Analizë e veprës së Ismail Kadaresë “Pallati i ëndrrave”
Mësuesja e letërsisë Etleva Kacanja ka sjellë për të gjithë maturantët të cilët përgatiten për provimet e Maturës Shtetërore, analizën e veprës së autorit shqiptar, Ismail Kadare, “Pallati i ëndrrave”.
“Pallati i ëndrrave” - Ismail Kadare
Historia rreth romanit
- “Pallati i ëndrrave" i Kadaresë jep realitetin e kohës kur është shkruar dhe të njerëzve të saj duke u mbështetur në metaforat: Pallati i Ëndrrave, nëpunësit dhe interpretuesit e tyre, ëndrra kolektive dhe individuale, ëndrra fatsjellëse dhe rrezikndjellëse, ëndrra e rëndomtë dhe bashëndrra.
- “Pallati i ëndrrave” i Ismail Kadaresë, ka kaluar në dy periudha: periudhën gjatë komunizmit dhe periudhën pas rënies së këtij të fundit.
Gjatë komunizmit
Dy kapitujt e parë të romanit, me nëntitullin "Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, fillimisht u botuan në vitin 1977, në përmbledhjen me tregime “Emblema e dikurshme”. Autori e boton veprën të plotë tre vjet më vonë. Por në vitin 1982, vepra kritikohet dhe ndalohet të qarkullojë. Interpretohej sikur ishte kundër perandorisë osmane për arsye se i drejtohej aq drejt asaj duke përdorur emra turkë për personazhet e tij. Kryepersonazhi quhej Ebu Qerim, dhe pallati me emër turk Tabir Saraj, apo dhe personazhet e tjerë me emra turko-arabë: Mehmet Qyprilliu, Fazil Mehmet etj.
Pas rënies së komunizmit
- Vepra pëson ndryshime artistike.
- Romani mori titullin “Pallati i ëndrrave” dhe emri i personazhit kryesor ndryshoi nga emri turk Ebu Qerim në Mark- Alem. Në këtë periudhë vepra interpretohet si kundër komuniste.
Lloji dhe struktura:
Romani është i shkruar në 7 kapituj. Titulli i secilit kapitull:
1. Mëngjesi
2. Seleksionimi
3. Interpretimi
4. Dita e pushimit
5. Darka
6. Arkivi(pika kulmore)
7. Afrimi i pranverës
Subjekti
Në një shtet totalitar i cili në fillim ngjason me perandorinë osmane, ndodhet Tabir Saraj, (Pallati i ëndrrave), një institucion/organ shtetëror ku mblidheshin dhe analizoheshin ëndrrat. Mark Alemi, personazhi kryesor i veprës, ishte djalë i familjes së Qyprillinjve, një familje të pushtetshme dhe të pasur por që në ato momente nuk po kalonin një fazë të mirë. Me anë të një rekomandimi ai nis punë në Departamentin e Përzgjedhjes(Sektor i rëndësishëm) në Tabir Saraj. Detyra e tij ishte të lexonte dhe dokumentonte ëndrrat të cilat vinin në rrezik perandorinë. Edhe pse nën ankth, ai punonte shumë dhe kishte filluar të shkëputej nga realiteti. Këtë e vë re një ditë pushimi se sa ndryshonte bota plot ngjyra dhe simbole e Pallatit nga bota reale që ishte gri dhe e varfër. Një ditë Mark Alemit i bie në dorë një ëndërr që përbëhej nga një urë, një dem, dhe një instrument muzikor. Detyra e tij ishte të zgjidhte ta kalonte në arkivë apo ta dërgonte për interpretim. Ai zgjodhi të fundit duke bërë kështu shkak i ndodhive pasardhëse.
Daja i Mark-Alemit organizon një mbrëmje ku ishin të ftuar edhe rapsodët shqiptarë të cilët do të këndonin në shqip këngët sllave që ishin ngritur për nder të Qyprillinjve. Mbrëmja ndërpritet për shkak të ushtarëve të cilit me urdhër nga Sulltani, ishin nisur të arrestonin Kurtin dhe për të vrarë rapsodët shqiptarë. Marku nuk dinte gjë për këtë urdhër por ndërkohë interpretimi i ëndrrës u bë i tillë:
- Emri i familjes “Qyprillinjtë”rridhte nga fjala shqipe “urë”
- Demi simbolizon shkatërrimin e perandorisë
- Instrumenti muzikor përfaqëson këngët himnizuese të ngritur për nder të Qyprillinjve
- Sipas interpretimit, Sulltani kishte menduar se kjo familje donin të bënin grusht shteti. Kjo përforcohej edhe nga këngët e ngritura, por kult mund të ishte vetëm Sulltani.
