Bullizmi në shkolla, si mund ta parandalojmë?
Në terren m’u desh të shihja reagimet ndaj një fëmije që qante nëse e përjashtonin nga grupi i lojës duke e etiketuar “i/e llastuar” apo nëse një nxënës me të cilin duhej të punohej shumë vihej në lojë vazhdimisht për veshët, aknet në fytyrë, etj.
Tashmë bullizmi nuk është më një fjalë e huaj, të gjithë në një formë apo tjetrën kemi dëgjuar diçka mbi këtë fenomen, kaq prezent dhe shqetësues në shkollat tona. Të flasësh duke u bazuar vetëm në informacionet teorike që merr në shkollë apo internet diferencon shumë nga ajo çfarë mund të flasë një nga aktorët e shkollës, që ndeshet çdo ditë në një prej formave të bullizmit mes fëmijëve. Deri para një muaji edhe unë isha në grupin që e trajtonte këtë temë si një tjetër çështje shqetësuese si shumë të tjera në shoqërinë tonë, me pasivitetin për të bërë diçka ndryshe! Me punën në terren, në një prej shkollave 9-vjeçare jo publike të Tiranës arrita të bëhem një me fëmijët, të kuptoj duke parë nga afër pse bullizonin, çfarë i shtynte ta bënin këtë gjë apo pse ai grupi që bullizohej e pranonte bullizmin dhe nuk ngrinte zërin për t’u vetëmbrojtur. Në terren m’u desh të shihja edhe reagimet e disa mësuesve ndaj një fëmije që qante nëse e përjashtonin nga grupi i lojës duke e etiketuar “i/e llastuar” apo nëse një nxënës me vetëbesimin e të cilit kishte nevojë të punohej shumë, në vend që të ndihmohej shihje sesi ishin tashmë të njohur më tepër seç duhet me këtë problem dhe nëse shokët e klasës e vinin në lojë vazhdimisht për veshët, aknet në fytyrë, etj., për mësuesit justifikimi ishte gati: “Ai e lë veten të shkelet me këmbë”. Nëse duam të ndryshojmë diçka, patjetër që nuk mund të bëhet me këto reagime!
Bullizëm do të thotë kryerje e sjelljeve agresive dhe të pa dëshirueshme mes nxënësve të moshës shkollore, të cilat përfshijnë mungesë reale ose imagjinare të balancës mes tyre (www.stopbullying.gov). Çfarë do të thotë mungesë balance reale ose imagjinare mes nxënësve?! Në këtë rast do t’i referohej konkretisht të pasurit e një avantazhi apo pike të fortë kundrejt tjetrit qoftë kjo reale apo jo. Përgjithësisht ndodh që sjelljet bullizuese përsëriten dhe shtohen me kalimin e kohës dhe kjo shton viktimat e bullizmit. Midis formave që merr kjo sjellje e pa dëshiruar 3 janë kryesoret:
- Bullizmi verbal, pra të flasësh apo të shkruash në mënyrë kërcënuese dhe agresive, si p.sh.:, mund të flitet për faktin se sa është kthyer në zakon për djemtë të thërrasin njëri - tjetrin me emrin e nënave të tyre!!!
- Bullizmi social, pra dëmtimi i imazhit (reputacionit) të dikujt apo marrëdhënieve personale të një personi tjetër.
- Bullizmi fizik, dëmtimi fizik i një personi apo objekti personal të tij nuk është më diçka e re.
Bullizmi mund të ndodhë kudo dhe në çdo kohë, prezenca apo jo e një mësuesi, prindi apo psikologu shkollor nuk eliminon mundësinë e ndodhjes së këtij fenomeni, por patjetër që mund të ndihmojë në uljen e numrit të rasteve që ndodhin çdo ditë në shkollat tona. Gjatë kohës së studimeve, si në Bachelor ashtu edhe në vitin e parë të studimeve master, kur ende nuk isha përballur çdo ditë me nxënësit, stafin pedagogjik dhe prindërit, bullizmi ishte një temë e bukur për një detyrë shkolle, për të cilën mund të gjeje informacion në çdo moment me një klikim. Çfarë ndodh kur je në terren, përballë fëmijëve dhe i sheh sesi dashur apo pa dashur kthehen në bullizues dhe viktima bullizmi?! Ndodh që fillon të kërkosh në internet apo të flasësh me pedagogë se si mund të gjesh forma të ndryshme për ta pakësuar këtë fenomen, se si t’ju shpjegosh nxënësve që ashtu si nuk na pëlqen të biem “viktima” të këtij fenomeni ashtu edhe nuk duhet pra, të bëjmë “viktima”. Ndër faktorët riskues që të bëjnë të jesh pre e këtij fenomeni mund të përmendim:
- të qenurit i izoluar socialisht apo edhe thjesht një tip që preferon të qëndrosh vetëm;
- të qenurit me aftësi të veçanta;
- nëse shihesh si një tip që nuk mund të vetëmbrohet gjithashtu ka më shumë mundësi të biesh pre e bullizmit;
- për të mos harruar nxënësit me vetëbesim të ulët;
- ata të cilët kanë më pak shokë, etj.
