A po i dëmtojmë fëmijët nga mungesa e limiteve?
Nga dëshira dhe dashuria e madhe prindi përpiqet t’ia plotësojë fëmijës të gjitha kërkesat. Të rritur dikur me shumë mangësi nuk do donin ta shihnin këtë gjë tek të vegjlit e tyre. Në këtë mënyrë i japin mesazhin fëmijës që nuk ekzistojnë kufijtë. Por a dëmtohen fëmijët nga padija dhe mungesa e limiteve?!
Një burrë e një grua bëhen nënë e baba me lindjen e një fëmijë, por vendosin të bëhen prindër me investimin në edukimin e pasardhësit të tyre.
Prindërimi është një proces i gjatë dhe i vështirë. Duhet jo vetëm dije, informacione, por edhe eksperiencë. Çdo ditë e jetës së fëmijës përbën një ngjarje e re ku të dy partnerët duhet të jenë gati. Ashtu si nëna dhe babai njihen me ndjenja të mëdha të dashurisë, përkushtimit dhe mbrojtjes. Ditët kalojnë dhe vëmendja nuk shkëputet asnjëherë ndaj kësaj krijese që duket tamam si projeksion i cilësive më të mira të dy prindërve. Fatmirësisht kohët e fundit edhe baballarët po kujdesen më tepër në edukimin e fëmijëve. Zbutja e patriarkalitetit i ka bërë ata të përfshihen më shumë në rritjen e vogëlushëve të tyre. Megjithatë gjatë prindërimit kuptohet që pavarësisht shumë përpjekjeve sërish nuk mjafton. Sfida fillestare e prindërit është përballja me ndryshimin e jetës dhe vetes. Si nënës dhe babait i duhet të kthehet në super hero duke qenë aktiv në çdo orë të ditës. Lodhja dhe pasioni ndërthuren së bashku, ku ajo që i jep forcë është dashuria.
Koha kalon dhe foshnja rritet dhe bëhet fëmijë. Belbëzimi bëhet fjalë dhe zvarritja kthehet në hapa. Dashuria bëhet aq e madhe sa shumë herë prindit i duket sikur nuk do mundet të dojë më tepër se kaq. Por kjo dashuri ndonjëherë e kthen në gabimtar të vazhdueshëm nëse nuk vendosen limite.
Nga dëshira dhe dashuria e madhe prindi përpiqet t’ia plotësojë fëmijës të gjitha kërkesat. Të rritur dikur me shumë mangësi nuk do donin ta shihnin këtë gjë tek të vegjlit e tyre. Në këtë mënyrë i japin mesazhin fëmijës që nuk ekzistojnë kufijtë. Na ka qëlluar të shohim shpesh nëpër markete fëmijë 3-4 vjeçar që bërtasin dhe kapen fort pas këmbës së nënës apo babait. Ata nuk ndryshojnë sjellje deri sa të plotësohet dëshira e momentit. Duke qarë mund të kërkojnë ushqime të dëmshme për organizmin e tyre, mund të duan mjete të teknologjisë më të fundit dhe çfarë do tjetër që shohin. Nga dashuria e madhe, por edhe padija, prindi mund të bëhet tolerant më tepër se sa duhet duke e keq edukuar fëmijën e tij. Pa rregulla, vogëlushi mund të gjendet kudo dhe duke bërë çfarëdo, me këdo. Nga dashuria pa edukim, do të dëgjojmë fëmijën tek thotë fjalë të pista apo fyese ndaj dikujt. Në këtë mënyrë rriten individ që nuk kanë respekt për tjetrin. Po ashtu ka raste ku të voglit i mësohet me ngulm të jetë i fortë dhe të mos qajë, por brenda vetes e ndrydhin dhe e frustrojnë. Nga dashuria dhe egoizmi mund ta lënë fëmijën përherë fëmijë, ose e rrisin para kohe.
Fëmijëve sigurisht që duhet t’i japim atë që kanë nevojë, por duhet t’i mësojmë edhe të falënderojnë, sepse ne te rriturit e dimë mirë sa e rëndësishme është mirënjohja.
Nga mungesa e edukatës së mirëfilltë, fëmija nuk do dijë të bëhet i zoti për veten. Do jetë ai individ që të nesërmen do dojë të fitojë të ardhura me rrugën më të shkurtër apo që do lodhet duke punuar. Nga dashuria pa edukim, prindi mund të krijojë indirekt një djalë apo vajzë egoist. Nga kjo dashuri pa rregulla mund të ripërsëriten pakënaqësitë që sot kemi për jetën.
Është e njohur tashmë që gjatë sfidave të edukimit nuk është vetëm prindi që ka ndikim plotësisht në formimin e fëmijës, pasi janë edhe faktorët e tjerë të jashtëm si shoqëria, shkolla, media etj. Megjithatë pa diskutim që prindi ka mundësi t’i krijojë thelbin dhe t’i japë premisa drejt pozitivitetit.
Ndaj duhet të reflektojmë pa qenë vonë dhe të pyesim veten nëse po dëmtojmë apo jo fëmijët nga padija dhe mungesa e limiteve?!
Nga sociologia Marsida Simo
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!
Bullizmi në shkolla, si mund ta parandalojmë?