Bullizmi kibernetik, pyetjet që mund t’ia drejtoni fëmijës tuaj nëse ju vëreni ndryshime në sjellje
Qëllimi kryesor i këtij shkrimi është të vendosurit e bazave për një reflektim të kujdesshëm mbi këtë çështje komplekse të "bullizmit kibernetik" dhe me kontributet e mëvonshme do të mund të thellohemi në të gjitha aspektet e tij. Këshilla nga bashkëpunëtorja jonë Emanuela Dervishi, punonjëse Sociale.
“Fëmijët tanë janë pika që shkojnë për të mbushur oqeanin e madh të internetit. Ne mësojmë të jemi fenerët e tyre për t'i udhëhequr dhe për t'u siguruar atyre të gjitha mjetet e nevojshme për të përjetuar me vetëdije një botë digjitale që ne të gjithë duhet të mësojmë ta banojmë”
Për prindërit, mësuesit dhe të gjithë ata që kanë të bëjnë me fëmijët, rrjeti i madh i internetit është paksa i frikshëm sepse nuk duket si një vend ku fëmijët vetëm mund të luajnë, të kenë eksperienca të dobishme dhe mbi të gjitha të mësojnë. Ndoshta edhe ne nuk e njohim mirë dhe kështu ai na tremb. Por është një vend që fëmijët dhe adoleshentët e vizitojnë çdo ditë dhe që nuk është gjithmonë i sigurt dhe gjithashtu, në mënyrë të pashmangshme, i pakontrollueshëm. Digjitalizimi i marrëdhënieve sociale ofron mundësi të pafundme për tu lidhur e ndërvepruar me të tjerët. Megjithatë kërcënimi i mashtrimeve, vjedhjes dhe keqpërdorimit të informacionit personal apo bullizmit, shpesh e errëson këtë pamje. Bullizmi kibernetik i referohet një game të gjerë abuzimesh online. Këtu mund të përfshihen (por nuk limitohen) ngacmimet, vjedhja e llogarive, kërcënimi, shantazhimi me qëllim përfitimi monetar, seksual etj. Thënë këtë lind pyetja: “Cila është marrëdhënia midis jetës reale dhe jetës virtuale kur përballemi me akte të bullizmit kibernetik?”. Kjo temë del nga lajmet që vendosen para syve tanë pothuajse çdo ditë përmes medias, TV, internetit dhe që gjenerojnë shqetësim dhe mosbesim për cilindo.
Fakte ngacmimi kibernetik
Faktet kanë të bëjnë me bullizmin brenda dhe jashtë shkollave: akte që regjistrohen nga “bullistët” në celularët e tyre dhe publikohen në rrjet – veprim që e cilëson bullizmin si “cyberbullying” ose bullizëm kibernetik.
Po të kërkojmë për ngjarje të tilla të bëra publike, lexojmë që ka patur akte të rënda të agresionit dhe të përndjekjeve, që kanë ndodhur në një shkollë në X qytet, ndaj një nxënësi nga shokët e tij të klasës.
Nëpërmjet telefonatave anonime dhe publikimit në Chat të fotove fyese të modifikuara përmes fotomontazheve.
Dhe këto janë vetëm disa nga lajmet e panumërta që përfshijnë fëmijë dhe adoleshentë të cilët, të shtyrë nga kush e di se çfarë motivimi, kryejnë akte të rënda ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve të tjerë që shihen si më të dobët dhe për këtë arsye lehtësisht të sulmuar.
Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se kush jemi dhe ku duam të shkojmë për të mos humbur në jetën "virtuale".Besoj se kështu ndodh me brezin e “vjetër”, të cilit me kalimin e kohës i është dashur të përshtatet me ndryshimet teknologjike, krahasuar me gjeneratën “e re”, “gjeneratën digjitale”, e cila u rrit në mes të zhvillimit teknologjik dhe digjitalizimit.
Dy breza të krahasuar në jetën reale dhe atë virtuale, ku i pari është i bindur se i dyti është plotësisht i aftë të lundrojë në internet me vetëdije dhe siguri- kështu që mendimi "të jeni të sigurt se ata dinë më shumë se ne" -, nuk është në koherencë me ngjarjet kronikat të cilat na tregojnë të kundërtën.
