Higjiena dhe pamja fizike

A mund të përdorin djemtë kremëra për fytyrën?

Lëkurat e yndyrshme dhe të përziera duhen trajtuar me produkte që ruajnë ekuilibrin e yndyrës, për të mbajtur në kontroll shkëlqimin e tepërt (nga yndyra) dhe puçrrat.

Pyetja e adoleshentit: A duhet të filloj të përdor kremëra për fytyrën? Cilat produkte janë më të këshillueshme? Mund të përdorin edhe djemtë kremra?

Përgjigjen specialistët:

Në adoleshencë, i vetmi trajtim që i duhet bërë fytyrës është pastrimi sa më i mirë me xhel pastrues, meqenëse ripërtëritja e qelizave është në kulmin e saj. Lëkurat e yndyrshme dhe të përziera duhen trajtuar me produkte që ruajnë ekuilibrin e yndyrës, për të mbajtur në kontroll shkëlqimin e tepërt (nga yndyra) dhe puçrrat.

Mirë është që këto produkte t’i përdorësh dy herë në ditë: në mëngjes para se të vendosësh kremin dhe tualetin dhe në darkë për të hequr të gjitha papastërtitë, për të lehtësuar “frymëmarrjen” e lëkurës, si dhe për të ndihmuar ripërtëritjen qelizore, e cila ndodh gjatë natës.

Për sa u përket djemve, pastrimi duhet të jetë i shpeshtë, sepse sekrecionet e gjëndrave të tyre të djersës janë më të shumta, ndaj ata kanë më shumë probleme me yndyrën e lëkurës dhe aknet.

Mbrojtja nga dielli

Është shumë e rëndësishme të përdorësh produkte të përshtatshme sipas llojit të lëkurës, nivelit UV dhe kohës së qëndrimit në diell.

Produkti përdoret pasi ta kesh pastruar dhe tharë mirë fytyrën, rreth 30 minuta përpara se të dalësh në diell. Përsërite lyerjen me krem çdo 3-4 orë. Mos harro qafën, veshët dhe buzët.

( Marrë nga libri "Seksi, 101 pyetje dhe përgjigje", botuar nga ALBAS )

2,771 Lexime
8 vjet më parë