Grapshi, fshati shqiptar i mbi 200 arsimtarëve i lënë në harresë
Ai është një fshat i cili cilësohet me një pasuri kulturore të rrallë, ku legjendat dhe historiku të shoqërojnë në çdo cep të tij. Fshati i traditave, zakoneve të larta kulturore quhet Grapsh. Me një numër të lartë arsimtarësh, por që tashmë është lënë në harresë, edhe pse vetëm 10 km nga qyteti i Bilishtit.
Është një ditë e qetë dhe plot diell, tamam korrik. Po nisem drejt fshatit Grapsh, të Devollit, koha është tipike, me diell të nxehtë, me një erë të lehtë me drejtimin jug-veri, si për të më treguar se nga duhet të iki.
Rruga kaloi shpejt dhe në një moment një rrugicë, karakteristike korçare më lajmëron, “Mbërrite”.
Është mesi i verës dhe pyjet e tejmbushur të fshatit janë akoma kryelartë. Në përpjekje për t’i rezistuar vapës së lartë, si për të më treguar se dhe ky fshat është po kaq kryeneç, aq sa i ka rezistuar ende kohës. Brenda pak minutash u gjenda në Grapsh dhe prezantimi i parë është me lagjet, aq të rëndësishme për këtë fshat.
Grapshi është ndër të vetmit fshatra që unë kam parë në jetën time, me “far natyral”. Ky fshat kaq misterioz i cili daton që prej viteve 1650-1700, i gjendur vetëm 10 km nga qyteti i Bilishtit, po duket se prej në hyrje të tij thërret për ndihmë. I lënë në haresë dhe më një infrastrukturë pothuajse zero, tashmë Grapshi është kthyer në një fshat të braktisur, me një numër prej 12 familjesh, ku dikur numëronte 200 të tilla. Fshati është ndërtuar në të dyja anët e rrjedhës së sipërme të lumit Grapsh , duke e përshkruar rrjedhën e tij mespërmes. Kjo zgjedhje i jep fshatit një pamje mjaft piktoreske, i siguron atij blerimin dhe freskinë në verë dhe e mbron nga erërat në dimër. Me shtëpi karakteristike, dy katëshe dhe mjaft të mëdha, ku në katin e dytë ndarja përbëhet me një çardhak të madh, i cili zë gjithë pjesën ballore të shtëpisë, i pajisur me ndenjëse përgjatë gjithë gjatësisë së mureve dhe më shumë dritare, prej të cilat të mundëson të gjithë pamjen e fshatit. Këto të dhëna karakteristike urbanistike dhe arkitektonike të ndërtimit të shtëpive, të rrugëve dhe objekteve të tjerë që i gjithë syri i njeriut sheh, na tregojnë edhe vetë nivelin e zhvillimit kulturor të banorëve të Grapshit.
Grapshi, pasqyron më së miri dëshirën dhe kërkesën e banorëve për një jetë sa më të mirë dhe dinjitoze, si fshat, në tërësi, por edhe çdo familje në veçanti. Një fshat i cili cilësohet me një pasuri kulturore të rrallë, aty ku legjendat të shoqërojnë në çdo cep.
Sapo hyra në këtë fshat përpara syve të shfaqet shkolla, e cila daton që prej shekullit të 18-të, ku sipas gojëdhënave në këtë shkollë për herë të parë është mësuar gjuha greke. Ky institucion arsimor për Grapshin pati rëndësi të madhe. Ajo i hapi rrugën për shkollim, për dije dhe përparim fëmijëve të këtij fshati, çka i aspironte fshatarët. Më vonë banorët rrëfejnë se në vitin 1917 u mbyll shkolla në gjuhën greke, për tu rindërtuar sërish në vitin 1923 për herë të parë shkolla fillore në gjuhën shqipe.
