Angazhojini fëmijët të shijojnë pushimet verore, edhe kur janë në shtëpi
Alternimi mes lojërave virtuale dhe atyre në natyrë e ndihmon cilindo fëmijë të rritet shëndetshëm. Brezi i sotëm i fëmijëve favorizohet nga larmishmëria e zgjedhjeve, mjafton që prindërit t’i angazhojnë të jenë produktiv në lojërat e zgjedhura.
Koncepti i pushimeve verore në optikën e fëmijëve kremtohet si koha e lirive dhe argëtimit pa angazhime shkollore. Në kohët e sotme, ku kryefjalë mbetet teknologjia dhe të mirat e pafundme, fëmijët i orientojnë preferencat më shumë drejt lojërave virtuale krahasuar me ato në natyrë. Edhe gjatë pushimeve në bregdet, marrëdhënia e fëmijës me telefonin apo ipadin është e ngushtë, e thuajse e pandashme.
Interneti dhe lojërat virtuale janë mburojë për shumë fëmijë me natyrë të ndrojtur, të cilët preferojnë të qëndrojnë brenda mureve të shtëpisë. Sot, qëndrimi i fëmijëve brenda shtëpisë është fenomen shqetësues, pas i lidh fëmijët me teknologjinë. Mbi këtë fenomen, të shumtë janë prindërit që bien dakord. Zgjidhja mbetet e vështirë, veçanërisht kur të dy prindërit janë në punë dhe izolimi i fëmijës në shtëpi është i pashmangshëm. Alternimi mes lojërave virtuale dhe atyre në natyrë e ndihmon cilindo fëmijë të rritet shëndetshëm. Brezi i sotëm i fëmijëve favorizohet nga larshmëria e zgjedhjeve, mjafton që prindërit t’i angazhojnë të jenë produktiv në lojërat e zgjedhura.
Si të kultivoni aktivitete argëtuese për fëmijët?
Fëmija mëson se gjatë kohës kur prindërit janë në punë, ai ka mundësi:
- të luajë videolojëra, të shikojë televizor ose të lundrojë në internet
- të ngjyrosë, të shkruajë apo të vizatojë
- të lexojë një libër artistik me përralla, aventura dhe fantazi
- të shikojë filma të animuar me bazë edukative, etj
- të argëtohet në nje mini pishinë në shtëpi gjatë orëve të nxehta
- të bëj joga apo ushtrime të lehta fizike, të kërcejë
Fëmija mëson se kur prindërit kthehen në shtëpi, ekzistojnë të tjera mundësi për ta shfrytëzuar kohën e mbetur të ditës, si:
- të shëtisë në park me familjen,
- të shoqërohet me miqtë dhe të socializohet,
- të luajë me biçikleta ose me skuter,
- të ndjekë sportet ose kurset e preferuara, etj.
- të gatuaj (të përpiqet) bashkë me mamin ose babin
- ta kthej kohën e mbledhjes së lodrave të shpërndara nëpër shtëpi si një garë me pjesëtarët e tjerë të familjes
Fëmija mëson se kur prindërit janë të lirë në fundjavë, atëherë ai mund:
- të argëtohet duke notuar në pishina ose në plazh
- të eksplorojë përmes ekskursioneve në natyrë
- të luajë letra dhe lojëra tryeze me familjarët
Fëmija mëson të krijojë dhe të menaxhojë aktivitetet ditore duke u bazuar në sjelljet e prindërve dhe rrethit të ngushtë. Pa dyshim, ka ditë të verës ku vapa fashit çdo veprimtari dhe dëshirë për të dalë nga shtëpia, por krijimi i një rutine argëtuese dhe njëkohësish edukative ndihmon që koha e fëmijëve të jetë investim, jo shpenzim.
Përgatiti: Xhoana Jaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Stop bullizmit te të gjithë!
Menaxhimi i disiplinës në shkollë