
“Adolescence” i Stephen Graham, një serial që duhet parë nga të gjithë
Shkrimi i mësuesit Evans Drishti ofron një reflektim të thellë mbi serialin “Adolescence” nga Stephen Graham, duke e sugjeruar ta shohin të gjithë. Ai shkruan për pasojat e mungesës së komunikimit në familje dhe ndikimin shkatërrues të rrjeteve sociale tek adoleshentët, që trajtohen në të.
Nga Evans Drishti
A mund të mrekullohesh, teksa sheh një serial të realizuar profesionalisht? Padyshim që po.
Por jo vetëm kaq!
Që në pikënisje të këtij seriali, në serialin e tij të parë, vë re se si jeta në një ditë “të zakonshme” për ty, të kthehet në një “skëterrë” për fat të keq edhe të përjetshme. Atëherë, kur prindi mendon se gjithçka shkon në rregull brenda familjes së vet, pëson shokimin e përjetshëm vetëm nga mungesa e një komunikimi të rregullt me fëmijën e tij adoleshent.
Ndërkohë, jo vetëm për adoloshentin, që ka menduar se në emër të lirisë se veprimit, një arsyetimi dhe pjekurie të parakohshme, mund të realizojë gjithçka, edhe përtej moshës së vet nëpërmjet universit që ofron bota e internetit, përballet me një situatë që vjen në fatalitetin e saj më ekstrem, jo vetëm për një adoleshent vetëm 13 vjeçar, por për gjithë familjen e tij.
Dhe në një ditë “të zakonshme” forcat e policisë mësyjnë në shtëpi, për të arrestuar adoleshentin vetëm 13 vjeçar, për shkak të një krimi të kryer një natë më parë, për të cilin dyshohet se ishte pikërisht adoleshenti autori përkatës.
E ëma, i ati dhe e motra, sërish adoleshente 18 vjeçare shokohen përpara një situate të tillë. Një tronditje e tmerrshme mendore dhe shpirtërore si një tërmet kush e di sa shkallësh, i përplas ata përtokë, teksa nuk duan t’u besojnë as syve, që shohin një të atillë skenë tragjike, as veshëve që dëgjojnë akuza të atilla, që të shkulin edhe qimet e trupit.
Një faqe tronditëse e jetës ka nisur tashmë për adoleshentin e mitur 13 vjeçar, dhe për rrjedhojë edhe për familjarët e tij.
Prej shumë kohësh djaloshi i mitur ishte përfshirë keqazi në kthetrat e botës së rrjeteve sociale, ku shiheshin mjaft dukshëm: shantazhime, bullizime, keqtrajtime, abuzime seksuale, irritime dhe tundime të pashpirtshme, në të cilat bota e adoleshentëve kishte marrë një tjetër pamje, shoqëruar madje edhe me shumë kode, që për të rriturit as që njiheshin fare. Djaloshi 13 vjeçar ishte bërë pjesë e një rrjeti degradues jo vetëm të botës ideore, por edhe të asaj fizike e shpirtërore. Kishte arritur deri në një masë, që pandehte se kishte mbërritur në pjekurinë e duhur në konceptimin dhe perceptimin madje edhe të procesit të zhvillimit hormonal në përpjekje për të krijuar raporte deri në intime edhe me botën femërore. Me kalimin e kohës, kjo i kishte përftuar një lloj vetëbesimi të paimagjinueshëm, dhe sipas tij edhe të pathyeshëm, pasi gjithnjë sipas tij bota ishte në duart e veta.
I nisur në formën e një “loje”, pëlqime dhe mospëlqime instagrami, mesazhe irrituese dhe degraduese, ofenduese deri edhe në cinike të dinjitetit, përplasjet dhe zënkat mes adoleshentëve kishin marrë dimensione të frikshme duke kapërcyer çdo lloj sensi arsyetimi të thjeshtë dhe duke shkuar deri në vrasje me thikë, pra humbje jete. Pikërisht kjo kishte ndodhur një natë më parë në një nga parqet e qytetit, ku djaloshi 13 vjeçar kishte kurdisur planin e tij djallëzor për të asgjësuar shoqen e tij. Dhe për këtë, familjarët e tij, as që ishin në dijeni.
Gjithçka merret vesh, kur djaloshi adoleshent merret në pyetje, kuptohet nën shoqërinë e njërit prind, babait të tij dhe avokatit që mbulonte çështjen e tij, vetëm atëherë kur hetuesit e çështjes i shfaqin përpara syve prova dhe dëshmi konkrete në fotografi, madje edhe videot e qarta ku shfaqej teksa kryente krimin.
Por adoleshenti, me gjithë trishtimin e tij të dukshëm dhe përhumbjen për pak çaste në përlotje, shfaqet rezistues dhe mohues i gjithçkaje që kishte ndodhur, ndërkohë i ati pëson shokimin dhe tronditjen e tij të radhës. Një lloj falimenti mund të thuhej.
Një tjetër pamje tronditëse shfaqet këtë herë në ambientet e shkollës, ku trupa hetuese e ngjarjes vijojnë procesin e marrjes në pyetje të miqve dhe shoqërisë së shkollës. Nga njëra anë fytyra të zbehta dhe tronditëse, mimika fytyrash që shprehin domethënie ekstreme, sjellje dhe reagime të ashpra të mbështjella me nevrikosje dhe irritime të kuptueshme, e nga ana tjetër përqeshje tallëse dhe ironizuese nga të rinj protagonistë që kanë humbur sensin e të qenurit njerëzorë.