Shkolla e vjetër e fshatit Grapsh
Hapja e këtij institucioni ishte një ngjarje e madhe për banorët e këtij fshati, ishte realizimi i një ëndrre shekullore si dhe për gjithë popullin shqiptar. Banorët rrëfejnë se me hapjen e shkollës fillore, jo vetëm brezi i moshës shkollore, por edhe të rriturit që nuk dinin shkrim dhe lexim, kishin mundësi të mësonin në një shkollë të rregullt shqipe. Me nostalgji grapsharët më rrëfejnë se mësuesi i parë i kësaj shkolle ka qenë Jorgji Simota, nga fshati Hoçisht i Devollit. E kujtojnë si një burrë të thyer në moshë, me një përgatitje të lartë arsimore e pedagogjike, mjaftueshëm kjo e fundit për tu dhënë nxënësve maksimumin e dijeve të nivelit të shkollës fillore. Ai për ta ishte krijuesi i vërtetë i fizionomisë së plotë të shkollës shqipe në Grapsh. Por përveçse jetës arsimore, banorët i japin vlerë edhe për ato çka ai ka bërë për fshatin e tyre.
Një tjetër arsimtar i ardhur në Grapsh për të shpërndarë dije, por jo vetëm ishte dhe mësuesi Petraq Leka. “Fshati filloi të merrte gjallëri tjerët, me ardhjen e mësuesit Petraq Leka”, rrëfejnë banorët. Edhe pse ishte vetëm një djali i ri nga Korça, ai për ta ishte kthyer më shumë se një mësues për fshatin, sepse ishte i prirur për art dhe muzikë, luante në kitarë dhe mandolinë dhe këndonte shumë bukur, tregojnë ndër të tjera ata. Këto cilësi mësuesi Petraq Leka i investoi jo vetëm për arsimin e fëmijëve, por edhe për të bërë shumë ndryshime në gjendjen dhe jetën e fshatit. Futi në shkollë kostumin kuq e zi të nxënësve, të cilin e vishnin në ditët e festave kombëtare, në raste ceremonish. Praktikoi formën e ekskursioneve të organizuara me nxënësit në vendet piktoreske, por edhe me shkollat fqinjë. Gjithashtu, ai nxiti dhe organizoi edhe aktivitete artistike e sportive.
Në aspektet e jetës në fshat, ndikim të madh ka pasur edhe veprimtaria e mjekut Miço Xhaçka. I arsimuar në Athinë, u kthye për të punuar më pas në rrethin e Devollit.
Mësuesit kanë qenë ata të cilët kanë dhënë kontributin më të madh për shkollimin e fëmijëve, ku arsimi ka qenë një nga aspiratat dhe ëndrrat e hershme të grapsharëve.
Sipas banorëve në fshatin Grapsh nuk ka pasur shkollë të nivelit më të lartë se fillore. Por kjo nuk i ka penguar fëmijët e Grapshit të arsimoheshin. Rreth viteve 1923, kur është hapur shkolla e re shqipe, vetëm dy djem Miço Xhaçka dhe Dhori Laçi patën mundësi të arsimohen në arsimin e lartë në Greqi. Ndërsa prej vitit 1945 e deri në vitin 2000, kryen studimet e larta, brenda dhe jashtë vendit, mbi 120 djem e vajza, nipa e mbesa të Grapshit. Prej fshatit Grapsh kanë dalë djem dhe vajza të cilët kanë kryer studimet e larta , mbas hapjes së shkollës fillore, prej të gjithave profesioneve. Por, e veçanta e kësaj shkolle është se kjo shkollë u ndërtua rreth viteve ’38-’39, falë financimit nga banori i këtij fshati Vasil Thomaidhi. Thomaidhi kishte emigruar në Egjipt, ku aty arriti të ishte një biznesmen i suksesshëm. Dhe si një person që e donte shumë fshatin e tij dhe kërkoi që të investonte në diçka me vlerë, ai investoi për shkollën, ku si shenjë falënderimi dhe memoriali është vendosur busti i tij në ndërtesën e shkollës. Ky fshat i bekuar, ka ditur gjithmonë të arsimonte dhe të nxirrte prej djepit të tij doktorë, inxhinierë, fizikanë, arsimtare, historian, oficerë, jurist, ekonomistë, muzikantë, gazetarë, pilotë, aktorë,etj. Ku sipas specialiteteve rezultojnë 25 oficerë, 21 mësues, 20 ekonomistë, 17 inxhinierë, 12 mjekë, 4 juristë, 3 artistë, 3 agronomë dhe 17 të specialiteteve të ndryshme.