Ndërsa mes faktorëve që mund të të bëjnë një bullizues renditen:
- Të qenurit një person i cili shqetësohet për popullaritetin e tij në grup dhe pëlqen të dominojë duke qenë një udhëheqës apo drejtues grupi (sidomos vihen re kur nuk zgjidhen nga bashkëmoshatarët por vetëzgjidhen dhe rregullat vendosen nga vetë ata).
- Gjithashtu persona të cilët nuk mund të identifikojnë apo të identifikohen me ndjenjat apo emocionet e të tjerëve, janë lehtësisht agresiv dhe bien po lehtësisht nën presionin e bashkëmoshatarëve, mund të kthehen në bullizues për të ruajtur imazhin e tyre.
- Nuk përjashtohen nga ky grup, nxënës të cilët përveç sjelljeve agresive, mund të kenë probleme të ndryshme në familje, përfshirje të ulët të prindërve në edukimin e fëmijës apo mbarëvajtje në shkollë, etj.
- Gjithashtu vlen të përmendet se riskohen të përfshihen në grupin e bullizuesve edhe ata fëmijë të cilët kanë mendime negative për të tjerët, kanë vështirësi në ndjekjen e rregullave apo udhëzimeve apo kanë shokë të cilët bullizojnë ( http://www.adl.org ).
Si mund ta parandalojmë bullizmin?
- Normalisht që prindërit, stafi i shkollës si mësuesit apo psikologu/ia apo kujdestarë të fëmijëve mund të bëjnë shumë për këtë gjë.
- Pikë së pari, duhet të dimë se si t’ju flasim fëmijëve për bullizmin, të sigurohemi që ata e kanë kuptuar çdo të thotë bullizëm dhe të kuptojnë se në asnjë moment nuk duhet ta pranojnë atë.
- Nëse duam të ndihmojmë fëmijët, atëherë duhet të përpiqemi të jemi edhe shokët e tyre, të tregojmë interes për jetën e tyre shkollore, aktivitetet e përditshme, shokët, ecurinë e çdo dite apo edhe shqetësimet e tyre.
- Të inkurajojmë fëmijët të bëjnë atë çfarë ju pëlqen është diçka që prindërit dhe mësuesit po e harrojnë shpesh, duke u kthyer në një garë prindërish e mësuesish, fëmijët janë ata që nuk zgjedhin thuajse asnjëherë çfarë realisht pëlqejnë e më pas ndeshen me reagimet e pritshmërive të tyre nëse nuk janë aty ku duhet!
- Po sikur të mund t’ju modelojmë fëmijëve se si mund të trajtojnë të tjerët me mirësjellje dhe respekt, dihet tashmë që fëmijët modelojnë sjelljet që shohin.
Një informacion ndihmues për të nisur bisedën me një fëmijë mbi temën e bullizmit, do të ishin disa pyetje se si mund të kuptosh nga fëmija nëse është apo jo pjesë e këtij fenomeni qoftë në pozicionin e bullizuesit apo viktimës së bullizmit. Mes tyre po rendis disa më kryesoret:
1. Çfarë do të thotë për ty bullizëm?
2. Mund të më përshkruash se si janë fëmijët që bullizojnë? Pse mendon që ata bullizojnë?
3. Cilët janë të rriturit tek të cilët beson më shumë nëse duhet të flasësh për bullizmin?
4. A je ndjerë ndonjëherë i/e trembur të shkosh në shkollë sepse kishe frikë mos bullizoheshe? Si je përpjekur ta ndryshosh apo përmirësosh këtë gjë?
5. Si mendon, çfarë mund të bëjnë prindërit që bullizmi të ndalojë?
6. A ke përjashtuar ndonjëherë me qëllim nga grupi fëmijë të tjerë, ti ose shok të tjerë? A mendon se ky është bullizëm? Pse po ose pse jo?
7. Çfarë bën zakonisht nëse sheh një sjellje bullizuese?
8. A sheh ndonjëherë fëmijë në shkollën tënde që bëhen viktima të bullizmit? Nëse po, si të bën kjo të ndihesh?
9. A ke ndihmuar ndonjëherë dikë që po e bullizonin? Çfarë ndodhi? Çfarë do të bëje nëse do të ndodhte sërish (www.stopbullying.gov)?
Një bashkëpunim sa më i mirë mes familjes dhe shkollës do të ishte fillim i mirë për të eliminuar këto sjellje të cilat asnjë prind nuk do të donte t'i gjente te fëmija i tij!
Referenca
1. http://www.adl.org/education-outreach/curriculum-resources/c/national-bullying-prevention-month.html#.WCDAhNIrLIU. Parë për herë të fundit më 07/11/2016.
2. https://www.stopbullying.gov/prevention/talking-about-it/index.html. Parë për herë të fundit më 07/11/2016.
Ky shkrim u dërgua në adresën [email protected] menjëherë pas publikimit të një tjetër shkrimi me të njëjtën temë. Për të shmangur keqkuptimet dhe duke dashur të fokusohemi tek problemi dhe të përpiqemi ta zgjidhim atë, nuk po publikojmë shkollën ku ka punuar psikologia që na ka shkruar dhe emrin e saj. Materiali u përgatit nga psikologia M.H
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Tetori i Librit/ Aktivitetet që mund të zhvillohen në shkolla
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.