë në shkollë?
• Integritet, profesionalizëm dhe diskrecion. Për vetë natyrën delikate të detyrës së oficerit të sigurisë, integriteti i lartë dhe profesionalizmi i tij janë vlera të panegociueshme.
• Shembull pozitiv. Oficeri i sigurisë do të sjellë një nga rolet më me ndikim tek të rinjtë duke treguar shembullin personal pozitiv, si një individ me integritet, inkurajues për nxënësit dhe mbështetës me prindërit.
• Seriozitet në kryerjen e detyrë. Oficeri i sigurisë do të marrë seriozisht të gjitha shqetësimet dhe do të ndjekë hapat e duhur për të ndërmarrë një veprim për sigurinë e fëmijëve.
• Ndërtim të marrëdhënieve të mira. Oficeri i sigurisë do të nxisë dhe do të mbështesë një klimë bashkëpunuese me stafin e shkollës, psikologun e shkollës, oficerin e policimit në komunitet, prindërit, dhe veçanërisht nxënësit.
Cilat NUK janë detyra të oficerëve të sigurisë në shkollë?
• Oficerët e sigurisë në shkollë nuk zëvendësojnë rolin e mësuesit në lidhje me përkujdesjen, mbikëqyrjen, sigurimin e disiplinës, rregullit dhe sigurisë në klasë, në shkollë e jashtë saj.
• Oficerët e sigurisë nuk ndërmarrin masa disiplinore në shkollë, por raportojnë çdo shkelje të disiplinës së shkollës, pranë administratës së shkollës.
• Oficerët e sigurisë nuk zhvillojnë kontrolle fizike apo të mjediseve, përveç rasteve të emergjencave dhe vendimit nga administrata e shkollës
Çfarë u mundësojnë prindërve oficerët e sigurisë në shkollë?
• Mbikëqyrje të vazhdueshme të nxënësve për parandalimin e problemeve në gjenezë.
• Informacion për situatën e sigurisë në shkollë.
• Raportime për ndodhinë dhe menaxhimin e rasteve të dhunës, konflikteve apo dukurive të tjera që cenojnë sigurinë e jetës së fëmijëve, brenda dhe përreth shkollës.
• Takime trajnuese për ndërgjegjësim rreth dukurive dhe kërcënimeve të mundshme të sigurisë në shkollë.
• Adresim të rasteve, në marrëveshje me to, pranë psikologut të shkollës, punonjësit social ose pranë autoriteteve të specializuara.
• Ndërmjetësim në komunikimin dhe lidhjen me policinë dhe shërbimet e tjera të komunitetit, në rast rreziku dhe nevoje.
• Këshillim për çështje të zbatimit të ligjit.
(IZHA, Portali Shkollor)
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Stop bullizmit te të gjithë!
Menaxhimi i disiplinës në shkollë