- Për herë të parë Mark-Alemi ndihet në kurth dhe kuptoi që herët a vonë do të ishte viktima e ardhshme e ëndrrave. Pavarësisht kësaj ai vazhdoi të punojë në Tabir Saraj.
Organizimi i institucionit “Pallati i ëndrrave”
Këto ishin sektorët dhe procedurat që ndiqnin:
1. Grumbullimi i ëndrrave nga e gjithë popullsia.
2. Përzgjedhja e tyre në varësi të rrezikut që kanosnin për vendin.
3. Interpretimi i ëndrrave të zgjedhura.
4. Përzgjedhja dhe interpretimi i bashëndrrës (ëndrrës më të rëndësishme)
Shpjegimi i pallatit të ëndrrave
Pallati:Tabir Saraj apo Pallati i Ëndrrave shihje si një nga institucionet themeltare të shtetit. Ai kontrollonte gjithcka, deri te “ëndrrat e e njerëzve”. Autori ideon strukturën e një pallati me koridore pa fund, me shumë kate mbi e nën dhe, me salla të stërmëdha, seksione e nënseksione, ku mijëra nëpunës punojnë me kokën ulur për të zgjidhur enigmën e rrezikut që i kanoset Perandorisë. Në këtë institucion vendosen fatet e njerëzve.
Perandoria qeveriset nga dy forca:
1. E dukshme: shteti dhe rregullat e tij.
2. E padukshme: shteti brenda shtetit, më i fortë se i pari, që është Tabir Saraj.
Marrëdhënia pushtet-individ (shtet-individ)
Në këtë vepër shohim raportin e individit që ka ambicie të integrohet në strukturat shtetërore dhe që e gënjen mendja se do të fuqizojë veten prej fuqisë së pushtetit, ashtu si Amrk-alemi u integrua në Pallatin e Ëndrrave. Por ky është një konflikt i përjetshëm, në të cilin vihet në dukje se cdo përpjekje e individit për t’u marrë me shtetin, për të depërtuar në brendësi të tij dhe për ta marrë me të mirë, është e dështuar. Individi në cdo raport që ta vendosë veten me shtetin, mbetet i kërcënuar prej tij. E njëjta gjë ndodh me Mark-Alemin.
Në këtë roman formulohet dhe dilema: “Më mirë të jesh brenda Tabir Sarajt apo jashtë tij?”
Të vërtetën e jep thënia e Kurtit, dajës së Markut:”…ai (Tabirsaraj) pavarësisht nga emri I bukur që ka, është institucioni më i tmerrshëm, më i verbëri, më fatali. ”
Elementet e absurdit
- Siç e dimë, ëndrrat janë produkt i pavetëdijshëm duke qenë se nuk shprehin veprime reale dhe si pasojë nuk janë rrezik real. Interpretimi i tyre është subjektiv. Grumbullimi dhe interpretimi i ëndrrave është absurd aq sa dhe ekzistenca e një institucioni të tillë.
- Rrëfimi i ngjarjeve nga veta e tretë dhe nga pozita e një narratori të gjithdijshëm, përdoret për të paraqitur absurditetinmbi të cilin ndërtohet jeta politike dhe shoqërore e një shteti.
- Ushtrimi i pushtetit deri në absurditet. Tentakulat e tij shtrihen në cdo shtëpi, në cdo individ, qoftë pushtetar i lartë qoftë shitës perimesh.
- Spikat frustrimi psikologjik mbi personazhet, frika dhe tmerri i dënimit të pabazuar në ligj dhe i pa-paralajmëruar. Kjo paraqitet npm ekzekutimit të Kurtit i cili gjykohet sa për sy e faqe e më pas ekzekutohet me prerje koke.
- Ankthi që shoqëron gjatë gjithë kohës Mark Alemin
- Në këtë vepër theksohet me nota të larta njeriu dhe mundi i tij për ekzistencë deri në absurditet.
Universaliteti
Në roman nuk ka tregues kohorë, as përcaktim të saktë gjeografik. Në lidhje me universalitetin kemi dy këndvështrime:
1. Nxitja e shpirtit të rezistencës së njeriut ndaj çdo lloj shtypjeje dhe totalitarizmi.
2. Tabir Saraji për Kadarenë, është ferri i përjetshëm i njeriut, ai që ndodhet brenda tij. Mark Alemi e krijoi tmerrin për të tjerët. Ai është nëpunës e më pas drejtuesi i këtij tmerri.
Punoi: Etleva Kacanja
(Portali Shkollor)
Iliada (Kënga VI) – Homeri, test i mbështetur mbi komentet e çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe
Prometeu (Dy fragmente) – Eskili, test i mbështetur mbi komentet e çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe
Test i mbështetur mbi komentet e çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe (Fausti-Kopshti)