Nxitja e leximit

10 këshilla për të rijetësuar bibliotekat shkollore

Irida Xhura, mësuese e lëndëve Gjuhë shqipe dhe Letërsi në shkollën "Tomorrow's Education System", në kuadër të këtij muaji që i dedikohet librave, kthen vëmendjen te bibliotekat shkollore. Ajo sugjeron 10 këshilla për rijetësimin e tyre, që mësuesit të nxisin të nxënësit dashurinë për librat.

Dita Ndërkombëtare e Librit na rikujton vlerat e tij si instrumenti më i pazëvendësueshëm i dijes, por puna e mësuesit për të nxitur dashurinë për librin është një proces për të cilin duhet të punojmë çdo ditë.

Mësuesit e lëndëve gjuhë shqipe dhe letërsi kanë një rol qendror në këtë aspekt, ndaj tek ata duhet shquar pasioni dhe modeli i lexuesit të kualifikuar e të përditësuar me botimet më të reja në treg, me ripërkthimet etj.

Një hapësirë shumë e vlefshme në jetën shkollore, për të mundësuar lidhjen e nxënësve me librin janë bibliotekat shkollore.


Bibliotekat shkollore duhen rijetësuar!


Ato duhen përditësuar me tituj të rinj, me ribotime e ripërkthime të cilat vijnë më pranë shijeve të lexuesit bashkëkohës.

Mësuesit përgjegjës të bibliotekave shkollore duhet të hartojnë një plan aktivitetesh me në qendër librin, i cili siguron nxitje dhe kërshëri te nxënësit. Më poshtë dua të sugjeroj disa aktivitete të cilat në përvojën time kanë rezultuar të suksesshme.


Takime me shkrimtarë

Lexuesi krijon afërsi me veprën pasi ka njohur dhe vlerësuar autorin e saj. Biseda me shkrimtarët është gjithnjë frymëzuese e motivuese. Shkrimarët gjithashtu i vlerësojnë bisedat me lexuesit e tyre. Në pamundësi për t’i ftuar ato në shkollë, ju mund të organizoni një takim gjatë muajit të panairit të librit.


Vizita në shtëpitë muze të shkrimtarëve


Mundësia e prekjes së hapësirës ku ka jetuar autori e ku është ngjizur krijimtaria e tij artistike është gjithmonë një përvojë mbresëlënëse. Këto vizita janë të shkurtra, por plot me informacione interesante. Një shembull është muzeu Shtëpia Studio Kadare.


Bashkëpunime me Bibliotekën Kombëtare Shqiptare


Kjo bibliotekë ofron mundësinë e takimeve me nxënësit për t’i njohur ata me rrugët e hulumtimit në faqen e tyre të internetit, për qasjen në burime të rralla të letërsisë shqipe, për përdorimin e katalogëve on line etj. Nëse nuk i afroni nxënësit me këtë institucion të rëndësishëm kulturor, ka gjasa që të mos e dinë as ku ndodhet.


Vizitë në një shtypshkronjë


Vizita në një shtypshkronjë ofron mundësinë e njohjes me secilën fazë të shtypjes së librit, prekja e “laboratorit të librave” ngjason me një udhëtim fantastik.

 

Përditësoni vitrinën e librit në shkollë me tituj të rinj


Furnizimet e herëpashershme me titujt më të rinj në treg nxisin lexuesit. Vendosni postera në këndet e njoftimit në shkollë në mënyrë që nxënësit të informohen. Poshtë secilit titull libri mund të saktësoni edhe llojin e romanit.


Zhvilloni një takim me një përkthyes


Sfidat e përkthimit nga gjuha e huaj në gjuhën shqipe, pasuria e leksikut të gjuhës sonë, përkthimet jocilësore e të tjera çështje si këto mund të trajtohen për të orientuar lexuesit në rrëmujën e madhe të ripërkthimeve.


Klubi letrar


Krijo një klub letrar me nxënësit e apasionuar pas letërsisë. Jepu atyre mundësinë të shkëmbejnë përvojat e tyre të leximit dhe të diskutojnë nga pikëpamje të ndryshme. Organizoni me ta një aktivitet letrar për Ditën Ndërkombëtare të Poezisë apo për Ditën Ndërkombëtare të Librit.


Orë ndërgjegjësuese


Hulumtoni për fakte lidhur me përfitimet që vijnë nga leximi i librave dhe prezantojani nxënësve. Letra e shkruar nga shkrimtari Umberto Eko “Letër nipit tim”, është një nga tekstet që mund të shfrytëzohet duke i bashkëngjitur asaj studime shkencore që radhisin përfitimet që vijnë nga të lexuarit.


Sfida e fjalëve të reja


Zhvillo nje lojë: udhëzoji nxënësit të nënvizojnë në libër fjalët e reja dhe të krijojnë një fjalorth me to. Lër gjithmonë mbi tryezë në bibliotekë një fjalor hapur, udhëzoji të aftësohen në gjetjen e fjalëve në fjalor. Gjetësi më i shpejtë mund të fitojë një faqeshënues.


Dhuro një libër për leximtarët më të mirë


Në fund të vitit shkollor numëroni leximet e secilit nxënës në kartelat përkatëse dhe vlerësojini me një certifikatë e me nga një libër dhuratë. Ato do të ndihen të vlerësuar e të motivuar. Këtë ndarje certifikatash mund ta bëni edhe në prani të prindërve të cilët pa dyshim do të ndiheshin krenarë.


Ideoi Irida Xhura

© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,562 Lexime
1 vit më parë