Planifikimi ditor

“Bagëti dhe bujqësi”, orë model

Adriana Skënderi, mësuese në shkollën 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” Elbasan ka përgatitur një oë model në lëndën e gjuhës shqipe, në klasën e tretë. Në rubrikën të lexojmë tema mësimore është “Bagëti dhe bujqësi”.

Fusha: Gjuhët dhe komunikimi

Lënda: Gjuhë shqipe

Klasa: III

Mësuese: Adriana Skënderi

Shkolla 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” Elbasan

Tema mësimore: Bagëti dhe bujqësi

Lexojmë

Situata e të nxënit

Duke ndërvepruar me pamje në video-projektor, shpreh ndjesitë e tua. 

Rezultatet e të nxënit sipas kompetencave të fushës dhe lëndës. 

Nxënësi/ja:

• lexon poemën rrjedhshëm dhe me intonacionin e duhur;

• tregon se si përshkruhet në poemë natyra e vendit tonë;

• përshkruan ndjenjat dhe emocionet e tij kur lexon këtë poemë;

• shpjegon me fjalë të thjeshta, pse poeti ndihet krenar që është shqiptar;

• ndan me të tjerët përjetimet që ka provuar nëse është ndodhur larg atdheut për pak kohë, apo qytetit/fshatit ku ka kaluar vitet e para të jetës;

• lidh përmbajtjen e poemës me poezi, tregime, këngë të mësuara më parë, që i kushtohen atdheut;

• gjykon se dashuria dhe besnikëria ndaj atdheut janë virtyte të çdo shqiptari në çdo kohë;  


Rezultatet e të nxënit sipas kompetencave kyçe.

• bashkëvepron në grup. 

• respekton përpjekjet individuale dhe ato në grup.

Fjalë kyçe: poemë; strofa; varg; bregore; gërxhe; të kulluar; dëfreni; ma gatove; çuka; brinja.

Burimet dhe materialet didaktike: njohuritë dhe shkathtësitë paraprake të nxënësit; teksti mësimor; poema: “Bagëti dhe bujqësi“ Naim Frashëri;

- pamje nga natyra e vendit tonë; -tregime, poezi për atdheun;

- magnetofon, CD me këngën "Sa të dua o Shqipëri";

- fjalë të urta për atdheun; -mjete shkrimi, lapustila, fletë A4.

Lidhja me fushat e tjera: shoqëria dhe mjedisi; arte; shkencat e natyrës.

Lidhja me temat ndërkurrikulare: edukimi atdhetar; të drejtat e njeriut.

• Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve/eve

Përvijim i të menduarit, diskutim, bisedë; vëzhgo-lexo-trego; marrëdhënie pyetje-përgjigje; bashkëbisedim; punë në grup, punë me gjithë klasën.


Parashikimi: Përvijim i të menduarit, diskutim, 

U tërheq vëmendjen nxënësve me pamje nga Shqipëria të cilat i paraqes në video-projektor, shoqëruar në sfond me muzikën Perla “Shqipja e Andeve” më pas  nxënësit prezantojnë  detyrën e shtëpisë me pamje dhe poezi për atdheun.  

Diskutohet rreth pamjeve nga vendi. 


Ndërtimi i njohurive:  Vëzhgo-Lexo- trego:

U prezantoj nxënësve temën e re: “Bagëti dhe bujqësi” dhe autorin e saj Naim Frashëri . U theksoj nxënësve se në kohën që e ka shkruar këtë poemë, poeti  ka qenë i mërguar jashtë vendit të tij, duke bërë lidhjen me konceptin e mërgimit, të mësuar në poezinë e mëparshme “Harabeli”. 

Ndjekin nxënësit dokumentarin "Jeta dhe vepra e Naim Frashërit", një nga autorët kryesorë të Rilindjes sonë Kombëtare që frymëzoi shqiptarët për t’u çliruar nga pushtimi osman 5- shekullor, duke evokuar tek ata ndjenjën e krenarisë kombëtare, prandaj ai njihet edhe si poeti ynë kombëtar. Ai ka shkruar edhe poezi për fëmijë dhe ka përgatitur tekstet e para shkollore për shkollat shqipe. 

Një nga krijimet e tij më të njohura është edhe poema “Bagëti dhe bujqësi”, disa vargje të së cilës do t’i studiojmë sot. 


Hapen librat. 

• Nxënësit lexojnë të dhënat mbi biografinë e autorit dhe komentojnë ilustrimin në libër, në dyshe dhe më pas me gjithë klasën. 

• Nxënësit lexojnë poemën me intonacionin e duhur .  

• Punohet rubrika: “Fjalë të reja”. Nxënësit lexojnë shpjegimet e fjalëve që nuk kuptojnë, diskutojnë në dyshe dhe i nxit për të krijuar fjali me to.