Pra, siguria e gabuar se të rinjtë si "qytetarë digjitalë" janë krejtësisht të aftë për të menaxhuar "virtualen", i ka lejuar ata të jenë në gjendje të shprehin ndjenjat e shqetësimit, vetmisë, margjinalizimit, pasigurisë së jetës reale:nga një modalitet (mënyrë e të qënurit) " offline " (agresione fizike dhe psikologjike që ndodhin brenda dhe jashtë shkollave, si shprehje e aktit tradicional të bullizmit) në një modalitet (mënyrë e të qënurit) "online" (video që regjistrohen nga "ngacmuesit" ndërsa ata tallen, kërcënojnë ose godasin "viktimat" e tyre dhe të cilat më pas publikohen në rrjet). Mënyra që shpesh merr një konotacion "anonim" dhe për këtë arsye është në gjendje të inkurajojë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë pa kuptuar, siç sugjerohet, efektet serioze që mund të gjenerohen nga këto veprime.
Pra, në këtë kontekst cili është roli i të rriturve në jetën e të rinjve?
Roli i të rriturve
Të rritur që priren të jenë, qoftë edhe pa vetëdije, të pavëmendshëm dhe të hutuar, duke mos kuptuar sa e thellë është distanca mes dy brezave, një distancë emocionale e dhënë nga mungesa e komunikimit apo nga vështirësia në komunikim.
Roli i të rriturve, prindërve dhe mësuesve, është të dëgjojnë për të qenë në gjendje të kapin shenjat e mundshme të shqetësimit serioz dhe konfliktit të brendshëm që mund të çojë në sjellje të dhunshme sociale.
Por për ta bërë këtë, para së gjithash është e nevojshme të trajnohen vazhdimisht për fenomenin, në mënyrë që ata të ndërgjegjësohen për motivimet dhe implikimet e tij.
Në të njëjtën kohë, është e nevojshme të krijohet një moment dialogu midis të rriturve dhe të rinjve larg lidhjes dhe zhgënjimit, dhe t'i lejohet vetes ajo "pauzë" në të cilën të ndërtohet një marrëdhënie e vërtetë bashkëpunimi dhe besimi.
Prandaj është thelbësore që së pari familja, si dhe shkolla dhe vetë shoqëria, të marrin përsipër detyrën e të qenit udhërrëfyes dhe mbështetje për fëmijët dhe adoleshentët. Për t'u mësuar atyre se sa e rëndësishme është të respektojnë dobësitë e tyre dhe dobësitë e njerëzve të tjerë, dhe për t'u forcuar nga kjo, të jenë në gjendje të lidhen me të tjerët, madje edhe në ueb, pa u rikthyer në mashtrime të rrezikshme emocionale.
Fenomenet e krijuara ose të përforcuara nga përdorimi pak i vetëdijshëm i rrjetit na paraqesin pyetje të mëdha.
Si mund të ndërhyjmë? Ku duhet të luftojmë? A është e drejtë t'i ndaloj fëmijës tim përdorimin e telefonit inteligjent? Në çfarë moshe mund t'i jap një smartphone fëmijës tim? Sa kohë mund të luajë videolojëra?
Nëpërmjet këtij reflektimi evidentojmë dy aspekte thelbësore.
- Nuk është teknologjia ajo që duhet 'të kujdeset', por ne të rriturit.
- Rishikimi i prioriteteve tona duke u kthyer për të luajtur rolin e prindërve, me autoritet, që do të thotë t'i rikthehemi të thënit JO dhe të përmirësojmë cilësinë e kohës që i kushtojmë fëmijëve tanë.
Shkolla duhet të ketë guximin të vërë në dyshim veten, të rifillojë me vendosmëri për të kryer edhe rolin e saj si 'edukator' digjital, ose duke marrë parasysh të gjitha ato dinamika që zhvillohen ndërsa teknologjia evoluon dhe transformohet, duke krijuar mënyra të reja komunikimi dhe digjitale, mjedise për të frekuentuar etj.
Kjo mund të ndodhë nëse ajo është e gatshme të ndryshojë qasjen e saj si në nivelin arsimor ashtu edhe në atë komunikues.
