“Yjet speciale”, nga Kozeta Hida

“Yjet speciale” është shkrimi letrar i mësueses Kozeta Hida me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Shtëpia Botuese Albas.

“Yjet  speciale” është shkrimi letrar i mësueses Kozeta Hida me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Shtëpia Botuese Albas. 



“Ajo që dimë është e kufizuar, kurse ajo që nuk dimë është e pafundme”, thotë S Frashëri. Kështu e kam marrë emërimin tim në punën e re të padëgjuar më parë. Mbaj mend që e gëlltita duke e imagjinuar në dhjetëra hamendësime, vetëm në atë të duhurën s’kisha goditur. Telefonoj një mike fëmijërie pedagoge dhe i tregoj për punën time të re si mësuese speciale, dhe përgjigjja e saj ishte e menjëhershme:

- Shko hiq dorë, se nuk je për atje! 


Ku isha?

Nuk e di, por është e vërtetë se ajo që ndodhi ishte mjaft çoroditëse për mua, aq sa dhe një frikë e pakuptimtë filloi të lëvrinte brenda meje. Nga mbrëmja kërkova hënën në verandën e shtëpisë sime, për të komunikuar me vështrime. E ndiej të nevojshme energjinë pozitive që ajo më fal, sa herë që kam një dilemë. Marr atë që dua nga ajo hajdute magjike.


 Atë natë, deri vonë hulumtova në internet rreth mësuesve specialë. Të nesërmen në mëngjes, si për çudi, frika më ishte zhdukur si me magji dhe para pasqyrës përgatita veten të mos tregohesha aq foshnjarake. Duhet të isha e bukur, pasi isha një mësuese. Teksa krihesha me atë energjinë e duhur, karakteristikë për dikë që e rimerr veten pas një nate pa gjumë, ndieja një shtysë, duke ia vjedhur kuriozitetit që ndodhej aty për aty si lindja e paralajmëruar e një ndjesie e një force të shndritshme. Forca e një gruaje mësuese. Aq e shndritshme sa ia përcolla edhe gjysmës sime. Hera e parë që s'folëm fare për arsye josentimentale, pasi bukurinë e atij çasti e konsideroj si bregun e fundit nga ku mund të dilje i lumtur.


Aq i bukur ishte edhe nxënësi im, me vështrimin që më bëri me sytë e tij të kaltër si një parashije tragjizmi mbresëlënës. Frika e tij nga një mësuese e re e kryqëzoi frikën time. Brenda hiçit që të dy mund të tmerroheshim nga mundësia që na jepej. Por realiteti përballë njëri-tjetrit u bë aq i dëshirueshëm, pa ndrydhje për të dy, sa na u duk sikur nuk ishte takimi ynë i parë.


Ario kishte paaftësi intelektuale dhe çrregullimet në të folur e kishin bërë të qëndronte pasiv. I mbyllur në vetvete dhe në fund të klasës, gjithnjë i ulur vetëm në bankë. Barriera pa fund për Arion edhe nga familja e varfër, që as nevojat bazike s’ia plotësonte. Madje trajtimet as që mendoheshin fare. I ulur në fund pranë dritares duke soditur zbrazëtinë, Ario nuk kishte dëshirë të punonte. Nga ajo ditë e parë që kujtoj edhe hollësirat në vëzhgimet e mia, ishte prekëse gjithçka. Doja të gjeja një vend edhe unë për t’u strukur me të, pak rëndësi se ku, mjaftonte që atje të kishte mundësi të zhdukeshim, të arratiseshim nga e përditshmja, dhimbja, demoralizimi e bullizimi që ulërinte brenda klasës e s’e dëgjonte kurrkush.


Kuptova që kisha punë dhe çfarë pune!

Kur dëgjova edhe kolegun, i cili tregoi që kishin bërë gjithçka për të e që nuk kishte rrugë tjetër vetëm të rrinte urtë në fund, u trondita... Ajo ishte e vetmja rrugë?! Veçim në fund? Me ndjesinë e një nëne shkova drejt Arios, duke i lënë një fletë formati skicuar me yje të madhësive të ndryshme, të bëra aty për aty hollë me laps.


- Për mua?

- Po. Gëzohem teksa të shoh kaq të qetë e të edukuar.

- Mund të ngjyrosësh yllin më të madh?


Ai u gjallërua menjëherë dhe ajo buzëqeshje, lëvizje e vockël e buzëve mjaftoi për ta thërrmuar atë ftohtësi nga shokët, që i dukej e përjetshme. 


Ajo buzëqeshje më shoqëroi deri në orët e vona. Përsëri mbi hulumtime të rasteve të ngjashme, nevojave e ndihma që u nevojitet. Të nesërmen, kur u futa në klasë, Ario nuk kishte ardhur ende. Teksa dola në korridor, më shfaqet përballë. U duk qartë se po më priste jashtë pa dashur ta shikojnë. Më dha fshehtas një yll të vizatuar në një copë letër të zhubravitur.


- Kjo është për ty. E bëra detyrë shtëpie.


Në përfytyrimin tim, bota e tij më ngjasoi me një dhomë të ndriçuar, në të cilën ato pak të ngicura të murit në të zezë nuk e zbehnin dot bardhësinë. Ai nxënës më tregoi besueshmërinë që është më mësimdhënëse sesa e vërteta e të gjithë mësimdhënësve që besuan bindshëm në pamundësinë e tij.


Asnjëherë njeriu nuk duhet t'i shmanget një mundësie të mundshme dashurie. Mundësitë mund të të shpien drejt zhgënjimit, dhimbjes, qorrsokakut, barrierave më të vështira, por dashuria i zbeh dhe i kapërcen ato. Sot kuptoj që dua të sfidoj, të nisem në drejtime të panjohura.


Asgjë nuk është më e frikshme dhe e pamundur, madje as kjo mendësi kolektive. E dija që ka anije që shkojnë e vijnë midis dhimbjes e demoralizimit, por unë dua të shkoj më larg akoma, atje tek yjet, tek shpresa, tek udhët e pafund që mund të zbulojmë. Derisa ne, mësuesit, të jemi duke bashkëpunuar nëpër shkolla për këto yje, ka jo vetëm shpresë, por edhe ndryshim!


 

Kozeta Hida 

Kozeta Hida u lind më 25 korrik 1977, në Elbasan. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Shkencave Humane, dega gjuhë shqipe-letërsi. Për shumë kohë ka punuar vullnetare dhe koordinatore në qendrën “Mbrojtja e të drejtave të gruas”, Berat, për trajnime të kurseve të formimit profesional. Aktualisht vazhdon të punojë si mësuese në shkollën “Adem Krasniqi”. në Elbasan. 




©Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

14,436 Lexime
1 vit më parë