Arlind Kamberi: Përse leximi na bën të ndihemi mirë dhe përfitimet prej leximit
"Leximi mund të na ndihmojë të ndihemi më mirë, veçanërisht në periudhat më të papëlqyeshme. Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit, po përmend përfitimet e leximit, 7 arsye për të mos u shkëputur asnjëherë nga faqet e librave”, shkrim nga nxënësi Arlind Kamberi.
Libri...
1. Zhvillon empatinë
Sipas një studimi, përmes leximit zhvillohet aftësia për të zbuluar dhe kuptuar emocionet e njerëzve të tjerë: një aftësi vendimtare për të qenë në gjendje të kuptosh e ndihesh mirë brenda sistemeve komplekse të marrëdhënieve shoqërore.
2. Të ndihmon t'u japësh kuptim gjërave
Umberto Eco, në përmbledhjen me titull "Gjashtë shëtitjenë pyjet e tregimtarisë" hulumton kuptimin dhe rëndësinë e leximit në zhvillimin e njeriut. Eco thotë: «Por shëtitja në botën e tregimtarisë ka të njëjtin funksion siç ka loja për një fëmijë. Fëmijët luajnë me kukulla, kuaj prej druri ose balona për t'u familjarizuar me ligjet e natyrës. Për t'u njohur me veprimet që, një ditë prej ditësh, do të duhet t'i marrin seriozisht. Po kështu, të lexosh rrëfime, do të thotë të bësh një lojë përmes së cilës mëson T’I JAPËSH KUPTIM PAFUNDËSISË SË GJËRAVE që kanë ndodhur, po ndodhin dhe do të ndodhin në botën e vërtetë."
Leximi, pra, është si një palestër në jetën tonë: ne mësojmë të kuptojmë realitetin dhe mekanizmat e tij dhe ushtrohemi të përballemi me të.
3. Të ndihmon të jesh mendjehapur
Të zhytesh në një tregim, është gati një lloj lehtësimi, që na përcjell kuriozitet dhe pritshmëri në lidhje me atë që po lexojmë. Nevoja njerëzore për të shpëtuar dhe për t'u strehuar në një "botë të mundshme", ndryshe nga realiteti ynë i përditshëm, gjen përmbushjen e vet të përsosur në lexim.
4. Të mëson se jo gjithçka shkon ashtu siç do ti
Kur zhytemi në një roman, duhet të kujtojmë gjithnjë se, për fat të keq, nuk jemi ne që mbajmë frenat e historisë. Dhe nganjëherë kjo mund të jetë e dhimbshme ose zhgënjyese: personazhi ynë i preferuar mund të vdesë ose mund të ndodhë diçka me të cilën nuk jemi dakord. Megjithatë, sërish është Umberto Eco që na thotë se ky është një mësim tjetër i shkëlqyer, që leximi na ofron. Duke marrë si shembull romanin "Mobi Dik", Eco thotë: "Të vendosnim ne për fatin e personazheve, do të ishte njësoj sikur të shkonim në zyrën e një agjencie udhëtimesh: "Epo, ku dëshironi ta gjeni Balenën, në Samoa apo ishujt Aleutiane? Dhe kur? Dhe a doni ta vrisni atë, apo do t'ia lini Kuikuajgut?" Mësimi i vërtetë i Mobi Dikut është se Balena shkon aty ku dëshiron".
5. Është formë e shpejtë e mundësisë për të marrë njohuri
Edhe në epokën digjitale, leximi është një nga format më të shpejta dhe më efektive të njohurive që marrim. Falë leximit, qasemi në një larmi të pafund jetësh, vendesh, kohësh të ndryshme dhe mund të zgjerojmë horizontin tonë të njohurive duke u identifikuar me jetën e të tjerëve, ulur qetë-qetë në divanin tonë.
6. Të ndihmon të ndryshosh veten
Leximi është një mënyrë për të njohur botën, por është edhe një mënyrë për ta njohur veten më mirë. Fjalët e të tjerëve në librat që lexojmë, nxisin emocione, reflektime, mendime te ne, të cilat na lejojnë të shqyrtojmë brendësinë tonë. Italo Calvino ka thënë: "Leximi është një marrëdhënie me veten dhe jo vetëm me librin, me botën tonë të brendshme përmes botës që libri na hap".
7. Leximi na bën më socialë
Madje edhe ne këto kohë, mund të diskutojmë, të lidhim shoqëri dhe të jemi bashkë, përmes librit.
Nga Arlind Kamberi
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!
Bullizmi në shkolla, si mund ta parandalojmë?