"Çfarë menduan nxënësit e mi kur mbaruan klasën e pestë..."
Sjellim disa pjesëza mendimesh të disa nxënësve për shkollën në kohën kur ata përfunduan klasën e pestë ose ciklin fillor. Janë përshtypje e reflektime sa origjinale aq edhe frymëzuese për rrugën drejt dijes! Përgatiti mësuesja Drita Topjana.
Nga Drita Gjaci Topjana
Shkolla “28 Nëntori” Tiranë
Nuk mundem kurrësesi që unë, t`i humbas disa mbresa të bukura për shkollën, të thëna nga ish nxënësit e mi.
Rastësisht po shfletoja një ditar shënimesh nga puna, ku ishin të shënuar detyra e emra nxënësish gjithashtu.
Më tërhoqi tema e një detyre që ua kisha dhënë para tri vitesh: “Çfarë mendoj unë për shkollën?”. Këtë vit ata janë në klasën e tetë.
Kur erdhën të merrnin dëftesat, të gjithë pa përjashtim kishin shkruar nga një poezi të bukur për mbarimin e shkollës, dhe shkrimi i disa prej tyre ishte model! I shikoj çdo ditë se si i kanë mbajtur premtimet, por e hidhëruar, se disa prej tyre janë në mërgim. Poezitë e tyre i mbaj si model për klasat pasardhëse.
Po ndaj disa pjesëza të tyre me ju, në këtë prag fillimi shkollor:
“Kur mbarova klasën e pestë thashë se shkolla është vendi më i shtrenjtë, aty gjej gjënë më të çmuar dijen. Dija nuk merr fund asnjëherë, atë po e gjej nëpër faqet e çdo libri, prandaj sa më shumë të lexoj, aq më shumë do të di.”
“Kalojnë vitet dhe ne rritemi, kështu që e kuptojmë se do të kemi më shumë lëndë. Dhe në shkollë duhet të mësojmë çdo ditë, jo një ditë po e dhjetë jo.”
“ Çdo ditë e më shumë po ja kuptoj vlerat shkollës, prandaj tani e tutje do të jem më korrekt me detyrat e ngarkuara dhe me mësimin e lëndëve të ndryshme si; histori, biologji, fizikë, kimi etj.”
“Që të arrish rezultate të larta duhet të kesh gjithmonë besim te vetja. Shkolla është si të hapësh rrugën nëpër një pyll të dendur, por me armët e duhura. Ajo që e dallon një nxënës të mirë nga një nxënës i dobët në mësime është vullneti. Pa vullnet nuk mësohen librat, pa u lodhur nuk arrihet dija.”
“Gjithmonë ekziston një mundësi për të përmirësuar atë që kemi bërë keq, qoftë në të kaluarën, qoftë në këtë moment. Mjafton të duash, të kesh dëshirë.”
“Duhet të këmbëngul edhe unë për të thënë përgjigjen e saktë para klasës, pasi në klasë ka shumë nxënës dhe secili ka personalitetin e tij. Dhe nuk duhet të harroj shkronjën “ë” aty ku duhet, dhe as ta shtoj vend e pa vend, kjo edhe si pasojë e theksit që përdorim, kur flasim në shtëpi me prindërit.”
“Po fillon klasa e gjashtë. I kam premtuar vetes se mësuesve nuk do u sjell as më të voglin shqetësim. U rrita tani. Asnjëherë s`do të them se dhe ai/ajo foli, as nuk do të padis shokun/shoqen, se përveçse shtoj zhurmën, shtoj edhe urrejtjen ndaj vetes.”
“Sa mirë që erdhi shtatori. Tani do të jemi më të angazhuar, më aktivë, me libra, fletore, lapsa, ngjyra e punë dore, se shpejt do të ikin ditët dhe vitet pa e kuptuar, e një ditë si të tjerët dhe ne do t`i lëmë bankat e shkollës, e atëherë do ta kuptojmë se çfarë kemi humbur dhe çfarë kemi fituar.”
“Për një gjë jam i sigurtë, e di se mësuesja ime do të më mungojë shumë.”
Suksese dhe një vit të mbarë për të gjithë ju fëmijë që zini vend në bankat e shkollës.
Suksese dhe ju prindër për bashkëpunimin me mësuesit dhe përkushtimin ndaj fëmijëve tuaj për t`i nxitur drejt shkollës, drejt dijes.
Mos harroni asnjëherë se bashkëpunimi mësues-nxënës-prind sjell suksesin në arsimim, si dhe “Uniteti i të kundërtave sjell zhvillimin”.
Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Dita Botërore e të Drejtave të Fëmijëve, 20 nëntori i ndërgjegjësimit universal për të vegjëlit tanë
Rëndësia e librave në jetën tonë