
Zgjimi i një romanciereje ndryshe – Virion Graçi për romanin “Lindur së prapthi” të Rita Petros
Romani “Lindur së prapthi” i Rita Petros shënon një zgjim të ri në letërsinë bashkëkohore: një rrëfim autobiografik i guximshëm dhe antikonformist. Me stil novator e ton lirik, autorja ndërton një identitet femëror “ndryshe”, që sfidon skemat dhe kodet e një shoqërie totalitare.
Nga Virion Graçi
Rita Petro me romanin “Lindur së prapthi” (2022), promovohet si romanciere, krahas gjinive ku është dalluar më parë, poezi, tekste pedagogjike; si romanciere në sferën e autobiografisë dallon nga kolegë të tjerë për nga nënrenditja e dëshmisë së saj romanore duke e parë atë si ekskluzivitet të sajin, jo si fragment i letrarizuar i historisë së përgjithëshme; me guxim emancipues e stil novator ajo përzgjedh nga jeta e saj fëmijërore/rinore ngjarje, episode, tipa e marrdhënie në funksion të një “përshtypjeje” që kanë të tjerët, të afërmit, të rriturit, bashkëmoshatarët për personalitetin e saj në të tashmen e rrëfimit: antitabu, antikonformiste, njeri i lirë që shkon pa mëdyshje pas thirrjeve të zemrës, të ndjenjave, të intuitës, pa ju lënë rol vendim-marrës modave, modeleve të trashëguara, skemave, zgjidhjeve tradicionale.
Ajo pozicionet si 'ndryshe' qysh në titullin e veprës, dhe vijon ta faktojë këtë pretendim, jo nëpërmjet aktesh të bujshme, patetike, por në mënyrë të pafajshme, me të sjellurit e saj si femër në raport me gjininë tjetër. Natyra e rebelimeve të saj në etapa të ndryshme të jetës mund të perceptohet më mirë në kontekstin e kohës kur rinia e Shqipërisë i kishte ngurtësisht të përcaktuara disa kode sjelljeje dhe jeta komandohej, matej, vlerësohej e kontrollohej imtësisht nga organizatat e grupmoshës përkatëse; organizatat ishin zgjatime të ideologjisë partiake dhe mendësisë totalitariste; individualizimi quhej shfaqe e dëmshme anti-sociale, përveçësia në veshje, në sjellje, në raportet me të tjerët ishin të dënueshme nëse nuk i përmbaheshin të mirës së përgjithshme, interesit të përgjithshëm. Këtë lloj absurditeti në koordinimin, që në fakt është çakordim midis jetës vetjake intime dhe jetës së organizuar kolektive, autorja e lë të nënkuptohet dhe hyn menjëherë në thelbin e problemit duke e marrë vetë përgjegjësinë e mbrapshtësisë, siç paralajmërohet në prolog:
-Ti ke lindur anapodha, - më thoshte gjyshja nga ana e babit.
-Ti ke lindur së prapthi, - më thoshte gjyshja nga ana e mamit.
-Të gjithë njerëzit, kur lindin, nxjerrin në fillim kokën, tik e nxjerrë këmbët. Unë e di ç’kam hequr me ty, - thoshte mami.
Dhe aq shumë e kam dëgjuar këtë, sa, kur fillova të ecja, paskam vendosur duart në tokë dhe paskam ngritur këmbët lart. (f.7)
Ky fëmijë fillon ta shohë botën nga poshtë-lart. Po në Prolog marrim si paradhënie kuintesencën e personazhit protagonist, heroit rrëfimtar, autobiografik-fiksional, si më poshtë:
'Tek rritesha e përsosja ecjen time me duar. Krahët m’u forcuan, ndërsa këmbët u mësuan të bëjnë figura nga më të ndryshmet në ajër. Isha më e mira për akrobaci. Me këmbët e mia u mësova të përqafoj njerëzit. Ata shpesh ma gudulisnin apo ma pickonin piçukun. Kjo gjë më bezdiste pa masë. Ndaj kur u rrita dhe pak, fillova të sillesha ndryshe. Këmbët e mia puqeshin aq fort, sa askush nuk mund t’i hapte ato, aq më tepër të fuste hundët aty.' F.8
Fëmija/adoleshentja/e reja sillet, ndien dhe kundërpërgjigjet shpengueshëm në kufijtë e kushtëzimeve të saj të “lindura”. Natyra “së prapthi” dëshmohet edhe në moshën/kohën e shkrim-rrëfimit romanor, që është e tashmja: vizioni i saj përzgjedhës i fakteve të kujtesës dhe toni i shpenguar lirik, me nota humori dëshmojnë një tipar të patjetërsuar të autores-narratore: qasja optimiste ndaj jetës, ç’tensionimi i fakteve nga jeta e saj dhe jeta shoqërore, atakimi miqësor i traditave të fosilizuara të çdo periudhe e mjedisi dhe sfidimi i normave të kalcifikuara sa u takon pikprerjeve mes jetës private dhe formatit mbizotërues. Në thelb, personazhi autobiografik i R. Petros evokon zgjimin sensual/seksual të femrës si afirmimin personaliteti, si ndërgjegjësim, si pjesë vitale e jetës njerëzore dhe si dimension lirie.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Njihuni me Bergin, lexuesin e vogël që leximin e sheh si superfuqi
Cirku Kombëtar në përvjetorin e tij të 60-të, vlerësime për 54 artistë