Ku vlen të përmenden: Dhimitri Gjorgjadhis, doktori i parë në rrethin e Devollit, Koço Biku aviatori më i mirë i Shqipërisë në atë periudhë , inxhinier miniere Ilo Pikuli, fizikanti Arben Pikuli, juristi Koço Themeli, Edlira Atthanas artiste, gazetar Anxhelo Xhaçka, ku dhe vetë ministria e mbrojtjes Olta Xhaçka e ka origjinën prej këtij fshati.
Këta djem dhe vajza nga fshati apo dhe më prejardhje nga Grapshi, kanë punuar e punojnë duke dhënë kontributin e tyre në fusha të ndryshme të dijes dhe shkencës, në arsim dhe kulturë, në shëndetësi, në ushtri e në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Shtëpia e të parëve të ministries së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, (rikonstruktuar)
Por a thua vallë të jetë kaq unike kjo zonë? Përse të rinjtë e kanë braktisur vendin e tyre? Kush janë problemet me të cilat banorët përballen çdo ditë? Çfarë vlera historike dhe kulturore mbart ky fshat? Përse askush nuk kujtohet për ata? Si mbijetojnë këta njerëz, si e sigurojnë jetesën e tyre?
Udhëtova drejt këtij fshati, për tu njohur më nga afër me misteret dhe vështirësitë e kësaj zone...
Banorët mbajnë kokën lart, kur bëhet fjalë për vlerat historike që mbart ky fshat. Bukuria e natyrës së virgjër ku njeriu nuk ka vënë dorë prej vitesh e bën këtë vend unik, por aspak të frekuentuar nga turistët. Udhëtimit tim për në këtë fshat të bukur, ju bashkua edhe Apostol Çako, ish kryeplaku i fshatit i cili flet me krenari për vlerat që ky fshat ka.
“Ky fshat është shumë i veçantë, arsyeja është shumë e thjeshtë , mjafton të hedhësh një sy rreth e përqark edhe të kuptosh se këtu gjen parajsën. Kemi një kulturë që çdo fshat do ta kishte zili, pavarësisht se fshati jeton përqafe me harresën, të paktën krenohemi me historikun që fshati ka” , shprehet Apostoli.
Hedh sytë përreth dhe sheh se sot ky fshat, është braktisur nga të rinjtë, ku deri në vitet ’90 familjet që fshati Grapsh mbante në sup ishin rreth 200, por sot ato numërohen me gishta. Nuk është e vështirë të kuptosh se pse janë larguar, infrastruktura e rrënuar dhe shumë elementë të tjerë nuk u dhanë alternativë tjetër. Nëse ke ndonjë rast urgjent, të sëmurë apo ndonjë problem tjetër, duhet të paguash jo më pak se 3000 lekë të reja për në qytetin e Bilishtit. Ndërsa lëvizja normale, bëhet me kafshë “mushkë, gomar”. E njëjta atmosferë trishtimi për të tashmen dhe mallëngjimi për të shkuarën, të shoqëron edhe kur vërtitesh rrugicave të ngushta të fshatit, apo edhe në brendësi të banesave.
“Na kanë lënë mes të katër rrugëve dhe nuk po dimë nga t’ia mbajmë. Nga një anë është trashëgimia e prindërve dhe të parëve tanë, nga ana tjetër janë kushtet e këqija ku janë katandisur këto ndërtesa”, kështu na thotë nënë Kostandina. Ngado sheh dhe ata pak pleq që kanë ngelur, të cilët duket sikur thonë, qëndroni këtu 1 orë dhe ikni.
Pamje e fshatit Grapsh
Të mbijetosh në këtë fshat, është më shumë se e vështirë, pothuajse të gjitha shtëpitë janë braktisur, shtëpitë e vjetra po bien, e mes tyre banorët më të vështirë të jetojnë. Mjafton të shikosh rrugicat e fshatit edhe do të duket sikur je rikthyer pas në kohë, ose sikur ke marrë imazhe nga ndonjë film mesjetar, kudo harresë. Të vjen të vësh duart në kokë kur sheh se dhe ajo shkollë prej të cilës kanë dalë të gjithë arsimtarët, është mbuluar nga pluhuri. Kjo për arsye të infrastrukturës, mungesës së investimit, dhe në fund dhe për mungesë të fëmijëve.
