Rikthimi në shkollë

A duhet t’i pyesim nxënësit si i kaluat pushimet verore?

Ky është një mesazh për të gjithë mësuesit, që ata të mendojnë shumë përpara se të drejtojnë një pyetje në klasë dhe të kuptojnë se pas çdo fytyre të ngrysur, lodhur apo mërzitur fshihet një problem më i madh se vetë nxënësi.

Të dashur mësues,


Dita e fillimit të vitit të ri shkollor po afron. Vetëm pak ditë ju ndajnë nga takimi me ato fytyra të ëmbla që vijnë në klasën tuaj për herë të parë. Kur ju t’ju jepni detyrën e parë e të zakonshme nxënësve me temë: Shkruani, tregoni si i kaluat pushimet verore, ju lutem mendoni dhe kuptoni se në klasën tuaj patjetër do të ketë fëmijë familja e të cilit nuk ka pasur mundësi të shkojë diku për pushime. Ndërsa një tjetër nxënës në  klasën tuaj gjatë verës është kujdesur për vëllanë ose motrën më të vogël për të ndihmuar prinfërit të cilët kanë punuar gjatë gjithë verës. Dikush, një nxënës nga klasa juaj ka qëndruar poshtë batanijes deri në orën dy të mëngjesit, i strukur, i frikësuar  duke dashur t’u ikë fyrjeve dhe britmave. Një nxënës po nxiton për të ngrënë sepse gjatë gjithë verës ka kërkuar derë më derë ushqim e ka qenë i uritur gjithë kohën. Diku tej, në një qoshe të klasës është një fëmijë i veshur me rrobat e vitit të kaluar sepse familja e tij nuk ka pasur mundësi t’i blejë rroba të reja. Shiko me vëmendje nxënësit, diku, një nxënës ka fshehur duart sepse puna gjatë gjithë verës duke mbledhur bimë medicinale ka lënë shenja dhimbjeje në duart e tij. Pastaj, i dashur mësues, shiko dhe kujtohu, a mungon dikush në klasën tënde? Mbase një nxënës është detyrur ta braktisë shkollën, po punon rrugëve për të siguruar ushqim për veten dhe familjen, apo dikush ka rënë pre e dhunës, sepse jeta në rrugë është shumë e vështirë.


Ka fëmijë që e kanë kaq shumë frikë këtë pyetje, janë në ankth e në stres sepse nuk dinë se si të përgjigjen. Ata nuk kanë si t’ju përgjigjen sepse thjesht janë përpjekur të mbijetojnë në këtë realitet të vështirë për ta. 


Mbase mund t’ju drejtoni një pyetje tjetër, le të jetë një bisedë që nuk lëndon askënd por bën që gjithsecili nxënës të këtë diçka për të thën. Mbase mund t’i pyesni: Çfarë dëshiron të bëjë gjatë këtij viti shkollor?, apo Cila është ajo ngjarje që la gjurmë te ju gjatë vitit të kaluar shkollor?...


Ftojini fëmijët të mendojnë e punojnë për ta bërë të ardhmen e tyre më të bukur se jeta që po jetojnë tani dhe ju lutem mos harroni se për disa nxënës gjëja më e mirë që ka ndodhur është që pushimet kanë mbaruar. 


(Portali Shkollor)

12,325 Lexime
6 vjet më parë