CEREMONIA

Cirku Kombëtar në përvjetorin e tij të 60-të, vlerësime për 54 artistë

Në përvjetorin e 60-të të Cirkut Kombëtar, Ministria e Kulturës organizoi një ceremoni gjatë të cilës u nderuan me dekoratën e mirënjohjes figura më të të njohura të cirkut shqiptar, për pasionin dhe përkushtimin e dëshmuar.

Nëntori i vitit 1959 me realizimin e një shfaqje të plotë cirku, që u titullua ‘‘Shkopi Magjik’’, do të shënonte momentin e lindjes së Cirkut Shqiptar.


Në përvjetorin e tij të 60-të, Ministria e Kulturës organizoi një ceremoni në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Gjatë kësaj ceremonie u nderuan me dekoratën e mirënjohjes figura më të të njohura të cirkut shqiptar, për pasionin dhe përkushtimin e dëshmuar për të mbajtur gjallë këtë art të veçantë.

Gjatë ceremonisë u promovua edhe libri i mjeshtres së madhe Vitore Sallaku me kujtime, histori dhe emrat më të njohur të cirkut shqiptarë.


Edhe në ditët e vështira pas tërmetit, artistët e Cirkut ishin ndër të parët, që u gjendën pranë fëmijëve, në zonat më të prekura.


Arti i cirkut në vendin tonë është i pëlqyeshëm nga të gjitha moshat. Nuk ka një skenë, stadium apo shesh në Shqipëri ku artistët akrobatë nuk kanë luajtur dhe nuk kanë shfaqur aftësitë e tyre të rralla artistike. Ata gjithmonë janë duartrokitur fuqishëm nga shikuesit.


Cirku Shqiptar është një pjesë e pandarë e cirkut botëror. Pionierët e parë të këtij arti në vendin tonë u shfaqën gjatë viteve 1932-’35, kryesisht në fushën e iluzionit dhe të ekuilibrit mbi tel.

Në vazhdimësi numri i tyre u rrit dhe profilet ku ata luanin u zgjeruan, duke u pasuruar me numrat akrobatikë, numrat ajrorë, ato me kafshë, kllounatë e xhongleristikë. Në vitin 1959 ata artistë kurajozë e të talentuar realizuan një shfaqje të plotë cirku të titulluar “Shkopi Magjik” Ky moment i rëndësishëm shënon krijimin e Cirkut Shqiptar, një pjesë e rëndësishme dhe me vlerë e kulturës dhe artit tonë kombëtar.

Në këtë rrugë të gjatë të rritjes, me vështirësi dhe suksese, artistët dhe drejtuesit e cirkut, këta njerëz që patën kurajon të kultivonin këtë gjini specifike, bënë të mundur që vendi ynë i vogël të kishte një vlerë të veçantë kombëtare artistike e kulturore.


Cirku Kombëtar përfshin në repertorin e tij vlera nga cirku botëror, por gjithashtu edhe vlera tradicionale. Këto vlera pasqyrohen në ilustrimet muzikore, ritmet, veshjet dhe në një masë më të madhe në idetë dhe skenografitë e shfaqjeve.


Emrat e nderuar dje janë: Telat Agolli (Pas Vdekjes), Gjyzepina Shkurti, Ismail Reka, Tahir Baçova Vitore Sallaku, Bajram Kurti, Skënder Sallaku (Pas Vdekjes), Ndriçim Kazazi, Ali Jucja, Jakobin Pepa, Arjan Miluka, Skënder Plasari, Arben Shaka, Pavllo Sallata, Vilson Gjoçaj, Met Selimi, Kujtim Dumi, Fatos Roshi (Pas Vdekjes), Fatos Alla, Bujar Bodinaku, Sulejman Dibra (Pas Vdekjes), Ali Xhixha (Pas Vdekjes), Ali Duma (Pas Vdekjes), Pineo Shkurti (Pas Vdekjes), Fitnete Duro, Sanie Baçova, Sekine Ahmeti, Gjyslime Petrela, Halil Minxolli (Pas Vdekjes), Hamdi Petrela, Kostandin Papanikolla, Pranvera Agolli, Kozeta Kurti, Silvana Derveni, Sokrat Buzo, Nevruz Hyseni, Merita Dabulla, Agron Muho, Bashkim Rada (Pas Vdekjes), Adon Miluka, Blerim Reçi, Arjan Sukniqi, Kiço Londo, Sajmir Çili, Andrea Minga, Nexhi Dakli, Agron Starzimiri, Ymer Pampuri, Rajmond Gajtani, Agron Veizi, Kujtim Zuna, Dhimokrat Shahini, Llaqi Nako dhe Verdi Take.



(Marrë nga ATSH, Portali Shkollor) 

1,980 Lexime
4 vjet më parë