Marrëdhënie pyetje-përgjigje: Punoj me nxënësit rubrikën: “Lexoj dhe kuptoj”  nxënësit iu përgjigjen pyetjeve rreth poemës. Në fillim diskutojnë për përgjigjet dhe më pas me gjithë klasën, duke vënë në dukje si i përshkruan poeti bukuritë e natyrës shqiptare, ndjesitë e tij përballë bukurive të natyrës, mallin dhe dashurinë që ka për vendin e tij, krenarinë pse është shqiptar, duke i ilustruar edhe me vargje nga poema.

- Kujt i drejtohet poeti me këto vargje? 

- Si përshkruhet natyra e Shqipërisë në këtë fragment të poemës?

- Pse poeti përmallet me bukuritë e vendit të tij? 

- Pse poeti ndihet krenar që është shqiptar?

- Çfarë ndjeni kur lexoni këto vargje?

- Po ne a duhet të ndihemi krenarë për atdheun tonë? Pse?

• Nxënësit diskutojnë në fillim në dyshe rreth përgjigjeve të pyetjeve dhe më pas me gjithë klasën.

• Diskutohet në klasë për karakteristikat e poemës (është e shkruar me vargje të gjata 16 rrokëshe, Rime e përputhur. ).

• Më pas bëhet leximi nga nxënësit me intonacion i poemës.

Perforcimi: Bashkëbisedim 

Punohet rubrika: “Reflektoj”, Nxënësit i përgjigjen pyetjes që ka të bëjë me emocionet dhe ndjesitë që ata ose të afërmit e tyre, kanë përjetuar, kur janë gjendur para bukurive të natyrës shqiptare, që të kujtojnë përshkrimin e poemës së Naim Frashërit dhe krenarinë që kanë ndier për vendin e tyre.

• Nxënësit ndajnë përvoja e tyre me të tjerët kur janë ndodhur para një pamjeje të tillë të jetojnë qoftë edhe për pak ditë jashtë vendit,  përshkruajnë  përjetimet e tyre dhe mallin që kanë ndier për vendin, të afërmit, miqtë etj.


                                           Punë në grupe  


Grupi I. Plotëso fjalët që mungojnë në fjalitë e dhëna. 

1. Plotëso .      Cili është atdheu ynë? 

a) Atdheu ynë është _______________ .

b) Vendlindja ime është _________ku kam lindur .

c) Qyteti i vendlindjes sime është _____________.

d) Atdheu është vendi ku kemi ______ ne dhe prindërit tanë . 

2. Vendos fjalën e duhur në fjali     ( Shqiponja, atdheu  im, i shtrenjtë, vendin tim, prindërit tanë.)

- Shqipëria është _______________ . 

- Atdheu është vendi ku kanë lindur ____________tanë .      Unë e dua ___________________. 

- Vendi im është i dashur  dhe____________ . 

Njeriu pa atdhe është si ______________ pa fole.

Grupi II. Dallo  mbiemrat ne vjershën e dhënë. ( e gjatë, e gjëra, bukuroshe, e  kulluar, të lulëzuar....) 

Grupi III.  Rendit vargjet e poemës Bagëti e bujqësi.  Loja ( pazëll) 

Grupi IV. Krijo një pesëvargësh me fjalën ATDHEU


Atdheu

 i bukur, i shtrenjtë

zbukurohet, nderohet, dua

Atdheu ynë është Shqipëria

 Vendlindja 


Grupi V. Krijo Poemë Japoneze me fjalën ATDHEU.

Secili përfaqësues i grupit bën prezantimin e punës së grupit para klasës. 

Në minutat e fundit, dëgjohet kënga“ Shqipëri o nëna ime” e

Në im të orës përshëndet Sergita me këngën:  “Rrjedh në këngë e ligjërime” e Vaçe Zeles. 


Nxënësit vlerësojnë njëri-tjetrin. 

• Vlerësimi bëhet për:   

- leximin e poemës rrjedhshëm dhe me intonacionin e duhur;

- tregimet e tij/saj se si përshkruhet në poemë natyra e vendit tonë;

- përshkrimin e ndjenjave dhe emocioneve të tij/saj kur lexon këtë poemë;

- shpjegimin me fjalë të thjeshta, pse poeti ndihet krenar që është shqiptar;

- ndarjen me të tjerët të përjetimeve që ka provuar nëse është ndodhur larg atdheut për pak  kohë, apo qytetit/fshatit ku ka kaluar vitet e para të jetës;

- lidhjen e përmbajtjes së poemës me poezi, tregime, këngë të mësuara më parë;

- gjykimin se dashuria dhe besnikëria ndaj atdheut janë virtyte të çdo shqiptari në çdo kohë;

- respektimin e përpjekjeve  individuale dhe atyre në grup. Bashkëveprimin në grup. 


Detyrë shtëpie: Shkruaj pesë fjali për Atdheun. 

(Portali Shkollor)

6,462 Lexime
6 vjet më parë