Në mesin e tyre tërheq vëmendjen një skenë tejet domethënëse, ajo e një bisede mes hetuesit të çështjes dhe të birit të tij, një djalosh shtatlartë dhe trupmbushur, inteligjent dhe mendjehapur, i cili e shokon të atin, teksa i tregon disa kode të botës së internetit, për të cilat i ati, megjithëse hetues as që kishte informacion. Vjen një çast, kur të atit i del nga goja fjalëza “Bir!” duke iu drejtuar të birit, por që ishte e para herë që i drejtohej ashtu, gjest i cili e lë gojëhapur të birin, një tregues i qartë i shkëputjes dhe ftohtësisë së marrëdhënies prind – fëmijë.

Një tjetër skenë tronditëse është ajo e takimit të psikologes me djaloshin e mitur 13 vjeçar, në pozicionin tashmë të “të pandehurit”. Një profesionalizëm i dukshëm i psikologes në trajtimin e një adoleshenti tejet të mençur, përtej moshës së tij.
Episodi i fundit ju lë pa fjalë. Familja që i rikthehet “jetës normale” pas burgimit të të birit të tyre adoleshent. Një reflektim shumë domethënës i dy prindërve, që tërheqin veten e tyre në llogari për prindërimin e tyre. Skena rrëqethëse, përlotëse dhe drithëruese… Ndërsa fundi?....
Një serial i realizuar në Britani të Madhe, por një realitet i prekshëm shqiptar, që për fat të keq vijon të tronditë dhe lëkundë shoqërinë tonë.
Mund të kuptoni më së miri në këtë serial:
- Raportet e ndërsjella familjare, burrë e grua, babë e bir, nënë e vajzë, babë e bijë, nënë e djalë në kushtet dhe rrethanat e jetës bashkëkohore.
- Sa e konsoliduar mund të quhet dhe të pranohet një familje bashkëkohore, e cila ka lënë në mëshirë të fatit rrjedhat përditësuese të fëmijëve adoleshentë.
- Procesi i një adoleshence në kohët moderne nis në moshë shumë të hershme duke u përfshirë brenda një rrugëtimi relativisht të gjatë.
- Fëmija adoleshent i përfshirë në rrjetën e rrjeteve sociale të pakontrolluara dhe të pambikëqyrura bie lehtazi në kthetrën e një merimange të pamëshirshme transformuese.
- Institucioni arsimor i vënë përpara një kauze sfilitëse dhe degraduese bën përpjekje maksimale për të mbajtur nën kontroll sjelljet dhe reagimet e ashpra të adoleshentëve.
- Raporti mësues – nxënës, që qëndron në kapërcyellin e një sfilitjeje deri në pamundësi të mbikëqyrjes së situatave rrëqethëse dhe gjaknxehta.
- Procesi i degradimit të një adoleshenti që në moshë shumë të mitur, teksa shfaqet në rritjen e tij të parakohshme dhe të pazakontë duke u përballur me fenomene të cilat kapërcejnë logjikën e një mendjeje të brishtë.
- Lidhjet shoqërore dhe miqësitë e ngushta që vihen në shërbim të shpërbërjes së identitetit të të rinjve në kurthet që ngre aventura e rrjeteve sociale.
- Funksioni sfidues i psikologut në zbërthimin e karakterit dhe natyrës së shpërfytyruar të adoleshentit në degradim.
- Reflektimi prindëror pas shpërbërjes së familjes, si dhe sa efikas?
U soll ky reflektim për të kuptuar secili prej nesh, sa nuk është shumë se:
- Interneti është dhe mbetet gjithnjë një pjesë integrale e jetës së cilit prej nesh, ndaj patjetër që prindërit, mësuesit dhe mbarë shoqëria detyrimisht duhet të thellohen të kuptojnë enigmat e kësaj bote përvëluese.
- Prindërit e kanë detyrim të rrisin në mënyrë të ndjeshme marrëdhëniet e tyre me fëmijët, jo në mënyrë kritike, por bashkëpunuese.
- Është një nevojë emergjente që të ofrojmë sa më shumë dashuri, dashamirësi, respekt, mbështetje dhe të flasim me një gjuhë motivuese me fëmijët tanë në mënyrë që ti kemi sa më pranë në çdo çast të përditshmërisë sonë.
- Çdo fëmijë zhvillohet së bashku me familjen e vet, por duhet forcuar komunikimi dhe marrëdhënia me shoqërinë që zë fëmija, pasi tashmë kjo shoqëri bëhet pjesë integrale e familjes.
- Çdokush ka nevojë për një fjalë të mirë dhe të ngrohtë, ndaj prindërit kanë detyrimin të edukohen së bashku me fëmijët e tyre, në mënyrë që të kuptojnë rrjedhën e jetës.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Për herë të parë, pianistët e rinj shqiptarë sfidojnë ata të huaj në konkursin ndërkombëtar "Unë e adhuroj Shopenin"!
Besnik Alili: Mësuesi, udhërrëfyes i dijes
Rita Petro në zemër të lexuesve, në Gjenevë