Nëse duam t'i afrohemi të kuptuarit të gjuhës së 'të rinjve' tanë ose të zvogëlojmë (sa më shumë të jetë e mundur) hendekun që na ndan prej tyre, duhet të jemi të gatshëm t'i nënshtrohemi një procesi riedukimi fillimisht si të rritur dhe kthehuni në të qenit shembuj të jetës reale duke e zhvendosur përdorimin e teknologjisë në vendin e duhur, atë të një mjedisi që mund të përmirësojë pjesërisht jetën tonë, por që nuk DUHET t'i kontrollojë ato.
Fëmijët tanë janë pika që shkojnë për të mbushur oqeanin e madh të internetit. Ne mësojmë të jemi fenerët e tyre për t'i udhëhequr dhe për t'u siguruar atyre të gjitha mjetet e nevojshme për të përjetuar me vetëdije një botë digjitale që ne të gjithë duhet të mësojmë ta banojmë.
Qëllimi kryesor i këtij shkrimi është të vendosurit e bazave për një reflektim të kujdesshëm mbi këtë çështje komplekse të "bullizmit kibernetik" dhe me kontributet e mëvonshme do të mund të thellohemi në të gjitha aspektet e tij.
Mund të ketë shumë pyetje dhe paqartësi, por sigurisht që tashmë kemi disa ide për të reflektuar.
Kërko ndihmë! Sa më shpejt që flasësh me dikë për situatën e krijuar aq më mirë. Mund të jetë mami, babi, mësuesi i shkollës, psikologu i shkollës, punonjësi i mbrojtjes së fëmijës në Bashki, një mik, Linja e Këshillimit për Fëmijë në Shqipëri - ALO 116 111.
JA DISA PYETJE QË MUND T’IA DREJTONI FËMIJËS TUAJ NËSE JU VËRENI NDRYSHIME NË SJELLJEN, QASJEN DHE REAGIMIN E FËMIJËS:
1-Ke publikuar ndonjë material ose foto me përmbajtje të dëmshme ne rrjetet e tua sociale? Nëse po përse e ke bërë?
2-Të është dashur ndonjëherë të eliminosh ndonjë postim ose koment në faqen tënde që është bërë nga një person i panjohur për ty?
3-Dëgjoj të flitet shpesh për ngacmimin kibernetik? Do më tregoje nëse të ndodh ty?
4-Mendon se në shkollën tënde i marrin seriozisht çështjet e bullizmit dhe çdo forme të tij?
5-Të është dashur ndonjëherë të kontaktosh mësuese, shërbimin psiko-social apo dikë brenda shkollës për shkak të ndonjë kërcënimi online?
6-Nëse po, a kanë bërë diçka për të të ndihmuar?
7- A ka shkolla jote një sistem për të bërë me dije bullizmin dhe çdo forme të tij, duke ruajtur konfidencialitetin?
8-Mendon se shokët/shoqet do të kuptojnë nëse ndan me to një rast të ngacmimit kibernetik?
9-Je ndjerë ndonjëherë i sulmuar verbalisht në lojërat online?
10-Je shkëputur ndonjëherë nga loja online pasi je ndjerë i bezdisur nga dikush?
11-Ka patur ndonjëherë thashetheme në shkollë për ty bazuar në diçka që ti kë thënë ose komentuar online?
12-Nëse po e ke zbuluar personin? Si ke reaguar ndaj tij/saj?
13- I ke bërë bllok dikujt online sepse je ndier i bezdisur/i ngacmuar?Nëse e ke bërë ka ndaluar personi së ngacmuari?
Bibliografia
1. FEDERICO TONIONI: “Cyberbullismo” MONDADORI, (2014)
2. E. MENESINI, A. NOCENTINI, B.E. PALLADINO: “Prevenire e contrastare il bullismo e il cyberbullismo”, IL MULINO (2017)
3. https://www.researchgate.net/publication/355979425_BULLIZMI_NE_SHKOLLE
4. https://www.unicef.org/albania/media/2581/file/NJe_klikim_larg_2020.pdf
Nga Emanuela Dervishi
Punonjëse Sociale, shkolla 9-vjeçare “Qamil Guranjaku’’, Elbasan
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Stop bullizmit te të gjithë!
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Zhvillimi psikomotorik, çfarë duhet të ketë përvetësuar fëmija sipas moshave përkatëse? Nga Lorela Garuli