
Virion Graçi për takimin e radhës të Klubit të Leximit Albas mbi romanin “Komediania” të Reymont
Në takimin e Klubit të Leximit Albas, autori Virion Graçi ndau përshtypjet e tij si i ftuar mbi romanin “Komediania” të Reymont dhe mbi vetë klubin, si një hapësirë e gjallë reflektimi ndërbrezor. Një mbrëmje dialogu mbi artin, teatrin dhe qëndresën përmes leximit.
Mbrëmjen e djeshme pata mundësinë të isha me një grup leximtarësh, gjenerata pas meje, në diskutimin e romanit "Komediania", (1886) i Wladislaw Stanislaw Reymont, (Nobel, 1924), në librari ALBAS.
Më çoi më shumë kureshtja si i lexojnë romanet të rijtë e sotëm dhe si e kuptojnë realitetin fiksional në raport me atë që mund të quhet përvojë e drejtëpërdrejtë jetësore.

Për sikletin tim, ma dhanë fjalën disa herë, në formë pyetjesh a kundërshtish të frytshme, miqësore.
Zgjodha të isha informativ, duke e parë romanin në traditën e madhe të realizmit kritik të shekullit përkatës.
Në leximin tim "Komediania" është në vazhdën e realizmit balzakian, një pjesë temash e skicash nga rendi i ri shoqëror i kohës të trajtuara me origjinalitet, me art, pa teprime deskriptive e hollësi të natyrës juridike-ekonomike sikurse gjenden te Balzak. Heroins tip- një provinicial/provinciale, mbushur me realitet libror, frymëzohet të shkojë në qytet, të bëhet yll teatri. Aty njihet me meskinitetin maskilist, me lakmitë seksuale, me imoralitetin në shkëmbim të favoreve e suksesit profesional, etj. Heroina (Janina) nuk bën kompromise, ruan deri ne flijim dinjitetin njerëzor. Nga ana tjetër romani është një tablo e madhe e teatrit të kohës: vështirësi materiale, repertor komercial në shërbim të një suksesi të çastit; kritika e promovime jo parimore por si trafik interesash personale.
Mbeta shumë i kënaqur nga mënyra e shkathët e portretizimit të personazheve, nga përshkrimet ambientale dhe nga karakteritimi psikologjik rast pas rasti i ccdo personazhi. Konfliktet ishin mëse të arsyetuara sikurse dhe pasojat dhe vendimet e mëpastajme.
Me të drejtë diskutantët e pranishëm në bisedën për këtë roman bënë, secili sipas formimit të tij, analiza të karakterit social, analiza psikologjike, analiza ne prizmin filofofik sikurse dhe vështrime krahasuese letrare.

Larmia e procedimeve artistike, nga ana e autorit, pasuria lëndore dhe stilistike e romanit, jeta komplekse e heroinës, parë nga ana shpirtërore - emocionale, e bën tërheqës librin, të rrëmben me vete leximi i tij në një botë që duket krejt e jona, krejt bashkëkohore për nga problematikat dhe reagimet.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Urimet dhe mesazhet e gjuhëtarëve dhe të njohësve të gjuhës shqipe për Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare
Përmbledhje e “Ferri”-t të Dante Aligerit nga Drita Topjana
Grapshi, fshati shqiptar i mbi 200 arsimtarëve i lënë në harresë