Udhëzuesi për vitin shkollor 2020-2021
Udhëzues në ndihmë të drejtuesve, mësuesve, prindërve dhe nxënësve të institucioneve arsimore parauniversitare mbi fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021.
Në të gjithë botën, qeveritë, ministritë e arsimit dhe shkollat janë duke u përballur me sfidat e fillimit të vitit të ri shkollor në një kohë shumë të pasigurt. Pas një ndërprerjeje të gjatë të procesit mësimor, vendet i kanë hequr gradualisht kufizimet, por duke përcaktuar masat mbrojtëse, veçanërisht distancën fizike. Me virusin ende në qarkullim në shkallë botërore, shoqëria po përgatitet për një “realitet të ri”, në të cilin arsimi mund të jetë i ndryshëm nga sa e kanë njohur nxënësit, mësuesit, prindërit dhe komuniteti. Shkollat nuk janë vetëm vendi ku nxënësit marrin njohuri të reja në lëndë të ndryshme mësimore, por edhe ku zhvillohen nga ana sociale dhe emocionale. Mbyllja e tyre nuk ka penguar vetëm realizimin normal të procesit të të nxënit, por edhe mbështetjen për mirëqenien psiko-emocionale të nxënësve. Për këtë arsye, sistemet arsimore në vende të ndryshme po planifikojnë disa skenarë për vitin e ri shkollor, me përparësi rihapjen e shkollave, por në varësi të përhapjes së virusit dhe të specifikave të shkollave edhe mësim në distancë ose kombinim të të dyja formave: mësim në shkollë dhe mësim në distancë. I njëjti realitet paraqitet edhe në vendin tonë. Të gjithë duam që nxënësit tanë të kthehen përsëri në shkollë, pasi humbja e mësimeve mund të ketë pasoja afatgjata për nxënësit, prindërit dhe të gjithë shoqërinë në aspektin social dhe ekonomik. Megjithatë do të ishte e papranueshme nëse nxënësit kthehen në shkollë dhe nuk do të ishin të sigurt nga ana shëndetësore. Në përmbushjen e kësaj sfide shkollat do të kenë mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar dhe të të gjitha drejtorive dhe zyrave arsimore në nivel kombëtar dhe vendor. Pjesë e kësaj mbështetjeje është edhe hartimi i këtij udhëzuesi. Udhëzuesi synon të kontribuojë në përgatitjen e shkollave që të jenë fleksibël në planifikimin dhe në organizimin e procesit mësimor, të përkushtuara për të ofruar arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, të gatshme për t’u ofruar nxënësve mjedise të sigurta duke respektuar rregullat e distancimit fizik dhe masat e tjera mbrojtëse, si dhe të afta për t’u përballur me pasojat e pandemisë COVID-19. Që shkolla ta përmbushë këtë synim, nevojitet planifikim, angazhim i të gjithë aktorëve në sistemin arsimor dhe rishikim e ndryshim i planeve në varësi të ecurisë së pandemisë. Në udhëzues parashikohen tre skenarë të mundshëm të zhvillimit të procesit mësimor:
- mësim në shkollë;
- mësim i kombinuar (në shtëpi dhe në shkollë);
- mësim në kushtet e shtëpisë (online).
Skenarët do të zbatohen në varësi të infrastrukturës së shkollave, të numrit të nxënësve dhe të përhapjes së virusit. Kështu mund të ndodhë që brenda një qyteti të ketë një shkollë që e zhvillon procesin mësimor normalisht dhe një shkollë që zbaton mësimin e kombinuar (shkollë dhe shtëpi), siç mund të ndodhë që një shkollë ta nisë procesin mësimor normalisht dhe më pas të vijojë me mësimin në kushtet e shtëpisë për shkak të përhapjes së virusit. Në sistemin tonë arsimor, si në çdo vend të botës, ka shkolla që mund të mundësojnë zhvillim normal të procesit mësimor, ka shkolla që mund të mos jenë në gjendje të mirëpresin të gjithë nxënësit me kohë të plotë për shkak të zbatimit të rregullave të distancimit fizik dhe të masave të tjera mbrojtëse, ka shkolla që mund ta zhvillojnë mësimin me turne etj. Pavarësisht rrethanave dhe specifikave të tyre, shkollat do të sigurojnë:
- arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës;
- mirëqenie (shëndet mendor dhe mbështetje psiko-sociale) për nxënësit;
- mjedise të sigurta për nxënësit dhe për stafin mësimor dhe ndihmës.
Udhëzuesi orienton mësuesit dhe drejtuesit e shkollave publike dhe private, në lidhje me çështjet e mëposhtme:
- Planifikimi për organizimin dhe për zhvillimin e procesit mësimor gjatë vitit shkollor 2020- 2021. Përshkrimi dhe zbatimi i skenarëve të mundshëm për organizimin e procesit mësimor.
- Zbatimi i masave të sigurisë dhe të higjienës sipas protokollit të autoriteteve shëndetësore.
- Udhëzime organizative për DRAP-et, ZVA-të dhe shkollat për fillimin e vitit shkollor.
- Udhëzime metodologjike sipas tre skenarëve, përfshirë edhe platformat online dhe videot që transmetohen në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) për mësimin në distancë dhe të kombinuar.
- Udhëzime për vlerësimin e nxënësve sipas secilit skenar.
- Mbështetja e nxënësve me aftësi të kufizuara.
- Komunikimi dhe bashkëpunimi me prindërit.
- Vlerësimi i Arritjeve të Nxënësve të Arsimit Fillor (VANAF), Provimet Kombëtare të Arsimit Bazë (PKAB) dhe Matura Shtetërore (MSH). Programet orientuese për provimet kombëtare.
- Zhvillimi profesional i mësuesve, i drejtuesve dhe i personelit ndihmës në shkollë. Pavarësisht përshkrimeve të detajuara dhe rekomandimeve të praktikave më të mira, udhëzuesi lejon fleksibilitetin që u nevojitet shkollave për të zhvilluar dhe për të zbatuar zgjidhje krijuese në përputhje me rrethanat e tyre specifike dhe lokale.
Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Struktura e vitit shkollor 2024-2025
Manuali i aplikimit në portalin “Mësues për Shqipërinë”
Aplikimi në universitete 2018-2019, udhëzimi