Çfarë e bën nxënësin të lumtur?
Sistemi danez propopozon formën më të lartë të asaj se si duhet të ndihet nxënësi në shkollë. Nxënësi konsiderohet si individi, i cili duhet formuar në mënyrën më të mirë të mundshme, sidomos nga ana njerëzore.
E keni vënë re që shumë pak interesohemi për mënyrën si ndihemi? Shumë pak i pyesim nxënësit nëse janë të lumtur. Sistemi danez propopozon formën më të lartë të asaj se si duhet të ndihet nxënësi në shkollë. Nxënësi konsiderohet si individi, i cili duhet formuar në mënyrën më të mirë të mundshme, sidomos nga ana njerëzore. Humanizmi mbi të gjitha!
Të jesh më i miri nuk është më e rëndësishmja
Në zemër të arsimit danez nuk është memorizimi i informacionit dhe aftësive që duhen testuar, por zhvillimi i kuriozitetit dhe aftësia për të punuar mbi veten. Në shkolla, çdo fëmijë inkurajohet të nxisë një vlerësim për cilësitë dhe aftësitë individuale. Kjo do të thotë që të gjithë, pavarësisht nga notat, mund të mbështeten në një vend në shoqëri dhe të kenë mundësinë për të kontribuar në komunitet duke bërë atë që duan.
Sistemi arsimor danez nuk ka për qëllim edukimin e elitës, qoftë materiale apo intelektuale.
Programet janë hartuar në mënyrë që shumica e studentëve t'i zotërojnë ato pa vështirësi. Kjo është arsyeja pse në Danimarkë pothuajse asnjë fëmijë nuk e "braktis" sistemin arsimor.
Sistemi nuk përqendrohet në më të mirët, por në gjithçka.
Veçori e mentalitetit danez: Danezët nuk kanë dëshirë të dominojnë ose të jenë më të mirët. Nga viti 1993 deri në 2006, në shkollat daneze kishte një provim grupor për të zhvilluar frymën ekipore. Secili student do të merrte pikë të caktuara për përgjigjen e tyre, por nota përfundimtare varej nga rezultati i të gjithë grupit.
Qeveria hoqi këtë lloj provimi në vitin 2006 sepse nuk pasqyroi meritën personale të studentit individual, por në shoqëri ky vendim shkaktoi pakënaqësi serioze. Si rezultat, në vitin 2012, provimi në grup u kthye. Tani shkollat mund të vendosin nëse do ta zbatojnë atë apo jo.
Personaliteti i pavarur
Sistemi shkollor danez është përqendruar kryesisht në ushqimin e një personaliteti të pavarur. Dhe këto nuk janë fjalë boshe: Ligji arsimor danez përcakton që sistemi arsimor bazë jo vetëm që duhet t'u sigurojë studentëve njohuri dhe aftësi themelore, por edhe të zhvillojë personalitetin e tyre. Shkollat parashkollore duhet të kryejnë detyrat e mëposhtme:
- të zgjerojnë fjalorin e fëmijëve;
- t'i njohin fëmijët me rregullat e shkollës;
- t'i mësojnë atyre tolerancën;
- t'i përgatisin ata për bashkëjetesë.
Vetëvlerësimi dhe vetëdija
Në shkollë, nxënësit inkurajohen të gjejnë në mënyrë të pavarur informacion, të eksperimentojnë dhe të analizojnë burimet. Kjo është konsideruar më e dobishme, sesa të dëgjuarit në mënyrë pasive një leksion për të mësuar përmendësh materialin. Nxënësit e shkollës mësohen të pyesin mbi paqartësitë e tyre dhe të zhvillojnë mendime personale, gjë që i ndihmon ata të zhvillojnë vetëvlerësim dhe vetë-vetëdije si individë. Krijueshmëria, të menduarit kritik dhe iniciativat konsiderohen të dobishme.
Arsimi post i mesëm për nxënësit që ndihen të paorientuar apo duan të zhvillojnë ndonjë talent specifik
Duke krahasuar sistemet e arsimit të vendeve të ndryshme bazuar vetëm në rezultatet e testeve përfundimtare, Danimarka vështirë se mund të konsiderohej një nga vendet më të suksesshme.
Sistemi arsimor danez është krijuar në mënyrë që studentët e shkollave të mesme të mos pësojnë shok kur shkojnë në kolegj ose, më keq, nuk e dinë deri në momentin e fundit se cilin kolegj të regjistrohen. Sistemi siguron danezët e rinj që nuk dinë se çfarë duan të bëjnë në jetë ose kanë probleme me socializimin, duke siguruar një arsim post të mesëm.
Këtu, studentët midis moshës 14 dhe 18 vjeç mund të kalojnë një vit duke marrë vendimin për të vazhduar më lehtë arsimin e tyre. Në këtë "shkollë pas shkollës", vëmendja i kushtohet fushave që nuk mësohen në shkollë, në mënyrë që studentët të kenë më shumë mundësi për të zhvilluar talentin e tyre (punë manuale, kreativitet, sport). Solidariteti dhe liria janë konceptet kryesore.
Ndihma reciproke midis nxënësve
Ndihma reciproke inkurajohet midis studentëve: studentë më të përparuar ndihmojnë bashkëmoshatarët që kanë vështirësi në të nxënë ose e kanë më të vështirë për t'u përshtatur për të punuar në një grup.
"Shkolla e jetës"
Në Danimarkë ekziston gjithashtu një sistem krejtësisht unik i shkollave publike, i krijuar në shekullin XIX nga Peshkopi Lutheran Nikolai "GRUNDTVIG". Kjo është e ashtuquajtura shkollë e jetës, të cilën mund ta regjistrosh në çdo moshë për të zhvilluar kreativitet dhe të mësosh të veprosh në shoqëri. Shkolla kryesisht mëson shkencat humane, studentët udhëtojnë shumë dhe flasin për situatën aktuale në botë.
Komunikimi dhe të mësuarit janë krijuar për të ushqyer parimet e barazisë, respektit të ndërsjellë, aftësisë për të ndarë dhe nevojën për të marrë pjesë në një detyrë të përbashkët. Ideja e Grundtvig ishte ta bënte arsimin të arritshëm për publikun - në këtë shkollë mund të mësosh me kënaqësi, "pa konkurrencë dhe një diplomë". Aktualisht ka rreth 70 shkolla të tilla në të gjithë Danimarkën.
Mundësi të barabarta
Vetëm 11% e danezëve e konsiderojnë pagën e madhe një faktor shumë të rëndësishëm kur zgjedhin një vend pune. Profesioni i zgjedhur për arsye pragmatike mund të mos ju përshtatet interesave tuaja dhe ka të ngjarë të dëshmojë se është një zgjedhje e dobët. Kjo diskutohet me fëmijët në shkolla.
Sistemi i zhvilluar i drejtimit të karrierës ndihmon në zgjedhjen e profesionit që do të sjellë kënaqësi. Një shërbim i veçantë shoqëror ndihmon studentët e shkollave të mesme të zgjedhin një kolegj ose universitet që përshtatet me idetë e tyre për të ardhmen. Në shkollën e mesme, ka takime të rregullta ku studentët diskutojnë planet e tyre me mësuesin.
Sipas sondazheve, gjysma e të rinjve danezë janë të sigurt se janë plotësisht të lirë të zgjedhin të ardhmen e tyre dhe të kenë kontroll të plotë mbi jetën e tyre.
(Përktheu Parajsa Shtini; Portali Shkollor)
Rëndësia e librave në jetën tonë
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
10 filma që duhet të shohë çdo adoleshent