Karakteristikë e këtij fshati ka qenë gjithnjë se banorët e tij kanë ruajtur besimin e krishterë ortodoks dhe nuk e kanë ndërtuar atë as edhe gjatë pushtimin osman. Sapo largon vështrimin nga shkolla, para syve shoh kishën. E pajisur me çdo gjë të nevojshme për kryerjen e ritualeve. Por kjo nuk është ndër të vetmet që fshati. Në Grapsh ndodhen tre kisha, kishën e madhe të Shën Gjergjit, e cila ndodhet brenda në fshat, kishën e Shën Pjetrit dhe kishën Shën Gjergji. Fshati përherë ka pasur priftin e vet dhe të gjithë personelin e shërbesave kishtare, të nevojshme për organizimin dhe kryerjen e riteve të ndryshme fetare. Ku prifti më i hershëm përmendet ai me emrin papa Thimo.
Një nga kishat e Grapshit
Kureshtja më shtyu ende më tej të mësoj rreth mënyrës së jetesës, traditat dhe zakone të grapsharëve. E kur bie fjala tek gatimet tradicionale, bashkëshortja e Apostolit rrëfen se ndër gatimet tradicionalisht, qysh në kohët e hershme që mbahen mend e deri vonë, janë buka prej gruri, fasulet dhe bulmetrat, memeliqja, trahanaja etj. Ndërsa, veshja e banorëve të Grapshit dikur për burrat kanë qenë rrobat e leshta , prej shajaku, tirqet, xhamadanin e pallton treçerekëshe, ndërsa për gratë ka qenë çibuku prej shajaku të punuara nga vetë gratë. Nuset dhe vajzat kishin veshje më të lehtë, më fine dhe me shumë zbukurime. Gjithashtu një tregues i rëndësishëm i mënyrës së jetesës së banorëve të Grapshit ,që unë vura re gjatë shëtitjes përreth fshatit, është edhe mirëmbajtja e shtëpive, kujdesi që tregohet për mirëmbajtjen dhe përsosjen e pajisjeve shtëpiake si hambarë, magjet, musendrat e sëndyqeve , krevateve dhe veçanërisht pastërtia e ambienteve dhe orendive. E pra, kjo mënyrë e veçantë e bashkëjetesës së banorëve të Grapshit karakterizohet nga shpirti njerëzor, solidariteti dhe humanizmi. Solidariteti dhe ndihma e ndërsjellë që banorët i ofronin njëri-tjetrit, marrin forma të veçanta veçanërisht në këto ditë piku të punëve të ditës në bujqësi. E gjithë kjo harmoni bashkëjetese, me këto norma kaq njerëzore, më la përshtypjen e një fshati me një harmoni të admirueshme.
Pas një dite duke ardhur rreth e përqark nëpër Grapash, me idenë se nxora e zbulova disa të fshehta nga pafundësia e Grapshit, por edhe me pengun se lashë shumë të tjera pa i prekur, largohem nga ky fshat, që në ikje të imponon të largohesh me kokën mbrapa dhe dëshirën për t’u kthyer sa më shpejt. Ku i gjithë ky fshat ka ngecur në mes: Në njërën anë skamja dhe harresa, në tjetrën që askujt mos ti shkojë ndërmend të bëjë investime në këtë zonë. Por a është e drejtë kjo harresë për këtë fshat që diti të nxjerrë prej djepit të tij një brez arsimtarësh? Si dhe pse ? A duhet të përgjigjet dikush për harresën, të paktën për vlerën historike që ky fshat ka?
Përgatiti Marina Kërçeli
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Urimet dhe mesazhet e gjuhëtarëve dhe të njohësve të gjuhës shqipe për Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare
“Abetaret elbasanase” nga Natasha Shuteriqi Poroçani